Celulari i parë sovjetik, shpikja e 1957-s që nuk u bë kurrë realitet

Postuar në 30 Prill, 2023 11:31

Në vitet ’50, për disa vite me radhë, qytetarët e Bashkimit Sovjetik patën pritshmërinë se shumë shpejt do të mund të komunikonin me njëri-tjetrin, sado larg të ishin. Shpikja që pritej të bëhej realitet u përshkrua në atë kohë si një pajisje jashtë fantashkencës dhe shumë pranë realitetit. Por më pas, diçka shkoi keq.

Në vitin 1953, Leonid Kupriyanovich, inxhinier i ri sovjetik, i sapodiplomuar në 'Baumanka' - Universiteti Teknik Shtetëror i Moskës Bauman, i konsideruar si vatra e Moskës për inxhinierët dhe shpikësit sovjetikë - gjeti një punë. Ai nuk mund t'i tregonte as familjes se ku po punonte. Por, katër vjet më vonë, emri i tij bëri jehonë në të gjithë Bashkimin Sovjetik: ai kishte shpikur celularin e parë.

Kupriyanovich e prezantoi për herë të parë shpikjen e tij para publikut në vitin 1957. Modeli eksperimental i celularit të parë sovjetik, LK-1, vështirë se i ngjante asaj që ne e njohim sot si telefon celular. Ai peshonte 3 kg dhe dukej (si dhe peshonte) si një enciklopedi.

Bateria e pajisjes mund të mbante rreth 24 orë dhe mund të karikohej edhe nga një bateri makine. Celulari sovjetik kishte dy antena dhe telefonatat bëheshin pasi të formoje numrin, njësojsi në telefonat e vjetër fiks.

LK-1 nuk ishte telefoni i parë celular në botë. Nga viti 1946, kompania AT&T Bell Laboratories në SHBA kishte ofruar një shërbim për makina me qira, të cilat kishin telefon brenda. Shërbimi ishte i shtrenjtë dhe cilësia e lidhjes nuk ishte e mirë, por gjithsesi kjo ishte 11 vjet përpara se Kupriyanovich të prezantonte telefonin e tij.

Megjithatë, njerëzit në Bashkimin Sovjetik, të izoluar kur bëhej fjalë për aksesin në informacion, u habitën nga lajmi për LK-1. Artikujt në lidhje me të u botuan në revistat "Shkenca dhe Jeta" dhe "Pas timonit", lajmet për shpikjen u transmetuan nga agjencitë e lajmeve TASS dhe APN dhe më vonë iu kushtua edhe një dokumentar. Pamjet tregonin një demonstrim i LK-1 në Fermën Shtetërore Lenin dhe më pas një telefonatë hyrëse në një automjet në lëvizje dhe dy thirrje dalëse në fusha dhe në brigjet e një lumi.

Çfarë është? Një përrallë? Një kapitull i një romani fantastiko-shkencor? Asgjë e tillë. Është një telefon makine, të cilin mund ta përdorni për të folur me çdo abonent ndërsa jeni në lëvizje. Ai u projektua dhe u ndërtua nga inxhinieri i ri nga Moska, L. Kupriyanovich”, kështu e raportoi revista ‘Pas timonit’ në një artikull të titulluar ‘Me telefon nga makina’, në vitin 1957.

Vetëm një vit më vonë, Kupriyanovich kishte përsosur modelin e tij eksperimental, duke reduktuar peshën e tij nga 3 kg në vetëm 500 g. Dhe, në vitin 1961, pajisja, të cilën vetë inxhinieri e përshkruante si radiofon, peshonte rreth 70 g.

Sipas shtypit sovjetik, të cilit i referohet RBTH, pajisjet ishin gati për prodhim. “Për të siguruar komunikime radiofonike për një qytet si Moska, do të nevojiteshin vetëm 10 stacione radio telefonike automatike. Stacioni i parë radiofonik i tillë është planifikuar për rajonin e ri të kryeqytetit Mazilova", u raportua në lajmet e kohës.

Në realitet, gjërat rezultuan pak më të ndërlikuara.

Pse shpikja nuk hyri kurrë në prodhim?

Telefoni i parë celular sovjetik u quajt "radiofon", sepse bazohej në komunikimet radio.

Pajisja lidhej me një central telefonik lokal nëpërmjet një stacioni bazë të quajtur ATR (stacion automatik i radios telefonike). Përdoruesi i pajisjes mund të vendoste kontakt vetëm nëse ishte brenda 20-30 km nga një ATR. Lidhja u bë në valë me një transmetues dhe marrës me frekuencë fikse. Kjo do të thoshte se duhej një kanal individual radio për secilin radiotelefon. Edhe nëse frekuencat do të ishin marrë nga shërbimet civile (policia, ambulanca, zjarrfikësit) do të kishte mjaft kanale vetëm për një numër shumë të kufizuar abonentësh pasi valët e transmetimit ishin të kufizuara.

Me fjalë të tjera, "telefoni celular" i Kupriyanovich ishte i papërshtatshëm për komunikime masive. Nuk kishte ende infrastrukturë për të, përveç instalimeve eksperimentale. Elita e partisë, në ato vite, ishte e kënaqur me sistemin e komunikimit Altai të instaluar në automjetet zyrtare, kështu që shumë shpejt e harruan shpikjen e tij.

Por Kupriyanovich nuk e humbi frymëzimin dhe e zhvendosi fokusin në zhvillimin e pajisjeve mjekësore. Ai shpiku një instrument të quajtur "Rhytmoson" për kontrollin e orarit të gjumit dhe zgjimit dhe e përdori atë për të promovuar shëndetin e zyrtarëve sovjetikë për shumë kohë më pas.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.