Fjala e lirë si simptomë e heronjve të përhershëm të medias

Postuar në 14 Dhjetor, 2019 20:31

Në vitet ’90 Sali Berisha u akuzua si armik i shtypit të lirë. Disa akte të pushtetit të tij – që sot në fakt është mirë të shihen në një dritë strikt juridike – i dhanë shkas një dukurie që mund të quhet inflacion i heronjve të gazetarisë. Mjafton që ndonjë zdap avdall i SHIK-ut të qëllonte dikë që kishte bërë një shkrim kundër pushtetit dhe sapo kishte lindur një hero. 

Këtë dukuri e vuan sot mbarë vendi teksa sheh që disa prej këtyre heronjve nuk shqiten nga ekrani, dështuan kudo dhe janë pasuruar. 

Edi Rama, për budallallëkun e vet po bën të njëjtën gjë. Po bën një ligj që mund të shmangej duke riaktualizuar shoqata të ndryshme gazetarësh. Disa prej këtyre shoqatave kanë që në vitet ’90, disa kanë në krye të njëjtët njerëz që dalin e flasin për censurë – profesionalisht kuptohet – dhe që nuk dihet sa fonde qarkullojnë dhe nëse mund të quhen ende gazetarë. 

Pyetja se çfarë bëjnë realisht këto shoqata është thelbësore. Sindikalizmi i tyre nuk përputhet me asgjë të bërë në terren, shtojca të një partie apo tjetre, ato shfaqen sot si firmëtare duke përsëritur ato që kanë vite që thonë. Duke bërë gardianin dhe megafonin sepse kryeministri vuan nga lloj lloj kompleksesh. 

Dakord patjetër me nevojën që projektligji të mos kalojë, por si të shkosh e të dëgjosh iksin e ypsilonin në takime e tryeza që kanë dëshmuar se janë në fakt burokratët e të ashtuquajtur gazetari, matrapazë të çdo mexhlisi? 

Para disa kohësh disa media online firmosën një si tip deklarate që të mos merrnin materiale pa citim. Të gjithë menduam se hymë në Europë, se kapanonin i fjalës së lirë u shndërrua në marangozinë e fjalës së gdhendur. Gjendja sot? Qymezi mediatik po ai që ka qenë. Shyqyr që ka qeveritarë si Edi Rama që provokon heronj pa kuptuar. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje re e madhe e zeze po duket ne horizont. Eshte paketa e re ligjore antishpifje, e cila do i mbylle gojen cilitdo qytetari. Mirpo dhe keta do te gjejne metoda te reja per t'mos e mbyllur gojen, keshtu edhe kjo e re e zeze do te sjelle vetem nje furtune me shi dhe asgje me shume!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.