Bashkësia Islame e Kosovës: Kemi marrë masa për thirrjen në xhami për Lavdrim Muhaxherin
Bashkësia Islame e Kosovës, konkretisht Këshilli I Bashkësisë në Kaçanik, njoftoi me një lajmërim nga xhamia vdekjen e Lavdrim Muhaxherit, ish-luftëtar i njohur i Shtetit Islamik. Kjo sjellje ka krijuar një lloj diskutimi pas BIK është distancuar nga ISIS, ndërkohë që përfaqësues të saj janë justifikuar sot përmes një prononcimi për Radio Evropa e Lirë.
Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në rastin e lajmërimit të vdekjes së Lavdrim Muhxherit nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame ka qenë një rast unik i pa ndodhur më parë.
“Në rastin e Lavdrim Muhaxherit ka qenë një rast unik. Nuk kemi pasur raste të tilla më herët dhe njoftimi për të është bërë si i përgjithshëm. Është bërë një lëshim në këtë rast që besoj se në të ardhmen do ta rregullojmë. Nuk besoj që në të ardhmen në raste të tilla të bëhet një njoftim i tillë, do ta rregullojmë edhe këtë çështje. Nuk do të përsëriten rastet e tilla”, ka thënë zëdhënësi Ahmed Sadriu.
Ai është shprehur se është traditë e besimtarëve të besimit islam që rastet e vdekjes t’i lajmërojnë në xhami, në këtë rast në Këshillin e Bashkësisë Islame.
“Zakonisht në xhami shkojnë tek imami dhe është traditë që kërkohet të njoftohet xhemati nëpërmes një thirrje që quhet sallë apo ‘temxhid’, që i njofton të gjithë qytetarët që ka një rast vdekje dhe për të marrë pjesë në varrim. Kjo është traditë e kahershme”, thotë Sadriu.
Sipas tij Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë masa ndaj kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj, i cili kishte shfrytëzuar xhaminë e qytetit për të njoftuar qytetarët për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit.
REL shton se në një prononcim të mëhershëm Neziraj është shprehur se për rastin dhe veprimet e tij kishte biseduar edhe me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava.
"Normalisht, Myftiut nuk i ka ardhur mirë, por ne e bëjmë këtë për të gjithë qytetarët dhe nuk kam llogaritur se u bë keq diçka. Këtu ka qenë në pyetje familja, e jo Lavdrimi. Absolutisht, unë i kam bërë një shërbim familjes. Pra, unë i kam bërë një shërbim familjes dhe nuk e ndjej si një gabim. Nuk jam penduar për këtë punë", pati thënë Neziraj.
Lavdrim Muhaxheri, qytetar nga Kaçaniku i Kosovës thuhet të ishte vrarë gjatë një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara në Siri, në natën ndërmjet 7 dhe 8 qershorit.
Add new comment