Solidaritet me Hashim Thaçin, por asnjëherë me Drejtësinë
Hashim Thaçi ka dhënë sot dorëheqjen nga detyra e Presidentit të Kosovës duke i dhënë fund i detyruar pengmarrjes së një vendi të tërë. Atij i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale bashkë me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, aktakuzë e cila duhet të provojë kryerjen e krimeve prej tyre. Shumëkush mund të mendojë se kemi të bëjmë me një spastrim të skenës politike të Kosovës. Ndoshta, por nëse kjo bëhet në emër të zbardhjes së fakteve dhe dhënies së drejtësisë, duhet përshëndetur. Thaçi dhe i gjithë klani i tij që ka kapur për fyti Kosovën, nuk janë modeli që duhet vlerësuar në qeverisjen e një vendi. Ata janë modeli tipik i mercenarit që spekullon me lirinë që i japin të tjerët.
Sesa e sëmurë është e gjithë shoqëria shqiptare, se sa të rreme dhe të dëmshme janë vlerat ku ajo beson, këtë e provon reagimi i klasës politike shqiptare.
Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare!
Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj
deklaron kryeministri Edi Rama.
Në fakt Hashim Thaçi ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e politikës së Shqipërisë që është po aq kriminale, po aq e korruptuar sa ajo e Kosovës. Edi Rama nuk është Shqipëria dhe kjo është e qartë, sado talent të ketë dikush për të thënë të pavërteta.
Le të vëmë re se askush prej këtyre të ashtuquajturve shtetarë, që betohen e stërbetohen për reforma dhe Europën, nuk ka shprehur në asnjë rast solidaritet dhe mbështetje për procesin që do të mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve. Askush prej këtyre nuk e ka për zemër drejtësinë që vjen në formën e ndalimit dhe arrestimit, për arsye morale dhe etike që lidhen me ne të tërë si shoqëri, por edhe personale. Sepse siç e dimë byzylykët në duart e tyre ka kohë që rrotullohen e nuk po mbyllen ende.
Add new comment