Forcohet leku. Vazhdon ecuria negative e euros

Monedha shqiptare, leku, ka forcuar pozitat e saj në tregun e këmbimit valutor. Leku shënoi rivlerësim gjatë kësaj jave në raport me valutat e huaja, euron dhe dollarin. Një euro ka zbritur në kuotën e 137.9 lekëve ndaj 138.4 lekë që shënonte disa javë më parë, duke konfirmuar një kërkesë me të ulët në treg për monedhën evropiane. Euro ka patur ecuri negative edhe në tregjet ndërkombëtare për shkak të krizës në eurozonë. Tendencë në rënie ka shënuar edhe dollari, i cili ka zbritur në kuotën e 110.12 lekë sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, duke u zhvlerësuar në krahasim me 112 lekë, që ka qënë javët e kaluara.
Prej disa javësh kuotimi i euros në tregun shqiptar është në vlera të zhvlerësura, në raport me lekun. Sipas ekspertëve ndikim ka pasur pasiguria që vjen nga kriza në Greqi. Ekspertët janë të mendimit se ky lloj dobësimi i euros në tregun tonë do të vijojë të jetë i tillë dhe në muajt në vazhdim.
Ardhja e emigrantëve gjatë muajve të verës, pritet të shtojë sasinë e euros në tregun vendas dhe kjo do të ulë më tej vlerën e saj në raport me lekun. Por nga ana tjetër, nga një euro e dobët përfitojnë të gjithë ata që kanë kredi në këtë monedhë, pasi do të paguajnë më pak në këstet mujore. Po ashtu, pritet që importet të bëhen më të lira, çka mund të përkthehet në ulje të çmimeve në treg. Përfitime ka dhe qeveria që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm. Të penalizuar janë eksportuesit, norma e fitimit të të cilëve do të ulet.
Teuta Shamku
Albanian Screen
Add new comment