Samit katërpalësh për Sirinë jashtë strukturës perëndimore të sigurisë

Postuar në 03 Prill, 2023 13:20

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavushoglu ka njoftuar se në datat 3-4 prill në Moskë mbahet një samit katërpalësh në nivel zv.ministrash të Jashtëm me temë situatën në Siri. Pjesëmarrës do të jenë përfaqësues nga Rusia, Turqia, Irani dhe Siria në vazhdën edhe të normalizimit të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Damaskut.

Cavushoglu ka sqaruar po ashtu se në takim do të flitet edhe për marrëveshjen e grurit nga Ukraina duke bërëtë qartë kështu se çështjet e sigurisë ndërkombëtare do të merren në shqyrtim nga fuqi që nuk aderojnë në strukturën perëndimore të sigurisë. Turqia në këtë kuadër përbën një përjashtim të dyanshëm; qoftë sepse si anëtare e NATO-s ruan lidhje dhe kontakte me një vend si Rusia, në konfrontim ushtarak me Perëndimin, qoftë edhe sepse në këtë cilësi ajo ndjek një politikë ndryshe nga partnerët e vet të Aleancës.

Diskutimi për Sirinë mandej, në dritën e paqartësive të krijuara për Rusinë në përballjen ushtarake në Ukrainë, konfirmon se në zonat e veta fqinje, Ankaraja nuk ka dëshirë të ketë vende të perëndimit me të cilat të trajtojë çështjen, një aspekt ky që nuk ka të bëjë thjesht me pavarësinë e Turqisë në politikë, por edhe me zgjedhjen e saj. Në fund të fundit, Turqia e sotme, sado doktrinare të shfaqet në politikën e jashtme kur e formulon atë me terma pompozë si rishkikim i traktateve, atdheu blu, apo neotomanizmi, vepron në mënyrë pragmatiste dhe sa më praktike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.