Korrupsioni në gjyqësor, ose gjyqtarët hajdutë, kërkesë e panegociueshme nga BE
Bashkimi Europian po shprehet shumë qartë së fundmi për situatën e korrupsionit në Shqipëri. Sidomos në gjyqësorin shqiptar. Fjalët e hapura, akuzat direkte, vijnë nga ambasadorja e BE-së në Tiranë si konstatime, njësoj siç flitet nga shumëkush në Shqipëri. E ndërkohë që edhe vetë kryeministri e quan gjyqësorin një korporatë, apo më keq, askush nuk i kërkon atij, apo ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, të provojnë atë që thonë. Gjithsesi deklaratat e Vlahutin duhen marrë si adresime direkte të BE-së që e ftojnë politikën të veprojë:
“Kjo reformë nuk është e negociueshme nëse Shqipëria dëshiron të bëhet një ditë anëtare e BE. Është pak e pashpjegueshme kur në një vend të vogël e të varfër, dhe ku paga më e madhe e një gjyqtari është 1500 euro, disa kanë akumuluar miliona euro. Pse ndodh kjo? Ndoshta shumë prej tyre janë martuar me partnerë shumë të pasur apo për shkak të faktit që vijnë nga familje të pasura. Si është e mundur që 150 referime kriminale për pasuri të pashpjegueshme gjatë vitit të fundit kanë përfunduar në 4- 5 ndjekje penale?! A është ky një sistem që mendohet se do t’i mbrojë qytetarët nga korrupsioni apo është sistem për të mbrojtur personat e korruptuar nga përballja me ligjin?! Duhet të ketë qartësi. Nëse unë do të isha një prej atyre gjyqtarëve që mendojnë se milionat e tyre vijnë prej partnerëve me të cilët janë martuar dhe që ato janë shumë të pasur, unë vetë do të isha mbështetësi kryesor i kësaj reforme. Do të doja që pasuria ime të kontrollohej deri në detaj dhe të tregoja se jam i pastër. Ky proces duhet të qartësojë se kush janë ata gjyqtarë e prokurorë që meritojnë respektin dhe mbështetjen sepse punojnë me dinjitet dhe kush janë ata që mendojnë se janë mbi të gjitha ligjet morale dhe ligjor”, tha Vlahutin.
Add new comment