Tani e shqetëson amerikanizma e ambasadorit amerikan

Postuar në 13 Dhjetor, 2019 13:26

Baton Haxhiu është shumë i shqetësuar. Atë e shqetëson naiviteti i ambasadorit amerikan në Kosovë Kosnett, që sipas tij në intervistën e fundit për gazetën “Express” ka lëshuar lëvdata të pabazuara për kryeministrin e ri të vendit. Pas tjerrjes verbale të qëndrimeve të ambasadorit, Haxhiu përfundon:

Problemi nuk mund të jetë tek vullneti dhe gatishmëria e Ambasadorit Kosnett për të bashkëpunuar me njeriun më të votuar në Kosovë, por te tentimi i pabazuar për ta na e prezantuar një “Albin Kurti të ri, që ka ndryshuar shpejt”.

Kjo formë e lëvdatave me bollëk, ende pa u krijuar qeveria dhe me shumë paralajmërime që janë në kundërshtim me planifikimet amerikane, nxit dyshime për qëllimet e fundme. Një lider politik i përmasave të Albin Kurtit nuk ndryshon shpejt. Këtë do ta kuptojë edhe Ambasadori Kosnett. Nëse vërtet ende nuk e ka kuptuar

Pse e shqetëson analistin e afërt me Presidentin Hashim Thaçi një portretizim i këtillë nga ambasada amerikane? Është një gjë e tillë interes publik? Në një masë të madhe jo dhe përpara sesa dikush – në të drejtën e tij kuptohet – të analizojë qëndrimet e një ambasadori, do të duhet të ndriçonte opinionin për mundësitë reale që një njeri si Kurti ka për të përmbushur premtimet. Drejtësia dhe Punësimi, këto janë shpallur prioritete prej tij. Është thjeshtim i një objektivi shumë kompleks, por që në shpalljen si të tilla meritojnë të analizohen.

Komenti i Haxhiut, një njeri i afërt me Thaçin dhe një thuajse vullnetar për të pikturuar me opinione edhe budallallëqet mediatike të Edi Ramës, të cilit i ka dedikuar edhe shkrime me qasje psikologjike për atletet e bardha samiteve, e ngarkon debatin politik me nevoja të paqena. Ose më saktë me narrativa të halleve të një poli pushteti që është aktualisht i izoluar. Është një lloj kundërsulmi politik ndaj një ambasadori që deri më dje citohej e stërcitohej kur flitej për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve.

Ambasadori ka thënë që SHBA nuk ka mbështetur në mënyrë aktive ndarjen, çka e lë Thaçin dhe zëdhënësin e tij de facto, Haxhiu në zallin e një skandali, pa oksigjen fare. Ndaj shkrime si këto janë asgjë më shumë se përpëlitja e atyre që deri më dje vringëllinin shpatën e templarit të Kosovës me stemën amerikane në gjoks, kurse sot shohin se janë lënë mënjanë me faturën e një budallallëku të rrezikshëm.

Një njeri që reflekton, apo që këshillohet me filozofë si Gent Cakaj, do të duhej ta kishte parë marifetin e Kosnett si një mundësi për t’u prezantuar nga afër me miqësinë e Amerikës në vend se sot të bëjë sëmbime si këto që i ngjajnë sherrit në një martesë të palumtur.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nwse keshillohet mbyllja e gojes se Batonit per nje kritike te tij ndaj nje simpatie te ambasadorit amerikan per kryeministrin e ri te Kosoves, me argumentin se miqesia me Ameriken eshte minuar ne kete rast, ky jo vetem eshte nje kulm budadalleku, por edhe nje stanilizem pur!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.