Implementohet struktura e re e policisë, ja lëvizjet e bëra.

Postuar në 11 Qershor, 2014 03:54

Përfundon implementimi i strukturës së Policisë së Shtetit. E nisur në datën 5 maj të këtij viti, pas firmosjes nga Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, dje janë bërë edhe lëvizjet e fundit të oficerëve të lartë apo të rangjeve të tjera. Emërimet e fundit janë bërë gjatë ditës së djeshme, pasi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës janë bërë prezantimet e disa shefave të sektorëve dhe seksioneve, si antikorrupsionit, pastrimit të parave, të krimeve kibernetike në Policinë e Shtetit, etj. Veç lëvizjeve, në strukturat e uniformave blu ka pasur edhe largime, siç ishte rasti i komisariatit special, RESI që është suprimuar. Disa prej të larguarve kanë qenë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
 
EMËRIMET E REJA
Me strukturën e re janë bërë edhe ndryshime në drejtori apo sektorë të ndryshëm të Policisë së Shtetit që nga, drejtoria qendrore e deri në seksionet në qarqe. Pas ndryshimeve janë bërë edhe emërime të reja, në drejtoritë e krijuara, ndërsa ka pasur dhe lëvizje paralele të drejtuesve të policisë. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se, lëvizjet dhe emërimet janë bërë në bazë të gradave që kanë pasur drejtuesit e rinj që janë emëruar. Ndërkaq mësohet se, disa prej tyre nuk e kanë gradën ashtu siç e do posti, por kjo do të rregullohet në një fazë të dytë. Emërimet mësohet se janë bërë në bazë të përfomancave të secilit kandidat. Emërimet e fundit janë nënshkruar dy ditë më parë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, pasi aktualisht ndodhet në një vizitë në Itali së bashku me ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.
 
LARGIMET NGA POLICIA
Veç emërimeve që janë bërë, ka pasur edhe largime nga Policia e Shtetit. Largime janë bërë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe në disa drejtori qarqesh. Pesë ish-drejtues të lartë të uniformave blu që kanë mbajtur poste të larta u liruan nga policia pasi nuk u gjet një vend i përshtatshëm për ta. Ndërkaq u liruan nga detyra edhe 16 efektivë të Komisariati Special RESI, për të cilët nuk u gjet pozicioni i caktuar në polici. Ky komisariat që merrej me mbrojtjen e personaliteteve, gjyqtarëve, prokurorë dhe personave të tjerë të rëndësishëm është shkrirë me strukturën e re të policisë, pasi pritet krijimi i një drejtorie të posaçme që do të ketë në fokus mbrojtjen e personaliteteve. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, janë bërë edhe lëvizje brenda strukturave, siç ishte ajo e shefit të antidrogës në Policinë e Shtetit. Disa lëvizje sipas tyre, nuk janë bërë publike. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.