Greqi, mblidhen krerët politikë. Shansi i fundit, qeveri uniteti

Një qeveri e përbërë nga personalitete me mbështetje të gjerë parlamentare, është "karta" e fundit, që pritet të hidhet në tryezën e sotme të bisedimeve tek presidenti Papulias.
Liderët politikë, me përjashtim të kreut të Agimit të Artë që nuk ishte ftuar dhe kreut të Partisë Komuniste që e refuzoi ftesën, janë mbledhur tek presidenti i vendit, në një përpjekje tjetër, me shumë pak shanse, për krijimin e qeverisë, që do të shmangte zgjedhjet pas pak javësh.
Presidenti Papulias iu tha pjesëmarrësve se "duhet të bëjmë çdo përpjekje për të formuar një qeveri uniteti me personalitete të njohur e të pranuar". Papulias e sugjeroi që mbrëmë krijimin e një qeverie uniteti me personalitete, që të kenë mbështetjen e palëve, opsion që do të mbështetet me siguri nga ND dhe PASOK, ndërkohë që kreu i Grekëve të pavarur, Panos Kamenos deklaroi sot para se të hynte në takim se "mandati i popullit është i qartë për një qeveri të unitetit kombëtar, por dhe për çvlerësim të Memorandumit". Ai shtoi se kusht për mbështetjen e tij, janë 7 kërkesat që ka paraqitur në takimet e kaluara.
Treguese e klimës së pesimizmit që mbizotëron ishte deklarata e Venizelos. Kur u pyet nga gazetarët "nëse sot do të jetë një ditë e mirë", ai u përgjigj "vetëm Zoti e di".
Nëse edhe ky propozim rrëzohet, atëherë nuk ka shpresë tjetër. Dështimi do të thotë zgjedhje të reja, të cilat, sipas sondazheve, mund të sjellin një qeveri, që kundërshton me forcë uljen e mëtejshme të shpenzimeve dhe kërkon të anulojë paketën e shpëtimit, gjë që mund të rrezikojë qëndrimin e Greqisë në Euro.
Reagime
Shqetësim i madh ndihet edhe në Bruksel, ku ministrat e Financave të BE diskutuan mbrëmë krizën greke. Eurogrupi i bëri presion Greqise të respektojë marrëveshjen duke e kërcënuar me prerje të fondeve, ndërkohë që burime nga nga KE dhe FMN lënë të hapur mundësinë e rinegociimit të disa pjesëve të Memorandumit, për të parandaluar fundosjen e vendit në recesion të thellë.
Por pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë se Evropa është e përgatitur për një largim të mundshëm të Greqisë, dobësimi i euros ditët e fundit për shkak të situatës në Greqi, i ka tronditur mbarë bursat evropiane.
“Ne nuk do të fitonim asgjë nga një dalje e Greqisë nga eurozona," tha mbrëmë në mbledhjen e Eurogrupit ministri belg i Financave, Steven Vanakere.
"Është e pakuptimtë të flasësh për gjëra që nuk do ta zgjidhin problemin e vërtetë dhe themelor, domethënë mbështetjen e konkurrencës dhe ekonominë," tha ai duke shtuar se "ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë është brenda eurozonës."
Po ashtu OBEZH mendon se “një falimentim i Greqisë do të thotë katastrofë sociale”. “Rreziku i largimit të Greqisë nga euro sot është më i madh", deklaroi ekonomisti i Organizmit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Pier Carlo Padoan. Ai shtoi se, "sapo të kalojë parrugëdaljen politike që u krijua mbas zgjedhjeve, Greqia duhet të përparojë në zbatimin e masave për uljen e defiçitit dhe të luftojë shmangien fiskale”.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment