Kisha kohë që nuk kisha lexuar diçka kaq prekëse, sa kjo letër që Jutta Benzenberg, gruaja e Ardian klosit, ia dërgon burrit të vet një vit pasi ky i fundit është ndarë nga jeta. Vetvrasja e Klosit mbetet një enigmë, dhe një mundim, për shumë të njohur të tij, të cilët me siguri kanë pyetur veten më pas, nëse mund të bënin diçka që kjo gjë të mos ndodhte. Ndoshta po, ndoshta jo. Dhe vetë Jutta, njeriu që ka qenë afër tij për vite të tëra, duket se e ka këtë pasiguri. Gjë që duket në këtë letër. M. Nano
Para pak ditësh, pas gati një viti, gjeta fotot në shtëpinë tonë. Ato ishin në dollap, poshtë fotokopjuesit tënd, aty ku ti vendosje gjithnjë sendet e tua personale, çelësat, portofolin, orën, paratë e vogla, stilolapsin, kur ktheheshe në shtëpi nga lufta jote e përditshme në qytet.
Më kujtohet se si vije në shtëpi çdo ditë, me xhaketën tënde të bardhë prej leshi të firmës BOSS, të cilën ta kisha blerë kur isha shtatzënë me Katin dhe me pulovrën e gjelbër, të cilën e kishe pasur...