AKEP: Ndryshim tarifash për celularët në shtator

Postuar në 08 Qershor, 2012 04:51

Prania e katër operatorëve celularë në treg ka bërë që tarifat të bien edhe gjatë muajve të parë të vitit 2012, me kompanitë që në emër të konkurrencës kanë shtuar veçanërisht paketat e ofertave për thirrjet brenda grupeve përkatëse. 

Ndërkohë që, tarifat pritet të pësojnë një tjetër ulje gjatë vjeshtës së këtij viti falë vendimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për të ndërhyrë në tregun me shumicë të terminimit. Ndërhyrje falë së cilës kompanitë do të paguajnë tarifa më të ulëta operacionale, gjë që u mundëson edhe çmime më të lira për përdoruesit fundorë. 

“Do të ulen tarifat e terminimit që paguajnë vetë operatorët, gjë që u jep mundësinë të ofrojnë çmime më të ulëta për klientët”, - shpjegon Altin Rrapaj, Drejtor i Drejtorisë së Rregullimit Ekonomik pranë AKEP. 

Rrapaj shpjegon se ulja e tarifave të terminimit që do të aplikohet në shtator është e dyta ndër tre ndërhyrjet e planifikuar nga AKEP. “Ulja e tretë do të bëhet në shtatorin e vitit 2013, ndërkohë që ndërhyrja e kësaj natyre e vitit 2011 u pasqyrua menjëherë në treg, duke qenë se operatorët shtuan menjëherë pas saj paketat e ofertave”, - vazhdon Rrapaj. 

Rënie çmimesh gjatë 2012-ës 
Në draft raportin e muajit maj të “Cullen International”, shoqëri e specializuar në tregun e komunikimeve elektronike, rezulton se tarifat e telefonisë lëvizëse janë ulur edhe më tej në Shqipëri gjatë muajve të deritanishëm të këtij viti. Ulja e tarifave vërehet në një seri prej shportave të çmimeve. Për shembull, për shportën e përdorimit të vogël, dominojnë përdoruesit me parapagim apo me kontrata me përdorim të ulët, jemi ndjeshëm nën nivelin e Bashkimit Evropian, ndërkohë që në kuadrin rajonal Shqipëria pozicionohet në nivel mesatar. Rrapaj shpjegon se për tarifat e komunikimit celular është e vështirë të flitet për çmime specifike, pasi tarifat përbëhen nga shumë komponentë. Një tregues që mund të japë ide reale për tarifat është ajo që njihet si e ardhura për një minutë telefonie celulare, e cila përllogarit të ardhurën që arkëton operatori dhe shumën që paguan përdoruesi. “Ky tregues përllogarit të ardhurat që merr një operator celular nga thirrjet telefonike, përfshirë pajtimet mujore e pagesat fikse, pjesëtuar me tërë trafikun telefonik të përdoruesve. Shqipëria rezulton pak nën mesataren e rajonit, dhe dy herë më pak se Bashkimi Evropian”, - shpjegon Rrapaj. Uljet më të dukshme janë në shportën e përdoruesve të vegjël, gjë që ndikohet në masë të konsiderueshme edhe nga mënyra si është strukturuar tregu shqiptar. Duke qenë se pjesa dërrmuese e përdoruesve janë të vegjël, edhe kompanitë i përqendrojnë pjesën më të madhe të ofertave pikërisht te kjo kategori. Ndërsa sqaron se tarifat e shportave janë reduktuar edhe për përdoruesit e mesëm e të mëdhenj, Rrapaj thotë se “ajo që ka ndikuar në këtë drejtim janë ofertat e paketave tarifore që aplikojnë operatorët të fokusuara në drejtim të thirrjeve brenda grupeve”. 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.