Greqi, Samaras shkurton 30% pagat e ministrave të tij

30% ulje në pagat e ministrave dhe zv.ministrave si dhe kufizim i përdorimit të automjeteve zyrtare, janë masat që u shpallën nga kryeministri Antonis Samaras, në takimin e parë të Kabinetit të ri qeveritar.
Kjo lëvizje e Samaras mendohet të shërbejë për të fituar besimin e grekëve, si një shenjë e asaj që pritet nga qeveria e sapoformuar.
Kryeministri deklaroi se qeveria e drejtuar prej tij, do të realizojë shkëputjen nga e kaluara dhe nga politikat që e çuan vendin në këtë situatë, ndërsa iu drejtua opozitës duke thënë: "Presim edhe përgjegjësinë e palëve të tjera. Nuk është koha për opozitë sterile sepse vendi e pagoi shtrenjtë populizmin dhe demagogjinë."
"Brenda dhe jashtë Greqisë, presin shumë prej nesh, sepse për herë të parë pas një kohe të gjatë, kemi krijuar shpresë”, tha kryeministri grek dhe premtoi se qeveria e tij "do të bëjë gjithçka për të mbajtur vendin në rrugën evropiane".
Pas largimit të gazetarëve, Samaras iu kërkoi ministrave të shmangin sa të jetë e mundur daljet publike në televizion dhe të punojnë shumë. “Unë jam duke punuar 24 orë në ditë, këtë dua edhe nga ju”, deklaroi kryeministri.
Ballkanweb.com
Add new comment