Hapet loja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë
Janë shtuar shumë zërat për konfrontime dhe lëvizje kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës. M,ediat në Kosovë dhe në Serbi flasin për autonomi të Veriut të Kosovës, ndërkohë që në politikën kosovare po qarkullon teza e trajtimit zyrtar të çështjes së luginës së Preshevës. Kryeministri Kosovar, Ramush Haradinaj ka mbledhur Këshillin e Sigurisë, pas të cilës ka deklaruar se “jemi në gjendje gatishmërie”.
Nëse dikush del nga ligjet e Kosovës dhe marrëveshja, ligji do të veprojë, nuk ka dilema, do të marrë përgjigjen e vet. Sa i përket Veriut, ne çdo herë kemi mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës tek ne dhe po pritet mirë në çdo pjesë të Kosovës, e kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe ligjit, do të marrë përgjigje nga ligji ynë. Jemi në gjendje gatishmërie nëse ka prishje të rendit dhe ligjit
ka përfunduar Haradinaj.
Mediat serbe flasin edhe për shtim të trupave të KFOR në Veri, diçka që nuk konfirmohet zyrtarisht.
Por në këtë situatë që po zien me shpejtësi, një gjë është e qartë: lojtari kryesor në Kosovë i kësaj që po ndodh është presidenti Hashim Thaçi. Personi i cili hodhji për herë të parë idenë e korrigjimit të kufijve dhe përfshirjes në axhendën e dialogut me Serbinë të çështjes së Preshevës.
Kosova duhet të jetë e gatshme për demarkimin me Serbinë, pra do të jetë 400 km për korrigjim mes Kosovës dhe Serbisë, pres mbështetje edhe nga NATO në këtë drejtim, duhet të jemi të qartë për kërkesën e përfaqësueseve të Luginës se Preshevës për bashkim, përgjigjja jonë duhet të jetë e qartë dhe nuk duhet të injorohet një mundësi e papërsëritshme duhet ti themi PO kësaj kërkese racionale, kjo mundësi vjen vetëm një herë dhe nuk duhet të humbet sepse më vonë do të derdhim lot krokodili, deri në fund do të bëjë përpjekje që vullneti i tyre të realizohet
tha Thaçi sot në një konferencë për shtyp.
Kjo është në fakt parakusht për shkëmbim territoresh dhe po ndodh me gjasë ose si kërkesë e ndërkombëtarëve, por në asnjë rast si kosto e presidentit Kosovar që po luan kështu një lojë të madhe në rajon. Këshillin e Sigurisë pritet ta mbledhë neësër edhe presidenti serb, Vuçiç, i cili është personi që ka bërë të ditur se do të kërkojë një zgjidhje kompromisi me shqiptarët për Kosovën.
Aspekti anësor i kësaj që po ndodh është dalja jashtë loje e Shqipërisë, një vend, kryeministri i të cilës pretendonte pak muaj më parë të kishte një rol në këtë histori. Kjo nuk po ndodh dhe në fakt pazari mes Prishtinës dhe Serbisë është i ndërmjetësuar gjetkë, edhe pse nuk është ende e qartë nëse korrigjimi I kufijve çon në përfitime pushteti për Thaçin dhe Vuçiçin, apo është një ofertë e detyruar nga palë të treta.
Add new comment