Data sot është 18-05-2012, ora 14:21
Ndaje |

Content about Kurban

nëntor 28, 2011

Panorama e sotme ka publikuar disa reagime të personave, të cilët ose janë përmendur në mënyrë kritike nga Edi Rama në librin e tij Kurban (Zhani Ciko), ose ndihen të sulmuar në kuadrin e kritikës që autori i librit u bën atyre që morën pjesë në Iniciativën e L. Bashës për Tiranën gjatë fushatës elektorale. Ja reagimet e tyre, të cilat i bashkon qëndrimi që ata kanë ndaj Edi Ramës, dhe fraza “nuk e kam lexuar e nuk kam ndërmend ta lexoj librin”:

Zhani Ciko: “Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye janë një shpifje e Edi Ramës”.

Kujtim Çashku: “Ju më pyesni nëse e kam lexuar librin? Unë po të përgjigjem ndershmërisht që nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj. [Dhe] nuk dëshiroj të komentoj për asnjë fjali. E para, sepse nuk mund të replikoj për diçka që nuk e kam lexuar vetë. Dhe e dyta, sepse nuk jam unë njeriu që duhet t’i bëjë publicitet Edi Ramës”.

Aleks Luarasi: “Sa i përket prezencës sime në tryezën me intelektualë ‘Iniciativa për Tiranën’, nuk jam penduar pse kam marrë pjesë. Nuk e di se çfarë ka shkruar konkretisht Edi Rama në librin e tij ‘Kurban’ dhe, drejt të them, nuk kam ndër mend që ta lexoj”.

Amik Kasoruho: “Nuk e kam lexuar librin e Edi Ramës dhe nuk kam ndër mend ta lexoj. E kam sfiduar publikisht: ‘Edi Rama, unë ju sfidoj në emër të vuajtjes së qindra njerëzve gjatë diktaturës! Publicistikën tuaj të viteve ‘90 e lexoj ndryshe sot… Ju nuk keni më lidhje me mendimin që kisha dikur për një djalë me emrin Edi Rama, në fillim të viteve ’90, kur merrte përkrahu Kasëm Trebeshinën dhe e nxirrte në tribunat, në ditët e përpjekjeve kundër diktaturës, në emër të lirisë dhe të të drejtave të njeriut’. Po ashtu, jam ende në pritje që Edi Rama të kërkojë falje publike për atë se çfarë shkaktoi me sjelljen dhe udhëheqjen e tij në demonstratën e 21 janarit”.

Dhori Kule: “Sa i përket botimit të Edi Ramës, unë nuk kam kohë të pavlerë që të blej libra kot, që përmbajnë defekte psikologjike në gjykimin e personave dhe jo vëzhgime reale. Isha në Panairin e Tiranës dhe mora libra që më shërbejnë për punën e sigurisht që bleva dhe nobelistë, por nuk mund të fusja në bibliotekën time librin e Edi Ramës. Si ekonomist, nuk harxhoj as kohën e as paratë kot”.

E.G.

nëntor 25, 2011

Qysh kur banakët e panairit të librit gëzueshëm u thyen ose gati u thyen gjatë dhurimit të autografëve dhe blerjeve të Kurbanit të Edi Ramës, grafiku i shitjes së të cilit, po t’i përmbahem raportimit mediatik, duhet t’i ngjajë trajektores së raketës kur lëshohet prej tokës në orbitë, praninë e librit e gjeta siç mund të pritej edhe në kuvendet e studiove televizive. Sidomos u interesova të dëgjoja se ç’thuhej për të në emisionin Top Story të Top Channel-it të Tanit të ndjerë po të Topit, si dhe në emisionin Opinion të TV Klan.

Përpara se të them diçka për librin, në krye po përpiqem të vë në dukje ç’kam vërejtur në përgjithësi rreth programeve të tilla, edhe kur kam ndjekur tema të tjera, jo vetëm Kurbanin. Së pari, skuadra prej 4 të ftuarish, por më shumë 6-8 komentuesish të përkushtuar marrin e japin me njeri-tjetrin. Shumica janë burra e përgjithësisht shfaqen me kollare bukur-kombinuar me ngjyrë këmishash e cohë kostumesh të mira. Kur ka gra (shumë më poshtë se 30%-ishi i shumëdiskutuar gjetiu) shumica spikasin më fort për veshje elegante, gjunj të zbuluar hijshëm prej fundesh e fustanesh, krehje e stoli in vouge, look e makijazh të mirë-kuruar (siç është e modës të thuhet sot), aq sa mendon se fill pas debatit i pret me siguri një audicion modelimi, vallëzimi me yjet, a mbrëmje gala ku fare mirë mund të jenë dama nderi. Të gjithë të ftuarit kanë vështrim serioz e të përqendruar, rrinë shpenguar këmbë mbi këmbë, ndonjëherë hedhin ndonjë shënim të shpejtë në bllok e që prej bardhësisë së kolltukëve të rehatshëm ofrojnë përshtypje e shtrojnë pikëpamje, përsiasin argumente e shtjellojnë interpretime, numërojnë të vërteta e rendisin të pavërteta, miratojnë a kundërshtojnë, shtrojnë arsyetime, mbrojnë, sulmojnë, kundërsulmojnë.

Herë-herë humbasin durimin, ngrenë zërin e zënë të flasin në kor. Dhëmbë shtrëngohen. Buzë shtrembërohen. Sy çakërrohen. Krahë tunden e gishta tregues shkunden në furi e kanosje. Herë të tjera komentuesit sfidojnë kolegun folës duke u pozicionuar disi diagonal në kolltuk (fol ti fol) e ia nisin një diskutimi paralel nën zë me shokun përbri. Po moderatori? Ky si bariu që kujdeset të mos i lërë dhentë të hallakaten shumë jashtë vathe, herë pas here e sheh të arsyeshme të vërë rregull duke shqiptuar jo më shumë se: “Edhe, zoti Myzafer…? Po pastaj…? Ç’doni të thoni me këtë zoti Vangjel?  E ç’lidhje ka…? Që do të thotë…?” e kështu me radhë. Kur zhurma bëhet ca e lartë, ky shpesh hesht aq sa pandeh se do ta ketë braktisur logun. Por, ndodh të kujtohet se ka zgjidhje më të mirë - ngre gishtin tregues lart si revolver e gjuan shkoqur e prerë: Publicitet!

Nganjëherë në valë e sipër të punës të ftuarit ndihen të detyruar ta shpien vemendjen doemos edhe te sms-të që u duhet o të lexojnë o të dërgojnë prej celularëve që i mbajnë në gatishmëri për çdo rast mbi tryezat e vogla përbri, ku qetësisht presin shishe të vogla uji për t’ua njomur buzët e ruajtur hidratimin në nivel të pranueshëm komentuesve punëtorë e televizivë…

Jetojmë pa dyshim në kohë të eficiencës, të shpejtësisë, aksionit e  rezultatit “bottom line”, vlugut të punës dhe të “multi-task”- imit. Vetëm se s’kam si të mos çuditem: në gjithë këtë rendje marramendëse, produktivitet televiziv e vemendje të shpërndarë në fronte të shumfishta, si është vallë e mundur të gjendet gjithë ajo kohë për të diskutuar (s’po them për të bërë muhabet)? Me ç’kam vënë re debatet televizive në Tiranë nuk janë më të shkurtër se 121, 143, 138, 158 minuta e ndonjëherë edhe më shumë se kaq (kam ndeshur një herë një debat në Opinion të TV Klan-it, që ishte i gjatë 198 minuta, d.m.th më shumë se 3 orë – u sprapsa sinqerisht edhe e tutur nuk provova fare ta hap video-linkun). Për më tepër, po të mendosh se kush dëshiron të flasë me mençuri e përgjegjësi e synon t’i ofrojë diçka të dobishme publikut, gjasat janë se do të bëjë paraprakisht edhe ndonjë përpjekje për t’u përgatitur disi, së paku për të organizuar, verifikuar e sistemuar idetë e veta, atëhere i bie që koha e përgjithshme që ha debati të shkojë akoma edhe më gjatë…

[Çfarë? Përse po shkon buzën në gaz e më ndërpret, lexues i nderuar? Mos e kam të kotë që e përmend “përgatitjen”? Po më thua “ta harroj atë muhabet”? S’paska nevojë, vërtet? E po mirë, s’po ta prish. Mjaft më përqeshe. Ndoshta ke të drejtë. Veçse siç e di edhe vetë, disa syresh i shohim ndonjëherë të vijnë me një tufë letrash (në stilin e konferencave të shtypit), të cilat rreken t’i valëvitin ekranit si prova në mbështetje të asaj që thonë, paçka se asnjë teleshikues (madje as edhe ti vetë për be) s’është në gjendje të shquajë gjësendi; madje siç do ta kesh vënë re me siguri, shpesh i njejti komentator përfundon i mbytyr nën pirgun e vet të fletushkave e zor e gjen ose s’e gjen fare çka kërkon… ]

Shpesh po të njejtët komentatorë i gjej edhe në TV Klan edhe në Top Channel të diskutojnë bash po për të njejtën temë. Me siguri kjo ndodh edhe në kanale të tjera televizive. Kjo do të jetë ndoshta një nga aryset se pse disa të ftuar vijnë ndonjëherë me vonesë në program (pasi të kenë lajmëruar mirësjellshëm paraprakisht moderatorin). Mbase mbërrijnë vrik si të kenë kryer punë në një stacion sivëlla televiziv, ndërsa gjithë kolegët e tjerë (me sa duket me kalendarë krahasimisht jo aq striktë e pa impenjime të dyfishta televizeve brenda së njejtës mbrëmje) kanë zënë vend prej kohësh nëpër kolltukët bardhoshë e i janë shtruar bisedës për së mbari. Nuk prish punë. I sapoardhuri (me ç’kam vënë re, të vonuar deri tani kanë qenë burra, ndoshta gratë janë më të disiplinuara ose iu mungon ende vetë-besimi për inovacione të tilla të thyerjes së lehtë të rregullave dhe autoritetit) zë vend shpejt-shpejt e shpengueshëm dhe po aq shkathtësisht kap fillin edhe rrëshqet fjollë në rrjedhë të bashkëbisedimit.

Gjithësesi, në debate të tilla gjenden gjithnjë edhe zëra të cilët e vlejnë t’i dëgjosh e prej të cilëve mund të informohesh e të mësosh. Pikërisht me këtë predispozitë u nisa të ndiqja e t’i shkoja për fundi emisionit të 17 nëntorit në Top Channel, pasi mblodha më parë mendjen se një gjë e tillë do të ishte e mundur po ta ndaja më parë programin në dy pjesë. Njërën pjesë e pashë një mbrëmje kur të gjithë flinin, e tjetrën e ruajta për darkën tjetër – pothuaj si film të palejuar erotik me seri, si ato që dikur i ndiqnim me babëzi, fshehtësi e kokëderrësi adoleshentësh në gjurmim të së ndaluarës e misterit, dikur netëve të vona të viteve 80, te kanalet televizive jugosllave. Vërtet bash si vashë gjimnazi u ndjeva kur ime bijë qëlloi të ngrihej në mes të natës për një gotë me ujë dhe befas më zuri gafil me kufje në vesh kërrusur mbi tryezë duke këqyrur Ramën me çorape që skuqnin flakë që prej kaviljes së mbështetur lart në gju, tek shpjegonte zë-dridhur emocioni Kurbanin, kapaku i zbërdhylët i të cilit vjen edhe ai e skuqet strategjikisht, spërkatur vende-vende me njolla të errta gjaku dashi gojë-shqyer – a thua se po shihja sekuencat hyrëse filmike të serialit të Neil Jordan-it, The Borgias! “Ah, hiç gjë për t’u trembur – ca rrëfenja epike, edhe pak grafike prej Tiranës që ti e njeh dhe e ke vizituar, e dashur!”

Tek flitej për Kurbanin, në Opinionin e TV Klan-it nuk mungonte as edhe vetë botuesja, e cila paraprakisht kish publikuar te gazeta Shekulli vlerësimin e vet të lartë për librin (afermendësh i lartë, sepse si mundet një botues/e të ofrojë vlerësim të ulët për atë çka boton vetë?)

Ndërsa te Top Channel më bëri përshtypje më shumë një komentuese, e cila, duke iu referuar librit e duke marrë përsipër të përqaste vizionin e Ramës me atë të Tanit të Topit, bëri një analogji bizarre midis shpejtësisë ose më mirë ngadalësisë së progresit në Shqipëri dhe shpejtësisë së Tanit të Topit. Sipas saj: “Mendoni pak: po, Shqipëria? Ku shpejtësia e Shqipërisë, e ku shpejtësia 300 km/orë e Tanit të Topit!”

Mos nuk e dëgjova mirë? Pandeha se komentuesja s’e kish seriozisht edhe se dikush do të ndërhynte për të thënë diçka. Mirëpo, jo. Kërrkush nuk e pa të arsyeshme një gjë të tillë… Po, ngadalë moj zonjë e ndalu pak, të lutem shumë! Shpresoj se nuk i dëshiron Shqipërisë vetë-vrasjen si të Tanit-të-Topit-të-qindra-kilometrave-në-orë (pa llogaritur edhe vrasjen e dikujt tjetër -- kurban bonus i së njejtës shpejtësi). Në fakt për të bërë vetë-vrasje Shqipërisë do t’i mjaftonin jo 300km/orë të Tanit të Topit, por do t’i dilnin e tepronin edhe 120 km/orë të aksidentit të freskët automobilistik në Tiranë - shpejtësi e raportuar nga vetë Channel-i i Topit këto ditë, shpejtësi e cila përfundoi për fat të keq me vdekjen e qytetares Brunilda Pinderi dhe dëmtimin fizik të disa të tjerëve...

Nuk e di pse shpejtësia shihet kaq kryengulthi e lidhur ngushtë me prosperitetin e kënaqësinë, por jo me rrezikun e kokëthyerjes! Obsesioni ynë me shpejtësinë dhe shpërnjohjen e rregullave (= stadi i zhvillimit të Shqipërisë sot) s’është thjesht çështje të rinjsh të papjekur e mendjelehtë, është me sa duket i ngërthyer keq në botëkuptimin dhe veprimet tona. Eshtë i pakurueshëm, së paku hë për hë… madje edhe në nivel debatesh televizive e përtej!

Po në Top Channel krahas katër komentatorëve në studio, ishte ftuar edhe vetë autori, Edi Rama. Për çudinë time ky nuk ishte në studio tok me të tjerët. Merrte pjesë me telekonferencë, paçka se ndoshta dhoma e tij e punës në apartamentin e shumëpërfolur s’ndodhej as 10-15 minuta në këmbë larg studios (lyp ndjesë po të jetë me larg!). Rroftë teknologjia! Tek e fundit, meqë e kemi, pse të mos e përdorim! Për kontrast, para nja dy ditësh, në një bisedë të ngjashme të zhvilluar në një kanal televiziv publik në Toronto (ku pjesëmarrësit prej distancash të konsiderueshme bëjnë rëndom lidhje telekonferencë), Steven Pinker – studiues e autor i njohur me origjinë kanadeze e ligjërues i shumëkërkuar – kish marrë mundimin të kapërcente kufirin prej Shteteve te Bashkuara e kish begenisur të vinte posaçërisht në Ontario për të diskutuar librin e vet të ri: E paqmja anë e natyrës tonë: Pse dhuna ka rënë / The Better Angels of Our Nature: Why Violence has Declined. (Me siguri Pinker s’do ta ketë patur parasysh Shqipërinë, ku dhuna ka ardhur duke u shtuar). Gjithë-gjithë intervista ballë-për-ballë në tryezë të studios shkoi jo më shumë se 33 minuta… Pinker do të ketë pas gjase tjetër koncept për teknologjinë e shpejtësinë.

I çuditshëm m’u duk pozicionimi gjeometrik i komentuesve të Topit. Këta qenë vendosur në formë gjysmë rrethi që i kthente shpinën ekranit të madh në ballë, prej ku shfaqej Rama me golf e çorape që kuqëlonin përpara bibliotekës së vet të pasur, a thua se kishin turp ta shihnin njeri-tjetrin, ose më keq, s’donin t’ia shihnin sytë shoku-shokut. Kur merrte fjalën Rama, për së afërmi vizualisht komunikonte me shpinat e bashkëbiseduesve.  Ndërsa, për së largu edhe mund të mbante me nga pak vështirësi kontakt syri me drejtuesin e emisionit, i cili nga ana e vet dukej se vinte nga mugëtira. Që andej, tej në sfond e ballazi me Ramën, disi më me zor përhihej audienca si peizazh i ngrirë në celulozë i një posteri të madh absurd. Komentuesit, edhe këta nga ana e tyre, kur flisnin për librin dhe autorin e tij, nuk mund ta shihnin Ramën në sy po të mos merrnin mundimin të kryenin një rrotullim special 90 deri 180 gradë në mos më shumë prej kolltukut ku kishin zënë vend (aty nga fillimi disa edhe e lëvizën pak trupin në kërkim të kontaktit me sy, por dikur u lodhën e hoqën dorë prej rrotullimit jo komod e pak komik qafë-shpinë). Kaq sa i takon konceptimit dhe efektivitetit ‘top’ të komunikimit në studion Top.

Edhe dy fjalë për librin. Në nisje po shpejtoj të sqaroj se s’e kam lexuar. E kam porositur e shpresoj ta lexoj së shpejti. Megjithatë informacioni që gjej në media, më ofron këndvështrime e lëndë të mjaftueshme për të formuar gjykime (që t’i qëndrojnë kritikës ose jo), të cilat mund t’i parashtroj këtu.

Së pari, sado me vlerë të jetë libri Kurban – edhe s’kam pse të mos i marr të mirëqena e t’i konsideroj të sinqerta disa prej cilësimeve pozitive në shtyp – besoj është e pamohueshme se kundërmimi i propagandës është megjithatë i pranishëm e nuk mund të mos vihet re. Sido që ta kenë quajtur, e sidomos sido që ta quajë vetë autori veprën e tij, libri është padyshim një lloj jetëshkrimi a autobiografie që rreket të dokumentojë e vetë-reflektojë mbi një periudhë të caktuar, por edhe krejt të freskët e ende në përpunim e interpretim në mendjen e gjithëkujt. Krahasuar me lloje të tjera shkrimtarish ku autori nuk e vë e nuk synon të vendosë “veten” në qendër - së paku jo drejtpërdrejt, një autor që zgjedh të shprehet përmes një zhanri të tillë, është vetiu i ndjeshëm dhe protektiv ndaj vetes, e cila mbetet veçanërisht vulnerabël ndaj gjykimit të lexuesit, ngaqë ekspozohet njëherazi si objekt e subjekt (edhepse në qendër të qendrës thuhet se është Shqipëria e peripecitë e saj). Edhe tek e fundit të gjitha autobiografitë (ashtu si edhe CV-të e çdo gjë tjetër që përsillet rreth personazhit “unë”) vetvetiu cenet, të metat, gabimet, e shëmtitë, kur nuk i fshehin dot mëtojnë që në analizë të fundit t’i vendosin qëllimshëm ose jo në një dritë në mos të favorshme së paku që priret kah justifikimi, e shpjegimi vetë-mbrojtës. Eshtë natyra njerëzore. Në fotografi duam të gjithë të dalim më bukur se ç’jemi në të vërtetë. Edhe nuk besoj se bëjmë ndonjë faj kur përpiqemi të buzëqeshim, të ngrejmë pak vetullat përpjetë, të rregullojmë krehjen me dorë shpejt-e-shpejt para shkrepjes së aparatit, t’i hedhim vetes një vështrim ashtu si vjedhurazi në pasqyrë, të vendosim gishtin mendueshëm por gjoja shkujdesshëm në mjekër a në tëmth, e më në fund të themi: “Fshije të lutem se s’dola mirë. Nisim nga e para!”

Shqiptarët duket të jenë akoma më të ndjeshëm ndaj formave të tilla të shkrimtarisë, edhe për shkak se këto janë relativisht të reja në Shqipëri. Nga ana tjetër dihet se lexuesi mesatar kudo në botë përgjithësisht i ka për zemër biografitë e celebriteteve, sepse janë më argëtuese e kërkojnë më pak përpjekje e përqëndrim mendor për t’u ndjekur. Sa më pikante ngjarjet, sa më shokuese e të befta ndodhitë, sa më të tensionuara dramat, sidomos sa më të paparashikueshme përfundimet, sa më sugjestionuese pezullia, sa më shumë të fshehta private derdhur prej bodrumeve personale në bulevard publik aq më i mrekulluar publiku. Këto janë të gjitha karakteristika që nuk janë të huaja për Edi Ramën. Jo më kot biografitë e personave që e kanë jetuar jetën e tyre private publikisht zënë vend të parë në vitrinat dhe stendat e librarive – në fakt zor që libra të tjerë në libraritë perëndimore të krahasohen për nga suksesi i shitjeve me biografitë e celebriteteve.

Përkundrazi një biografi e ndërtuar mbi parime e kritere rigoroze të hulumtimit, që mëton të analizojë në mënyre sistemike dhe dialektike, e që më fort se të mbajë gojëhapur e të mrekulluar prej habisë lexuesin – sipas stilit fiction ose gjysëm-fiction që ndërvepron sidomos me emocionet – synon t’i drejtohet arsyes, rreket të qëmtojë imtësisht, të analizojë aq sa të jetë e domosdoshme e pa e patur merak shpejtësinë, e të mbështetet në referenca dokumentare të verifikueshme është natyrisht jo aq tërheqëse në mos e thatë dhe e mërzitshme për publikun e mësuar me Big Brother, Këngë Magjike, Fiks Fare, e kështu me radhë. Në këtë kuptim Edi Rama, si personazh në qendër të epikave politike dhe të dramave private të kthyera në melodrama publike, me jetë publike e private si pikturë e komplikuar plot ngjyra e kontraste të spikatura suksesesh e humbjesh të bujshme, me jetë që mund të krahasohet për mirë a për keq sa me atë të politikanëve, aq edhe me atë celebriteteve, është kështu ndoshta si asnjë shqiptar tjetër i pozicionuar si personi publik që e ka vetiu të garantuar suksesin e një (auto)biografie.

Nga ç’kam vënë re prej pasazheve të botuara në shtyp, nga prononcimet e reklama mediatike, nga shitjet e larta dhe nisur nga bindje e informacione si ato që përshkrova më lart kam dyshime e kureshti. Thelbësore sidomos është kureshtja që kam për të rrokur sadopak sesi vetë-reflekton për rolin e impaktin e vet në rrugëtimin e mundimshëm prej më shume se një dekade të Shqipërisë – ndërsa mëton të mbajë sytë nga e ardhmja - një nga personazhet qendrore drejtuese të elitës politike të saj. Të gjitha sa përmenda janë bërë shtysë që ta porosis librin e të përqas sa më sipër me përvojën që sendërtohet me anë të kontaktit intim e pa ndërmjetësi që mund të përftohet vetëm përsëdrejti përmes leximit. Pavarësisht se ç’përgjigje do të marr prej tij e pavarësisht sa bindës, i sinqertë e mendjembushës të më duket rrëfimi, jam e bindur se do të kem ç’të mësoj.

nëntor 21, 2011

Me një shkrim të botuar në dy pjesë në “Panorama”, Fatos Lubonja analizon dy prej librave më të bujshëm të Panairit të këtij viti: Kohë e pamjaftueshme të E. Kadaresë dhe Kurban të E. Ramës, duke i parë si shembuj të një lloj letërsie – memuaristika – ku “autori merret me veten, duke e bërë atë personazh,” por e bën këtë “sipas regjisë së egos dhe interesave të tij personale, por krejtësisht në dëm të së vërtetës.”

Për Lubonjën, e gjithë kjo i ngjan një operacioni plastik, i frymëzuar nga vullneti i këtyre autorëve “për të kontrolluar të kaluarën, historinë, për të krijuar një version dominant të kësaj historie që synon, me kalimin e kohës, të eliminojë çdo histori tjetër”, pa çka se, “ajo që zhduket pas këtij operacioni plastik është ajo më e bukura gjë që mund të ishte: vetvetja e autorit, e vërteta e tij e, në një kuptim më të gjerë, njohja. Por kjo nuk ka shumë rëndësi në këtë lloj kulture.”

Lubonja niset të gjejë në këto vepra të vërtetën; por ndesh në manipulime të së shkuarës, të cilat synojnë kontrollin ndaj kësaj të fundit.

Nuk mundem as dua të futem në hollësitë e këtij interpretimi dhe të verifikoj, edhe unë, se sa “të vërteta” janë kundërshtimet dhe denoncimet e Lubonjës; i bindur se një qasje e tillë esencialiste, ose absolutiste është e dënuar të dështojë në çdo rast; dhe se së vërtetës njerëzore veç mund t’i afrohemi nga anë të ndryshme, por nuk mund ta rrokim kurrë në plotësinë e vet, sa kohë që atje ndërthuren objektivja dhe subjektivja, rrethanat e jashtme dhe motivet e brendshme të njerëzve që përfshihen aty.

Dua të vërej, përkundrazi, se një lloj manipulimi i realitetit, ose i së shkuarës, është intimisht i lidhur me vetë natyrën e memuaristikës, si zhanër letrar.

Jeta, siç na ndodh, është një koleksion rastësish, incidentesh dhe ngjarjesh që, pasi kanë ndodhur, janë pothuajse të gjitha me probabilitet praktikisht zero. Megjithatë, sa kohë që ne vetë jemi produkt i kësaj së shkuare, të cilën kemi kontribuar edhe ne për ta përftuar, atëherë ajo merr një kuptim dhe mund të analizohet, si histori - e një shoqërie, e një përpjekje kolektive ose individuale, madje edhe si jetëshkrim i një personi të vetëm.

Kur vihemi të kujtojmë të shkuarën, të gjithë e bëjmë këtë për të gjetur atje shkaqet e së sotmes; ose ata faktorë të cilët kanë ndikuar në ngjizjen tonë si subjekte të tanishme. Madje edhe psikanaliza, si një formë psikoterapie ose edhe komunikimi njerëzor, e ka përqafuar këtë lloj qasjeje, duke e shndërruar në art.

Mirëpo në psikanalizë, dhe pikërisht te Freudi, gjejmë edhe shpjegimin se subjekti nuk është indiferent ndaj këtij procesi të rikuperimit të së shkuarës; por, përkundrazi, ndikon aktivisht, për t’i dhënë kësaj së shkuare një formë narrative, ose edhe intencionale, në daçim ta quajmë ashtu, madje edhe duke “i harruar” në mënyrë konveniente disa ngjarje, dhe duke i modifikuar ose rimontuar disa ngjarje të tjera; qoftë edhe thjesht për të rivendosur drejtpeshimin në një psikikë të plagosur nga traumat.

Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë farë vullneti ose dëshire për të gënjyer ose për ta fshehur të shkuarën ose për ta paraqitur atë me ngjyra tërheqëse; por ndodh vetvetiu dhe pashmangshëm, çdo herë që kërkojmë të ndërveprojmë me jetën tonë të kujtuar, për ta vënë në shërbim të së tashmes, nëpërmjet atij procesi që populli e quan “zbukurim.”

Ndodh rëndom që e njëjta ngjarje të kujtohet nga dëshmitarë të ndryshëm në mënyra të ndryshme; këtë e dinë mirë jo vetëm hetuesit, por edhe shkrimtarët dhe kineastët, të cilët e kanë shfrytëzuar në veprat e tyre. Kjo ndodh ngaqë një ngjarje, objektive dhe unike në vetvete, filtrohet nëpërmjet un-it subjekt, duke u përvetësuar jo vetëm në mënyrë, si të thuash, shqisore; por edhe në bazë të kodit që përdor ky subjekt për ta deshifruar.

Dy veprat që analizon Lubonja – të E. Kadaresë dhe të E. Ramës - janë vepra ku autorët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme; dhe jo vetëm ngaqë flasin për veten e tyre dhe të afërmit, por edhe sepse rrëfejnë një botë që është filtruar sipas subjektivitetit të njërit autor dhe të tjetrit. Nuk kemi të drejtë, besoj unë, që ta konsiderojmë këtë subjektivitet si një formë të manipulimit të qëllimshëm të lexuesit ose të publikut.

Ka edhe më. Të gjitha ngjarjet, që janë fakte në momentin kur ndodhin, vijnë e shndërrohen në metafora teksa e kryejnë kapërcimin nga perceptimi dhe përjetimi në kujtesë; dhe si metafora do t’i nënshtrohen tash e tutje interpretimit, duke pasë kaluar tashmë nga heuristika në hermeneutikë. Kur një autor, qoftë ky edhe politikan, kthen kokën nga e kaluara dhe vihet të na kallëzojë se çfarë ka ndodhur në jetën e tij, ai nuk mundet veçse t’i renditë këto metafora dhe t’u japë kuptim post factum; në kuptimin që manipulimi nuk lidhet me ndonjë qëllim djallëzor të autorit, por me vetë natyrën e narrativizimit, ose të shndërrimit të kaosit të fakteve, në një rrëfim të strukturuar mirë.

Por, nëse është kështu, atëherë çfarë vlere i mbetet memuaristikës? Them se vlera kryesore, në kontekstin për të cilin flasim, ka të bëjë me portretizimin që i bëhet njeriut – autorit, në rastin e një autobiografie, ose personazhit kryesor, në rastin e biografisë; ose me mundësinë që i jepet lexuesit, për të njohur nga afër një personazh të jetës publike, me të cilin shumë prej nesh kanë dhënë e kanë marrë, për së largu, ose ia kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e gjesteve, bëmave dhe vizioneve që ka pasur.

Pas botimit të të dy veprave në fjalë, kanë  ngritur zërin njerëz të ndryshëm, në mediat, për të thënë se “nuk ka qenë ashtu,”, “nuk ka ndodhur ashtu”, ose, më rëndë akoma, se “autori gënjen.” Nuk e vë në dyshim se këta kontestues vërtet ruajnë kujtime të ndryshme, për një ngjarje, nga ato të E. Ramës ose të E. Kadaresë; dhe se ballafaqimin mes kujtimeve të tyre dhe ato të dy autorëve në fjalë e kanë përjetuar si ballafaqim mes së vërtetës dhe gënjeshtrës. Mirëpo ky është një iluzion, në më të shumtën e rasteve, sa kohë që çdo autor i një (auto)biografie gënjen, në kuptimin që fjala e tij nuk është filmim i realitetit nga një kamera fikse, e llojit të mizës në mur, por produkt i një angazhimi aktiv të subjektit shkrues me realitetin. Nga ana tjetër, akuza se autorët gënjejnë qëllimisht, duke fshehur dhe manipuluar fakte të cilat përndryshe i mbajnë mend mirë si kanë ndodhur, nuk i përket kritikës letrare, as kritikës kulturore; por tabloidëve dhe sallës së gjyqit.

Çfarë ka rëndësi, është që këto dy kategori të manipulimit të realitetit të mos përzihen së bashku; e para gënjeshtër është e pashmangshme, meqë vetëm një individ fanatik, madje paranojak, mund të pretendojë se e ka gjetur të vërtetën, qoftë edhe të vetën; dhe janë bash njerëz të tillë, të cilët i kanë shkaktuar njerëzimit fatkeqësitë më të mëdha; kur nuk kanë prodhuar efekte komike, me pretendimet e tyre, të mishëruara në veprat që kanë lënë. Gënjeshtra e llojit të dytë është doemos moralisht e dënueshme; por njëlloj moralisht e dënueshme është të akuzosh një autor se ka gënjyer me qëllim, për të mbuluar ose shtrembëruar një fakt komprometues, pa i pasur në duar provat e nevojshme, dhe pa rrezikuar tabloidizimin e debatit.

Në kritikën e vet, Lubonja më krijon përshtypjen sikur nuk e ruan gjithnjë këtë dallim, me rëndësi kritike, midis gënjeshtrës si pjesë e procesit narrativizues, ose të përvetësimit të së shkuarës; dhe gënjeshtrës si mashtrim, ose përpjekje për të fshehur realitete të pakëndshme; dhe kjo ia dëmton analizën dhe vetë statusin që ka fituar, prej intelektuali dhe zëri të fuqishëm kritik të shoqërisë civile.

nëntor 11, 2011

Ben Blushi me romanin ‘Shqipëria’ dhe Edi Rama me refleksionet ‘Kurban’; Blendi Fevziu me biografinë e Enver Hoxhës dhe Spartak Ngjela me ‘Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare’, duhet thënë se kanë qenë hitet e mëdha në panairin e sivjetshëm të librit që shënon edhe edicionin e tij të 14-të. Të paktën dy ditët e para kanë qenë të mbushura me interes politik më shumë se sa letrar. Politikanët kanë qenë edhe lëshuesit e autografeve në një event që normalisht duhet të kishte qenë i shkrimtarëve, përkthyesve dhe botuesve. Atyre me sa duket u kanë shkuar edhe shitjet më të mëdha: Librat e Edi Ramës dhe Blendi Fevziut kuotohen si më të tërhequrit nga vizitorët e Panairit, ndjekur edhe nga botimet e Spartak Ngjelës e Ben Blushit (libri i Fevziut nuk është shkruar nga një politikan, por është shkruar për një të tillë). Si duhet të ndihen njerëzit e industrisë së botimeve? Të përjashtuar ndoshta. Sidomos ata, siglat e të cilëve nuk kanë patur fatin të jenë strehë e botimeve të librave të politikanëve. 

H.B.

nëntor 9, 2011

Sonte në mbrëmje u bë promovimi i librit të Edi Ramës me titullin Kurban. Ka disa javë që flitet për të, dhe ky marketing agresiv, ndërsa ka mbarsur me kureshtje opinionin publik dhe lexuesit, mund të ketë prodhuar dhe një efekt negativ, që ka të  bëjë me pritmëritë e mëdha të krijuara. Pritmëritë e mëdha krijojnë zhgënjime. Do të ndodhë kështu? Mbetet për t’u parë.

Ende nuk dihet ndonjë gjë e madhe mbi librin. Dihet që e ka shkruar shpejt, dihet që është një rrëfim personal me një teknikë të shpenguar narracioni, dihet që në të flitet për periudhën, në të cilën Rama ka qenë kryetar bashkie. Njerëzit ndoshta presin një libër, fabula e të cilit të kapë dhe Ramën kryetar partie, por Kurban-Leaks-et e para thonë se s’është kështu. Libri nuk merret me betejat e Ramës në krye të PS-së. Ose merret shumë pak dhe shkarazi me këto beteja.

Libri ka 450 faqe, dhe Rama pretendon se është zbuluar tej mase në të: “Më duket sikur kam dalë publikisht lakuriq. Edhe ju e dini se nuk e kam për herë të parë”, tha ai, por nuk është çudi që lexuesit ta shohin ndryshe këtë punë. Edhe kjo e fundit mund të ketë lidhje me pritmëritë e krijuara.

Re.Pu.

nëntor 5, 2011

Dy nga veprat që, pas gjase, do të rrëmbejnë vëmendjen e vizitorëve në Panairin e ardhshëm të Librit në Tiranë – “Kurban” i Edi Ramës dhe “Kohë e pamjaftueshme” e Elena Kadaresë – i kanë hyrë tashmë një dialogu në distancë, në faqet e mediave të Tiranës, në garë mes tyre për të shkëputur e botuar pjesët më pikante, ose më “skandaloze” prej librave.

Ai i zonjës Kadare është libër kujtimesh; ky i zotit Rama më tepër rrëfim sesa kujtim. Megjithatë, të dy autorët e kthejnë kohën pas, për t’i dhënë kuptim e domethënie atij koleksioni rastësish, që është e kaluara.

Çdo autobiografi është e rreme; por jo sepse autori gënjen. Në fakt, është e pamundur të vësh rregull në të kaluarën, pa i risistemuar faktet dhe pa i renditur në mënyrë të tillë, që ato të përligjin, njëfarësoj, të sotmen.

Zoti Rama e quan veprën e vet rrëfim; në të dy kuptimet ose diatezat e kësaj fjale – si narrativë dhe si konfesion. Edhe zonja Kadare rrëfen dhe rrëfehet në librin e saj, ndoshta më shumë për bashkëshortin sesa për veten.

Suksesi i paralajmëruar i këtyre dy librave konfirmon etjen e publikut shqiptar për rivështrime të së kaluarës; edhe pse librat u drejtohen lexuesve të moshave të ndryshme. Zonja Kadare shkruan për brezin që u rrit në totalitarizëm dhe kaloi, në harkun e pak dhjetëvjeçarëve, nga optimizmi në pesimizëm, nga euforia në depresion. Zoti Rama, përkundrazi, shkruan më tepër për një brez më të ri, në thelb bijtë e atij tjetrit, që ëndërruan e u ngritën të korrigjonin e të shlyenin gabimet, gafat e ndonjëherë edhe krimet e baballarëve të tyre.

Librin e z. Rama, të cilin e kam lexuar, nuk e klasifikoj dot në memuaristikë; autori më shumë reflekton dhe arsyeton për të shkuarën e vet si kryebashkiak i Tiranës dhe si politikan, të cilin nuk e lanë ta realizojë vizionin e vet për qytetin kryeqytet të Shqipërisë. Suksesi i tij i pashembullt përzihet me trishtimin dhe zhgënjimin, sidomos në ballafaqimet me pushtetin qendror. Kujtimet e zonjës Kadare i kam lexuar, përkundrazi, vetëm në mediat; dhe mediat janë përqendruar në çfarë thotë ajo për të shoqin jo për veten.

Megjithatë, zonjës Kadare nuk do t’i harrohet dot kurrë roli që ka luajtur, në gjithë këto vite, përkrah bashkëshortit të vet të famshëm; jo aq në kultivimin e gjenialitetit të tij letrar, sesa për t’ia ruajtur këtij gjenialiteti vijueshmërinë. Pa të, pa praninë e saj, ndoshta nuk do të kishim pasur atë korpus kadarejan që kemi, me një gjerësi të pashoqe në letërsinë shqipe dhe ekspozim anembanë planetit. Për këtë arsye, publiku e përcjell atë me simpati, madje edhe ajo pjesë e publikut që të shoqit të saj shumëçka nuk ia honeps dot.

Ndryshe nga çifti Kadare, z. Rama në rrëfimet e veta nuk e shmang dot portretin e një njeriu të vetmuar; që ndoshta ka të bëjë më shumë me natyrën e tij psikologjike dhe qasjen prej artisti ndaj botës; por edhe me faktin, në vetvete banal, se për të reflektuar njeriu ka nevojë për t’u tërhequr nga bota, për pak vetmi dhe heshtje. Dikur, njerëzit mbylleshin përkohësisht në manastire, ose ndërmerrnin udhëtime pelegrinazhi në vende të shenjta; sot ky angazhim intim me publikun përtej strukturave institucionale dhe protokollare mbetet një alternativë, për këdo që është gjithnjë nën projektorët, e veçanërisht për politikanin. 

Lexuesi shqiptar, veçanërisht i brezit të vjetër që edhe lexon më shumë, është profilizuar prej kohësh si i apasionuar pas pornografisë totalitare; ose historive e kujtimeve të ripërtypura për bëmat e patriarkëve të djeshëm. Kjo lloj tradite, tashmë e konsoliduar, nuk është se i sjell ndonjë të mirë memuaristikës shqip, ose edhe thjesht refleksioneve për të shkuarën. Tek e fundit, Elena Kadareja, Ismail Kadareja dhe Edi Rama mbeten tërheqës si personalitete të jetës publike përtej situatave skandaloze ose pikante, ku mund të jenë përfshirë, ndonjëherë edhe kundër dëshirës së tyre. Prandaj edhe kureshtja e mediave, dhe e lexuesve të kushtëzuar, për të marrë vesh se me kë e ka tradhtuar pikërisht “Elenën Ismaili”, ose si ishte puna e atyre fotove lakuriqe të Ramës, rrezikon ta banalizojë pritjen e këtyre veprave, të cilat në thelb nuk kanë gjë të përbashkët me shtypin e verdhë, as me atë rozë.

Tek e fundit, të dy autorët kanë gjëra të mençura për të thënë; dhe duhen dëgjuar për çfarë sjellin nga vetja në veprat, jo për çfarë ka qëlluar t’u ndodhë në jetë, shpesh aksidentalisht e përtej dëshirave ose vullnetit të tyre. Pa përmendur pastaj që Z. Rama është shquar, edhe më parë, si publicist i mprehtë dhe mjeshtër i penës; ndërsa zonja Kadare njihet si shkrimtare fine dhe e kulturuar, që di ta rrëfejë deri edhe bashkëshortin e vet në mënyrën e saj origjinale dhe idiosinkratike.

Goethe-ja ka thënë diku se historia duhet interpretuar si të ishte metaforë; edhe pse, për të dy veprat në fjalë, metaforën e ndërlikon fakti që autorët, edhe njëri edhe tjetri, e mbajnë njërën këmbë në të shkuarën dhe tjetrën në të tashmen; madje në mënyrë të tillë që edhe veprat e sapobotuara do të përfshihen sakaq në jetëshkrimet e tyre publike. Kësisoj, kujtimet dhe rrëfimet, të këtyre dy personazheve kult të jetës publike në Shqipëri, do t’u shërbejnë atyre edhe si një mënyrë e butë për t’u ndarë nga e shkuara pa ia kthyer kësaj shpinën.