BE: Greqia në zonën euro, por të respektojë angazhimet

Bashkimi Europian dëshiron qëndrimin e Greqisë në zonën Euro me kusht që të respektojë çdo angazhim të marrë, por ndërkaq përgatitet të menaxhojë edhe pasojat në rast të daljes nga Eurozona. Është ky mesazhi që udhëheqësit europianë i kanë dërguar Athinës zyrtare nga samiti i BE që vuri gjithashtu në pah ndasitë mes vendeve në favor të eurobonove, të drejtuar nga Franca e Italia, dhe atyre kundër me Gjermaninë në krye.
Në deklaratën mbi Greqinë, të shpërndarë në përfundim të takimit, sikurse është shprehur edhe presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, thuhet: "I kemi dërguar Athinës një mesazh të qartë, duam të qëndrojë në zonën euro duke respektuar angazhimet e marra". Do t'i takojë qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 17 qershorit të zgjedhë nëse do të ndërmarrë masat e nevojshme për të qëndruar në zonën euro, thuhet më tej në deklaratë.
Sa i përket masave që duhen ndërmarrë për t'i dhënë shtysë rritjes ekonomike, samiti parashtroi disa pista për të ndjekur të tilla si rikapitalizimi i Bankës Europiane të Investimeve, projekt bond, përdorim më i mirë i fondeve strukturore, bilanci i BE për 2013. Për të gjitha këto do të diskutohet edhe në qershor kur për diskutim do të hidhet edhe e ashtuquajtura taksa Tobin.
Albanian Screen
Add new comment