KE u heq vizat edhe serbëve të Kosovës
Komisioni Evropian (KE) ka propozuar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Kjo do t’u njohë të drejtën për të udhëtuar pa viza shtetasve serbë që jetojnë në Kosovë dhe nuk duan të mbajnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet e saj.
KE i ka propozuar Parlamentit Evropian ndryshimin e Rregullores BE 2018/1806 për poseduesit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe, për t'i përjashtuar ata nga kërkesa për vizë kur kalojnë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian për qëndrim në një nga vendet anëtare sipas kushteve që përcakton Shengen-i.
Duke qenë se lëvizja pa viza për shtetasit e Kosovës hyn në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, Komisioni Evropian konsideron se nuk ka arsye për të përjashtuar nga kjo e drejtë ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Në prill të këtij viti, kur u njoftua vendimi i BE për heqjen e vizave për Kosovënn, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se problemi i serbëve të Kosovës që nuk dëshirojnë të mbajnë pasaportë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës do të zgjidhet brenda këtij viti.
Add new comment