Greqi, betohen 16 ministrat e qeverisë së Pikramenos

Greqia ka tashmë një qeveri të përkohshme deri ne 17 Qershor.
Kryeministri Panajotis Pikramenos njoftoi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, përbërjen e qeverisë së tij, e cila do të çojë vendin në zgjedhje.
Ajo përbëhet nga 16 ministra, (pa zëvendësa), të cilët janë kryesisht profesorë universiteti, ish-ministra dhe diplomatë.
Betimi i qeverisë së re u bë paradite në Presidencë. Më pas u zhvillua ceremonia e betimit të deputetëve në parlamentin e 6 Majit, i cili do të shpërndahet përsëri nesër, për t'i lënë vendin fushatës zgjedhore.
Pasi mori mandatin dhe u betua, z. Pikramenos zhvilloi mbrëmë deri në mesnatë një takim me z. Lukas Papadhimos, i cili ndërsa i dorëzonte detyrën, theksoi se është e rëndësishme të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të Greqisë dhe të zbatohen politika që do të sigurojnë besimin dhe stabilitetin. Papadhimos u tregua optimist se kryeministri i ri do të bëjë çdo përpjekje, për të formuluar kushtet e paqes dhe moderimit gjatë periudhës së zgjedhjeve.
Më herët, pasditen e djeshme zoti Pikramenos mori mandatin për të formuar qeverinë, nga presidenti i republikës Karolos Papulias. "Është thjesht një qeveri e përkohshme që do të shkojë në kuadrin e Kushtetutës. Vendi po kalon kohë shumë të vështira. Nën drejtimin tuaj zoti President, duhet ta shpëtojmë atë nga rreziqet, të kalojmë një tranzicion të qetë me qeveri politike", deklaroi kryeministri Pikramenos.
Që nesër dhe përgjatë një muaji do të zhvillohet fushata e partive politike greke, të cilat janë ndara në qëndrimin ndaj Memorandumit të masave.
Sondazhet paszgjedhore flasin për një fitore të koalicionit të së majtës radikale, SYRIZA, i cili premton anulim të masave të ashpra dhe mbajtjen e vendit në euro.
Partitë promemorandum, ND dhe PASOK, patën një tkurrje të thellë në zgjedhjet e 6 Majit dhe tani duan të rrisin mbështetjen popullore, duke u riorganizuar apo duke afruar pranë vetes elementë të larguar më parë nga partia. Gjithashtu Samaras dhe Venizelos po përpiqen të tregohen të sinqertë me njerëzit, duke iu thënë se rruga që propozon SYRIZA, në dukje lehtësuese, është në thelb, braktisje dhe izolim nga Evropa.
PERBERJA E QEVERISE "PIKRAMENOS"
Kryeministri: Panajotis Pikramenos
Ministria e Mbrojtjes: Frangos Frangoulis
Ministria e Punëve të Jashtme: Petros Moliviatis
Ministria e Brendshme: Antonis Manitakis
Ministria e Financave: Jorgos Zanias
Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve: Lefteris Ekonomou
Ministria e Drejtësisë: Kristos Yeraris
Ministria e Punës: Andreas Rupakiotis
Ministria e Arsimit: Angela-Efrosini Kiaou
Ministria e Mjedisit: Gregori Caltas
Ministria e Infrastrukturës: Simos Simopulos
Ministria e Shëndetësisë: Kristos Kittas
Ministria e Konkurrencës për Zhvillim dhe tregtar: Janis Sturnaras
Ministria e Zhvillimit Rural: Napoleon Maravegias
Ministria e Kulturës dhe Turizmit: Tatiana Karapanajoti
Ministria e Shtetit: Antonis Argyros
Ministria e Reformës Administrative: Pavlo Apostolidis
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment