Gjyqi i Gjikës, kryebashkiaku: Kam drejtuar mbledhjen e KRT që hetoni.

Ka nisur seanca e rradhës në Gjykatën e Tiranës ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili është i pranishëm në seancë.
Krahas Gjikës, e pranishme në këtë seancë është edhe e pandehura Eleni Dardha, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë, ndërsa mungojnë të pandehurit e tjerë Gëzim Fetaj, Gentian Sherifaj dhe Bledi Liçaj.
Seanca ka nisur me marrjen në pyetje të Gjikës, i cili akuzohet se ka firmosur dy leje ndërtimi për dy godina, njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin Vlorë-Skelë, pa i kaluar në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë.
Fillimisht ai është shprehur se asnjë mbledhje e KRT-së nuk është bërë pa prezencën e tij dhe se ka qenë vetë ai që ka drejtuar të gjitha mbledhjen për të cilën po hetohet. Gjika ka pranuar se në mbledhjen në fjalë të KRT është diskutuar dhe miratuar dhënia e lejes së ndërtimit të një prej godinave, në truallin e Gëzim Fetajt.
Kjo sipas Gjikës pasi KRT është organ kolegjial dhe se çdo anëtar ka të drejtë të bëjë propozime. I pyetur në lidhje me dhënien e lejeve për 3 firma që nuk ishin krijuar ende
në mars të 2010, Gjika është shprehur se në asnjë nen të urbanistikës sipas tij nuk thuhet që subjekti ndërtues duhet të ketë liçensë. Gjika ka shtuar ndër të tjera se Bashkia e Vlorës dhe vetë ai kanë revokuar gjithsej 80 leje ndërtimi në qytetin bregdetar, ndërsa lidhur me lejen e dhënë për të cilën akuzohet, ai ka theksuar se nuk e ka zbardhur pasi sipas tij mungonte çertifikata e pronësisë.
Në procesin gjyqësor të Gjikës, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe abuzime me lejet e ndërtimit, vetë kryebashkiaku i Vlorës nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e ngritura ndaj tij.
Add new comment