Eva dhe Madalena, dyshja që mori PE-në

Politika është një biznes familjar për Kailët.
Kështu nis sot një shkrim në “Politico” që trajton skandalin QatarGate. Eva Kaili, numri dy i Parlamentit Europian duket se ka ecur në politikë jo përmes fatit dhe katapultimit, por përmes një pune metodike që sipas gazetës në fjalë implikon edhe të motrën, Madalena. Made Group ishte një organizatë e krijuar nga kjo e fundit paralel me karrierën politike të Evës, me fokus sektorin e teknologjisë dhe shkencës.
Gazeta zbardh ecurinë e vendimeve të marra në vite për akordim fondesh nga BE, afrim personash, krijim stafi etj, të gjitha të lidhura në një marrëdhënie të pashkëputur të vendimmarrjes së strukturave europiane me lobimin e Eva Kailin për organizatën e të motrës. Në vitin 2018, në PE u miratua një rezolutë për teknologjinë blockchain nga e cila lindi Qendra për Inteligjencën Artificiale, pak kohë pasi Madalena kishet krijuaj ELONtech, iniciativë që merrej dhe lobonte për çështje të tilla.
Organizata që duket se ka përfituar fonde dhe ka patur njerëzit e vet në stafin dhe kabinetin e Eva Kailit, nuk rezulton më në regjistrin e BE-së për organizatat lobuese, një tjetër e dhënë kjo se strukturat e Brukselit kanë funksionuar jashtë çdo kontrolli efektiv.
Organizatat, pra Made Group dhe ELONtech nuk kanë bërë publike llogaritë dhe madje kanë fshirë edhe emrat e stafit nga faqja online(kjo e dyta). Zbardhja e një marrëdhënieje të tillë deri më tani mbetet hipotetike, pse në fakt kalimi i fondeve mund të justifikohet në aspektin ligjor dhe procedurial, por skandali që ka shpërthyer ka vënë në lëvizje çdo qelizë dyshimi. “Politico” shtron p.sh problemin serioz të aksesit që ka patur Eva Kaili, hyrë në PE në vitin 2014, me profesion inxiniere, në fondin e zhvillimit të BE-së, Horizon 2020, që arrin në 80 miliardë euro. Dhe Made Group e së motrës ka marrë pjesë disa herë në projekte të financuara nga programi, një tjetër e dhënë që mund të çojë në hetime edhe të motrën, e cila ka shprehur gatishmërinë të flasë për këtë çështje.
Nëse e sheh nga një aspekt praktik, vrima e madhe e korrupsionit në PE ilustron edhe depërtimin dhe aksesin e fituar nga vende të treta në përpilim raportesh dhe në marrjen e mbështetjes politike që vjen në kundërshtim me standardet e predikuara. Për rrjedhojë institucionet e BE-së kanë marrë një goditje të fortë në besueshmërinë e tyre teksa janë ekspozuar ndaj një problemi për të cilin i bëjnë moral mbarë botës.
Add new comment