Akuza në komisionin parlamentar: Të burgosurit, 100 euro rryshfet për një ditë leje
Në Komisionin kuvendor të Sigurisë Kombëtare, deputeti demokrat (ish socialist) Asllan Dogjani ka akuzuar drejtorin e Burgjeve, Artur Zoto se në institucionin që ai drejton korrupsioni është masiv aq sa për një ditë leje të veçantë duhen paguar 100 euro. Gjatë diskutimit të projektligjit për burgjet e hapura, Dogjani renditi tek rastet e korrupsionit edhe shërbimin e spitalit të burgjeve. "Mos është një mundësi për rritjen e korrupsionit? Sot një ditë leje është 100 euro/dita, për një vizitë po ashtu. Korrupsioni është shumë i madh. Do doja shumë të më kishe thënë të vërteta. Sot përsëri korrupsioni në burgje është shumë i lartë... Edhe për në spital duhen paguar para", tha Dogjani. Zoto reagoi se tashmë janë forcuar kriteret dhe u ul korrupsioni, ndërkohë që lejet janë të monitoruara.
Akuza konkrete për shuma të caktuara parash për një ditë leje janë bërë edhe më parë për institucionet e burgjeve. Por duket se gjithçka mbetet në retorikë, pasi askush nuk i denoncon rastet konkrete në prokurori.
Add new comment