Greqia ka qeveri. Samaras pas pak, tek presidenti Papulias

Finalizohet marrëveshja mes krerëve politikë, Antonis Samaras, Evangelos Venizelos dhe Fotis Kouvelis për formimin e një qeverie koalicioni në Greqi.
Në ora 16:00 lideri i ND, Antonis Samaras do të informojë presidentin e Republikës për marrëveshjen e arritur mes tri partive për krijimin e qeverisë së koalicionit. Më pas në ora 18:30, Samaras do të betohet si Kryeministër i qeverisë. Siç raporton televizioni shtetëror, betimi i qeverisë së re ka shumë të ngjarë të bëhet nesër.
Në orën 19.00, kryeministri i ri dhe liderët politikë që mbështesin qeverinë, do të takohen me ministrin e financave, Jorgos Zanias, i cili nesër do të përfaqësojë Greqinë në Eurogroup dhe do të çojë aty mesazhin e krijimit të qeverisë greke.
Pak më herët kreu i PASOK, Venizelos deklaroi se janë kushtet për krijimin e qeverisë greke. "Greqia ka qeveri. Çështja e emrave të personave do të zgjidhet deri në mbrëmje. Mesazhi do dërgohet në Eurogrup”, siguroi Venizelos, pasi sipas tij, ND-PASOK-DIMAR po ndërmarrin përgjegjësitë e tyre.
Në orën 12:30, kryetari i ND, Antonis Antonis Samaras u takua me kreun DIMAR, Fotis Kouvelis, i cili i përcolli kreut të ND, vendimin e Komitetit Drejtues të DIMAR, “për votë besimi në një qeveri koalicioni, por pa pjesëmarrjen e kuadrove të partisë dhe të kryetarit”.
Procesin me sa duket e vonuan edhe mosmarrëveshjet në mesin e deputetëve të PASOK, për mënyrën e pjesëmarrjes së kësaj partie në skemën e qeverisë së re. Grupi parlamentar i PASOK, ka miratuar mes mosmarrëveshjesh propozimin e Evangelos Venizelos, që kjo parti të mbështesë qeverinë e re, por pa pjesëmarrjen e stafit parlamentar.
Qëllimi është të krijohet një qeveri e shpëtimit kombëtar afatgjatë, e vogël me 15 ministra e 20 zëvendësministra dhe e bazuar mbi dy shtylla: mbajtjen e vendit në euro dhe rinegociim të memorandumit.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment