Këshilltari i Nishanit jep dorëheqjen. I doli pseudonimi si bashkëpunëtor i Sigurimit
Jo pak protagonist, këshilltari për Mbrojtjen i presidentit Bujar Nishani, Piro Ahmetaj, ka dhënë dorëheqjen pas përplasjeve të vazhdueshme me deputetët e mazhorancës mbi implikimet e politikës në çështje kriminale dhe raportin me të shkuarën si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ahmetaj u përfshi në një replikë të ashpër me deputetët e mazhorancës në Komisionin e Sigurisë, që vazhdoi për disa ditë. Ai i akuzoi ata se kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, ndërsa disa të tjerë se janë kriminelë, trafikantë e perversë. Akuzat e Ahmetaj u bënë nga Facebook, por ai thotë se gjithçka është manipuluar në mënyrë të qëllimshme, pasi i kanë vjedhur pasuordin dhe kanë hyrë në adresën e tij.
Deputetët e mazhorancës reaguan duke kërkuar dorëheqjen e tij. Ata thanë se vetë Ahmetaj ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit. Spartak Braho madje i publikoi edhe pseudonimin, që ishte “Shkodrani”.Kjo gjë duket se e ka detyruar Ahmetajn të japë dorëheqjen dhe të sqarojë pozicionin e tij.
“Duke marrë përgjegjësinë e ngarkesës që ka krijuar për Ju dhe institucionin e Presidentit të Republikës një ‘pakujdesi teknologjike e pafalshme’ e postuar në adresën private në Facebook, ditën e diel, dt.6.09.2015; devijimin e qëllimshëm për hakmarrje personale dhe devijimin e orkestruar nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Ekzekutivi (MM) mbi shqetësimet profesionale që trajtohen në këtë status, si dhe mbështetur në përgjegjshmërinë për standarde perëndimore dhe integritetin zyrtar që përfaqëson ky funksion, ju paraqes dorëheqjen zyrtare për lirimin nga detyra dhe daljen në rezervë”, thuhet në kërkesën e gjeneral Piro Ahmetajt drejtuar Nishanit.
Nishani ka firmosur lirimin e tij, ndërsa Ahmetaj është shprehur i zhgënjyer, duke thënë se është kthyer ligji i agjitacionit.
Panorama
Add new comment