23 orë pa ujë në ditë. Etja than Kukësin

25 mijë banorët e qytetit të Kukësit po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në 23 orë të ditës. Shkak për këtë gjëndje është bërë rënia e prurjeve në burimet kryesore që furnizojnë konsumatorët si dhe shpërdorimet në zonat rurale, baret, lokalet e shërbimeve e lavazhet. Banorët shprehen se uji mbërrin deri në katin e dytë ndërsa në katet e sipërme nuk vjen asnjëherë. Bashkia paralajmëron ndjekje penale për shpërdoruesit e ujit duke kërkuar bashkëpunimin edhe të organeve të drejtësisë në identifikimin dhe ndëshkimin e rasteve.
"Ka shpërdorime sa Drejtoria e Ujësjellësit është mbeldhur në dy mbledhje urgjente. Kemi marrë masa që shumë shpejt të paktën lokalet që janë 130 në qytet, që nuk i drejtohen arkës, por që janë edhe shpërdorues të tejskajshëm të sasive të ujit të pijshëm do të kalojnë për ndjekje penale"- thotë kreu i bashkisë Hasan Halilaj.
Rreth tre vjet më parë me fonde të ministrisë së Transporteve nisën punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Kukësit, por prej dy vjetësh punimet janë ndërprerë duke lënë të gjitha rrugët e qytetit të hapura dhe po ashtu pa ujë konsumatorët e qytetit dhe të 14 fshatrave rreth tij.
Flutura Tota
Albanian Screen
Add new comment