Fake news/Netanyahu ekranizon pretencën e vet ndaj disa mediave kryesore
Sulmi ndaj mediave është tanimë e drejtë e fituar nga politikanë të ndryshëm që e ndërtojnë kundërrealitetin e tyre mbi premisat e akuzës se nuk kemi të bëjmë me me “lajme”, por me “lajme të rreme”. Donald Trump është i mirënjohur në këtë drejtim, ndonëse ai është një “rul” në këtë drejtim meqenëse në botën e qytetëruar është paraprirë nga kryeministri aktual i Shqipërisë që ka marrë përsipër të bëjë kallajnxhiun e kazanit të medias, me një…media të vet. Dyshja pararojë plotësohet së fundmi nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili në një dalje të posaçme për mediat, ka akuzuar CNN, The Guardian, Al Jazeera dhe New York Times si përhapëse të lajmeve të rreme.
Ndoshta me të drejtë Netanyahu ka cilësuar në daljen e vet se leximi që këto media i bënë një dokumenti të organzatës islamike palestineze, “Hamas”, sipas të cilave “ajo pranon shtetin e Izraelit”, është “një deformim i së vërtetës”.
Netanyahu e nis konferencën me pyetjen: E dini se çfarë është një lajm fals?
Për të vijuar më pas me komentin mbi raportimin e keq të bërë duke nënvizuar se në dokument “Hamas cilëson se Izraeli nuk ka të drejtë të ekzistojë”. Kryeministri me gjasë ka të drejtë në këtë shqetësim të ngritur, pasi këto media luajtën keq edhe gjatë zgjedhjeve amerikane, por nuk mund të mos lexohet në këtë hakmarrje të vogël të tij edhe dëshira për të shfryrë ndaj disa mediave që kanë më shumë se dy vjet që e akuzojnë pa ndalim. Po kështu duket se Telavivi zyrtar lexon një ndryshim qasjeje ndaj tij në disa mjedise me ndikim në Perëndim, ku bëjnë pjesë edhe disa media kryesore.
Add new comment