Ministrat për Europën jashtë realitetit

Qeveria e Shkupit shënoi një prej arritjeve më të mëdha politike duke firmosur në Bruksel protokollin e përbashkët të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Një garanci më shumë për Perëndimin në lojën e influencave për të dominuar rajonin, ku Rusia ka ushtruar presion jo të vogël si në rastin e Maqedonisë ashtu dhe të Malit të Zi.
Firmosja u shoqërua me entuziazëm nga krerët e NATO-s dhe BE-së që kurorëzuan një tjetër fitore përballë kërcënimit rus. "Jam vërtet i impresionuar nga guximi dhe angazhimi i dy qeverive, nga Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev. Këta janë liderët që bënë dhe shkruan historinë"-tha kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg.
I vetmi që nuk e ka përshëndetur këtë zhvillim është Ministri i dekretuar për Europën dhe Punët e Jashtme, Edi Rama, i cili e ka ndalur vrapin në Riad të Arabisë Saudite. Mëkëmbësi i tij Genti Cakaj po ashtu nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë temë që prek jo vetëm interesat e faktorit shqiptar në Maqedoni por edhe të popullsisë shqiptare në rajon. Ministria e Jashtme është mjaftuar me një postim asnjanës pa shprehur asnjë vlerësim për rolin e faktorit shqiptar.
Diçka që nuk ka harruar ta bëjë ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati;
"Përgëzime të gjithë atyre që punuan për të bërë të mundur këtë arritje historike, veçanërisht faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që vijimësisht ka punuar për ankorimin në rrjedhat euro-atlantike. Shqipëria mbështet gjithnjë një Maqedoni multietnike, demokratike, të kyçur në #NATO dhe #BE"-shkruan Bushati.
Qëndrimi se Shqipëria mbështet gjithmonë një Maqedoni multietnike nuk i shkon për shtat një tjetër zhvillimi që zoti Rama e promovon bashkë me Hashim Thaçin, ndryshimin e kufijve të Kosovës. A është kjo arsyeja që zoti Rama nuk e përshëndeti firmosjen në Bruksel të Protokollit për pranimin e Maqedonisë në NATO apo gjithçka është pasojë e papjekurisë politike të dualizmit që katarakterizon sot Ministrinë e Jashtme, në të dyja rastet Shqipëria ekspozon mungesën e seriozitetit dhe një dinamikë që udhëhiqet nga axhenda personale.
Add new comment