Bushati mohon të ketë projekt për Shqipërinë e Madhe
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati hedh poshtë zërat se faktori shqiptar në Ballkan po ecën sipas një axhende që nënkupton Shqipërinë e Madhe. Në një intervistë për të përditshmen kosovare “Koha Ditore”, Bushati e mbështet qëndrimin e tij në argumentin se shqiptarët janë në pjesën dërrmuese properëndimorë dhe se çdo aspiratë e tyre lidhet me Bashkimin Europian.
“Të gjitha anektimet serioze tregojnë se shqiptarët, pa përjashtim, pavarësisht se ku jetojnë janë më properëndimorët në rajon. Prandaj, obsesioni për të parë dhe stisur spektrin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe edhe atëherë kur në fakt shprehet angazhimi ynë i pashmangshëm e i pakthyeshëm në projektin madhor evropian që garanton paqe, begati dhe stabilitet të qendrueshëm për rajonin tonë, është jo serioz dhe meriton shpërfillje. Gjithkush që ka lexuar sado pak për Shqipërinë, qe e ka vizituar atë, e di fare mirë se në Shqipëri nuk ka as ide e as projekt, për më pak ndonjë agjendë të fshehtë për ndryshim kufinjsh në Ballkan”- thekson Bushati. Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të jetë një spirancë qendrueshmërie në rajon dhe kontribues i përhershëm për paqe e bashkëpunimin.
Ministri i Jashtëm shqiptar shpjegon edhe pozicionin që qeveria shqiptare ka në raport me Rusinë, duke folur për një përpjekje të Moskës për të destabilizuar rajonin nisur nga zhvillimet e fundit në Malin e Zi. “Ne mendojmë se Rusia nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi alternativë e besueshme për askend në rajon. Ne nuk besojmë se ndokush në rajon është aq naiv sa të joshet nga e ashtuquajtura ofertë ruse përkundrejt asaj që ofron procesi euroatlantik. Në çdo rrethanë, kjo nuk ështe e nuk do të jetë ndonjëherë zgjedhja jonë”-shtoi ministri i Jashtëm.
Add new comment