Pas 54 vitesh, flamuri amerikan valëvitet në Kubë, John Kerry bën thirrje për hapjen politike të shtetit komunist
Ambasada e SHBA dhe ajo e Kubës u rihapën më 20 korrik të këtij viti. Por flamuri amerikan u valvit sot në ambasadën e SHBA në Havanë për herë të parë që nga viti 1961, pas një ndërprerjeje në marrëdhëniet diplomatike që zgjati më shumë se pesë dekada. Flamuri amerikan u ngrit nga marinsat nën tingujt e himnit kombëtar të SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit ishte i pranishëm në ceremoninë e ngritjes së flamurit, që shënoi rihapjen ceremoniale të ambasadës, si pjesë e një riangazhimi më të gjerë mes dy vendeve. Para kësaj, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry mbajti fjalën e përshëndetjes, ku bëri thirrje për hapjen politike të Kubës që qeveriset nga komunistët. “Ne jemi të bindur se do të ishte në interes të popullit të Kubës një demokraci e vërtetë, ku njerëzit të jenë të lirë të zgjedhin udhëheqësit e tyre, të shprehin idetë e tyre dhe të praktikojnë besimin e tyre,” tha zoti Kerry. Por ai tha se politikat amerikane në të kaluarën nuk çuan në demokraci dhe shtoi se e ardhmja e Kubës u takon kubanëve ta ndërtojnë. Kerry foli edhe në spanjisht, duke thënë se hapja diplomatike do të jetë diçka e mirë si për popullin kuban ashtu edhe për atë amerikan. Ai tha se nuk ka arsye për të patur frikë nga kjo. Ngjarja e sotme në Havanë shënoi rihapjen ceremoniale të ambasadës, si pjesë e një riangazhimi më të gjerë mes dy vendeve.
Add new comment