Tri Shqipëritë e 16 shkurtit
Në Tiranë ka nisur protesta e opozitës e cila ende nuk ka zbuluar drejtimet e saj. Gjëja më e dukshme e saj është prezenca e shtuar skajshmërisht e forcave policore dhe mjeteve të blinduara. Protesta në vetvete është padyshim ngjarja kryesore e ditës së sotme, ndërkohë që kryeministri është në Vlorë për të mbajtur monologun e zakonshëm që nuk thotë gjë dhe as provokon më as për përmbajtjen e vet retorike.
Në Vlorë është mbledhur simbolikisht Shqipëria qeveritare, Shqipëria që i ecin punët mbroth, që ka shtuar e mbarështuar shtëpi e katandi, laçkë e plaçkë, luks dhe dukje. E që siç e sjell puna është Shqipëria që ia lejon vetes të qeshë, apo të zgërdhihet, ashtu e nginjur dhe thinjur duke paragjykuar malokët, fshatarët, pabuksat, zhulsat dhe çeçenët. Kjo Shqipëri ka dekada tanimë që mban vetëm këto sy për shpirtin e vet kriminal.
Media po ashtu pasqyron qasjet e veta më shumë sesa realitetin, me analistë dhe gazetarë që bëjnë llogari për sipërfaqet, autobuzët e që flasin për mandatin e tretë të një njeriu që e çoi vendin në pikën më të ulët të dëshpërimit.
Është edhe një Shqipëri tjetër, ajo indiferentja që sorrollatet me të përditshmen e vet, në kafene, byrektore dhe pastiçeri, në ecje të kota në diellin e shkurtit duke dëgjuar vetëm veten dhe asgjë më shumë. Për këtë pakkush shkruan dhe kujtohet ndonëse në fakt është ajo që po përcakton limbon e një vendi të tërë që as nuk bën dot përpara dhe as mbrapa. Është kjo Shqipëria e status quosë së përjetshme, e asaj skenografie perfekte ku mandej gjallojnë politikanët e batutave, mendësitë e punëve që bëhen vetë, e mbijetesës si kusht i vetëm mendor.
Tri Shqipëri në një ditë të vetme që përshkruajnë njëra-tjetrën duke e luftuar me mënyrën e vet. Ne e dimë përfundimin. Shqipëria e kafenesë dhe kotësisë është më strategjikja, ndaj edhe ka për të triumfuar patjetër.
s.z
Add new comment