Veliaj një nga "tre heronjtë kundër krimit"? Një shaka që dëmton edhe vetë qeverinë

Qeveria ka dhënë së fundmi shenja se po do të bëjë diçka kundër krimit. Ajo ka arrestuar disa njerëz të afërt me të. Ndonëse mbetet ende për t’u parë fundi i kësaj që ka nisur, në çdo rast, kostot dhe përfitimet, apo edhe fatura i shkon qeverisë. Kryeministrit Edi Rama së pari dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Ajo që të çudit është instrumentalizimi me sens servilizmi i kësaj që po ndodh. Në këtë ekuacion të veprimit kundër krimit befas, dikush ka përfshirë si kryehero edhe kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj, i cili ditë më parë hoqi një objekt që vetë e cilësonte si pronë e një të forti.
Përtej këtij tuiter-lajmi, z. Veliaj nuk ka asnjë rol në këtë që po ndodh. Ai është vendosur aty si puna e atij kolopuçit që do qethet kare dhe e ulin në karrigen e berberit. I vënë një stol që t’i rrijë pak bytha lart e të arrijë pasqyrën ku mund të shihet vetë e ku edhe berberi të punojë rehat.
Mundet të kemi të bëjmë me një miopi të pashërueshme, por edhe si e tillë fjala që lëshohet nga analiza të tilla të “verbërish” që kërkojnë udhën duke u mbajtur te bastuni i Lali Erit, kanë përgjegjësi.
Z. Veliaj ndoshta është duke kërkuar që të kapërcejë ylberin, ai po do të dallojë nga bojaxhiu i përditshëm i fasadave dhe vizave të bardha për t’i ngjarë sadopak një Rudi Xhuliani që dallohet edhe në luftën kundër krimit. Ka gjetur mesa duket shkrues dhe propozues të zellshëm. Vetëm se kjo lloj llangosjeje gazetareske vetëm sa ridikulizon edhe përpjekjen e fundit të qeverisë së cilës shumëkush nuk po do t’i besojë se është reale dhe se nuk fsheh diçka tjetër. Kjo përpjekje për faktorizim prej dikujt dhe përmes dikujt tjetër që shkruan qesim si thotë një fjalë, është e pavend. Lufta ndaj krimit ose është objektiv real, ose ky lloj instrumentalizimi vetëm sa zbulon se ndoshta po kemi të bëjmë me larje hesapesh brenda Rilindjes.
Add new comment