Kundër dominimit anglo-sakson

Në një intervistë për mediat ruse, Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikollai Patrushev, ka bërë disa vlerësime për situatën aktuale në botë, që ilustrojnë një ndarje të thellë dhe reale që nuk lidhet më thjesht me ekonominë, por edhe më psikologjinë e organizimit.
Anglo-saksonët janë të fiksuar me idenë e bindjes së komunitetit botëror se institucione të tilla si SCO, BRICS, ASEAN e kanë mbyllur ciklin dhe se bota duhet të jetojë sipas rregullave të tyre të shpikura…Vendet perëndimore nuk po e shohin se ato gradualisht po mbeten në pakicë për shkak se bota është lodhur tashmë nga strategjia e forcës dhe kërcënimeve që ata përdorin
është shprehur Patrushev.
Ky nuk është rasti i parë që zyrtarë rusë flasin me apelativ përgjithësues racor për politikën perëndimore duke vendosur në vijë të parë diskutimit ndërkombëtar krizën e përfaqësimit në insititucione që tanimë i atribuohen vetëm një mjedisi gjeopolitik.
Qëndrimi i Patrushev është në thelb një kërkesë e Kremlinit për të rishikuar rendin ndërkombëtar që aktualisht është formalisht peng i vendimmarrjes së një shumice që në sytë e një pjese të botës nuk përfaqëson shumicën numerike të njerëzimit.
Me termin “anglo-sakson” lidhet një pakicë demografike që ka imponuar përhapjen e një ideologjie që është shndërruar në instrument kontrolli, shfrytëzimi dhe sundimi mbi burimet kryesore të botës. Në këtë kuadër, subversioni që po vihet në veprim së fundmi lidhet me një lloj emfatizimi të asaj që përndryshe në konspiracion do të quhej “elita” e botës, ndonëse duhet thënë se fakti i dominimit përgjithësisht hyn në relacion me inovacionin e shoqërive.
Megjithatë bota e pas Luftës së Ftohtë i jep të drejtë Rusisë në një aspekt: në ritmet aktuale demografike në rajone të ndryshme, asnjë fuqi nuk mund të dominojë e vetme. Puna është sesi do të arrihet konsensusi i ri për institucione përfaqësuese nëse nuk ka consensus praktik për disa vlera dhe parime.
Akuza për luftë, subversion dhe luftënxitje aplikohet njësoj te të gjitha fuqitë, pavarësisht se cilat janë motivet, ndërkohë që sot organizata më e armatosur në botë disponohet në Perëndim, diçka që në themel jep argument qendror për organizime të ngjashme në rajone të tjera të botës. Dhe kjo është një garë e cila herët apo vonë do çojë në një përplasje që ndërthuret tashmë edhe me një lloj urrejtjeje që evokon probleme të thella edhe të historisë.
Add new comment