Gjykata Europiane: Reforma polake në gjyqësor shkel ligjin europian
Gjykata Europiane ka vendosur se ndryshimet e reja në sistemin gjyqësor polak bien ndesh me ligjin europian dhe rrezikojnë pavarësinë e tij. Gjykata ka mbajtur anën e Komisionit Europian që vëren se reforma që u ndalon gjyqtarëve të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e emërimit të gjyqtarëve të tjerë shkel ligjin europian.
Nën ligjin europian vendeve anëtare u kërkohet të sigurohen që të parandalohet adoptimi i çdo ligji që minon pavarësinë e gjyqatrëve. Vendimi pritet të ndajë edhe më tej qeverinë polake me Brukselin. Zv.ministri polak i Drejtësisë, Sebastian Kaleta e quajti vendimin një farsë dhe vuri në diskutim faktin nëse Gjykata Europiane ka të drejtë të vendosë mbi çështje të tilla.
Ish-kryeministrja Beata Szydło, aktualisht një anëtare e PE-së e ka cilësuar vendimin një “tallje të ligjit europian dhe një shprehje të trajtimit të Polonisë si një shtet mbi të cilin elitat e Brukselit përpqien të testojnë vizionet e tyre antidemokratike”. Përballja e Polonisë me Gjykatën Europiane i ka kushtuar varshavës 557 milionë euro në gjoba.
Add new comment