Franca: Nëse Greqia nuk respekton zotimet, mund të dalë nga euro

"Pa dyshim që Greqia do të dalë nga eurozona, në qoftë se nuk do respektojë zotimet e saj", tha ministri francez i Financave, Pierre Moskovisi, duke komentuar deklaratat e liderit të SYRIZA, Alexis Cipras dhe qëndrimet e tij rreth "shfuqizimit të Memorandumit".
I pyetur nëse Ministria franceze e Financave është e përgatitur për dalje të Greqisë nga euro, Moskovisi pranoi se "mund të ketë disa mendime të tilla", por shtoi se "do të punohet për të shmangur këtë skenar".
Ai vuri në dukje se Greqia duhet të mbetet në bashkimin monetar, pasi ajo ka përparuar në "integrimin" në Eurozonë, sepse “ne nuk duam një efekt domino dhe për shkak se ne kemi angazhuar tashmë shumë para, 150 miliardë euro".
Ministri theksoi se Grexit do të shkaktonte një infektim të borxhit "intensiteti i të cilit nuk do të jetë i parashikueshëm dhe as i kontrollueshëm", dhe vuri në dukje se duhet bërë gjithçka që qeveria e cila do dalë pas zgjedhjeve të 17 qershorit, të punojë në favor të euros dhe të bëjë çdo gjë që është e nevojshme, që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.
* * *
Kryeministri italian Mario Monti shprehu shpresën që grekët të votojnë për të qëndruar në euro. “Shpresoj që grekët të votojnë për të qëndruar në euro, sepse përbën një garanci për një të ardhme të qëndrueshme me prosperitet”. Monti vlerëson se në një të ardhme të afërt do të emetohet eurobondi, por kjo nuk do të thotë se do të lejohen qeveritë që të shpenzojnë në kurriz të të tjerëve.
Në favor të qëndrimit të Greqisë në euro, shprehet edhe ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Westerwelle shprehet “i përkushtuar në Planin A, për qëndrimin e Greqisë në euro”, ndërsa fton Greqinë të injorojë populistët që “premtojnë prosperitet pa përpjekje të fuqishme”. Shefi i diplomacisë gjermane thekson gjithashtu se “nuk mund të financojmë zhvillimin me borxhe të reja”.
* * *
Udhëheqësit e katër institucioneve evropiane kanë përgatitur një "plan" për daljen e eurozonës nga kriza dyvjeçare, shkruan gazeta gjermane Welt am Sonntag. Bëhet fjalë për Presidentin e BQE, Drago Mario, presidentin e BE-së Herman Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe Presidentin e Eurogroup, Zhan-Klod Junker.
"Ky plan do t'i paraqitet Këshillit Evropian gjatë këtij muaji", shkruan gazeta gjermane gjithashtu. Sipas saj, 4 pikat janë:
- Rritja e kompetencave të institucioneve të BE-së, për trajnimin e buxheteve kombëtare.
- Krijimi i autoritetit panevropian mbikëqyrës për bankat, me kompetenca të papara.
- Harmonizimi i politikave të taksave kombëtare në nivel evropian. E njëjta gjë, në lidhje me politikën e sigurisë në eurozonë.
Propozimi i fundit lidhet me fushën e sigurimeve shoqërore, thotë gazeta.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment