Gjirokastër, sekuestrohen 125.4 kg marijuanë, në kërkim transportuesi.

Policia e Gjirokastër ka finalizuar një tjetër operacion antidrogë, të koduar “Nisani” , në të cilin u sekuestruan 125.4 kg marijuanë.
Operacioni që është zhvilluar nga sektori kundër narkotikëve pasditen e sotme në Gjirokastër gjeti sasinë e drogës në automjetin tip “Nissan” me karroceri.
Ndërsa ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit, shtetasin E.K, që po transportonte drogën pasi ka mundur të largohet.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, një tjetër operacion është zhvilluar në orët e mbasdites së datës 15.06.2014 dhe konkretisht:
Operacioni është organizuar pasi specialistët e sektorit Kundër Narkotikëve kanë marrë informacion në rrugë operative se në një rrugë dytësore që lidh Lazaratin me Dervicianin një automjet tip me karroceri po transportonte një sasi të madhe lënde narkotike në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek.
Sipas bluve të Gjirokastrës drejtuesi i automjetit, i cili është identifikuar nga ana e tyre, ka dalë me automjetin tip “Nissan” nga fshati Lazarat në rrugë kryesore. Në afërsi të fshatit Goranxi ai ka parë se po e ndiqte policia dhe në afërsi të fshatit Haskovë ka devijuar nga rruga nacionale dhe në një fushë poshtë këtij fshatit ka braktisur mjetin me lëndë narkotike dhe është larguar me shpejtësi në zonën kodrinore.
Në brendësi të automjetit me targa GJ 0080 B, kishte tre çanta të mëdha shpine të mbushura me pako lëndë narkotike, me mbishkrime të ndryshme gjithsej 107 pako me peshë të ndryshme, ku 7 pako peshonin nga 2.2 kilogramë secila ndërsa 100 pako nga 1.1 kilogramë secila, gjithsej 125.4 kilogramë mariuanë.
Policia ka gjetur edhe një çantë shpine me bukë e ushqime në automjet.
Add new comment