Vettingu fshin Gjykatën Kushtetuese. Bie edhe kryetari Bashkim Dedja

Kolegji i Posaçëm i Apelit ka shkarkuar sot nga detyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Trupa e përbërë nga Ardian Hajdari, Luan Daçi, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arritën në përfundimin Bashkim Dedja nuk justifikon pasurinë dhe nuk ka nivelin e besueshëm për të vijuar detyrën.
Çështja erdhi në Kolegj pas ankesës së Komisionerit Publik pasi Dedja kishte kaluar provën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Dedja nuk arriti të justifikonte dy apartamente, njërin në Tiranë dhe tjetri në Golem. Me Dedjan Kushtetuesja kalon thuajse në inekzistencë, pasi nga trupa e anëtarëve të saj kaloi vettingun vetëm Vitore Tusha, ndërsa të tjerët u shkarkuan dhe u dorëhoqën. Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari dhe Bashkim Dedja janë shkarkuar nga detyra nga Vettingu, ndërkohë që Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga detyra.
Paradoksi i madh është se Kushtetuesja ishte konsideruar si trupa më e besueshme e drejtësisë shqiptare dhe në përgjithësi ka justifikuar me vendimet e veta perceptimin, ndonëse dritat e vëmendjen kanë rënë mbi të për çështje të karakterit politik. Shkërmoqja e gjykatës më të lartë në vend për shkaqe si pasuria e pajustifikuar është në thelb dëshmia e një kalbëzimi të cilin nuk ka operacion ta kurojë.
Add new comment