Hollande: Greqia të mbajë premtimet! Dua të jetë në euro!

"Anulimi i plotë i Memorandumit do të konsiderohet nga disa vende si një prishje e marrëdhënieve», tha presidenti francez, Francois Hollande, në intervistë për kanalin televiziv grek MEGA dhe shtoi se «në qoftë se grekët nuk mbajnë premtimet e tyre, ka shumë vende që do të preferojnë të nxjerrin Greqinë jashtë euros».
«Unë nuk do të mbështes këtë hipotezë» vuri në dukje presidenti francez. "Duke vënë zhvillimin si një prioritet unë mbështes masat për rritjen ekonomike, të cilat do të ndikojnë edhe në Greqi, me kusht që Greqia vetë të zgjedhë Eurozonën dhe të respektojë angazhimet e saj. Iu thashë homologëve të mi, që fondet evropiane strukturore, të cilat nuk janë marrë, të përdoren për zhvillimin e Greqisë. Respektoj, popullin grek dhe ushtrimin e të drejtës së tij sovrane. Dua që Greqia të mbetet në Eurozonë, por grekët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nënkupton një marrëdhënie besimi», tha Hollande.
I pyetur për çështjen e rinegocimit të memorandumit, u përgjigj se nuk dëshiron të ushtrojë presion apo të kërcënojë. Lidhur me Evropën e dy shpejtësive tha se ekziston Evropa e 27 vendeve-anëtare, eurozona dhe euro, të cilën ai dëshiron të mbetet, me kusht që të duan të jenë dhe grekët.
Duke përfunduar Hollande tha: «Unë kërkoj që grekët të kenë besim në ato që mund të bëjmë së bashku dhe të jenë të sinqertë. Dhe nëse duan të qëndrojnë në Eurozonë, ta dinë se Evropa do t’i mbështesë. Përpjekjet janë të nevojshme, por duhet të jenë të drejta dhe të pasurit duhet të paguajnë pjesën që u takon në këto përpjekje».
Ballkanweb.com
Add new comment