Zbardhet propozimi i Bashës për SHBA: Detashment demokratësh në Ukrainë

Postuar në 30 Janar, 2022 16:09

Përshkallëzimi i krizës në Ukrainë duket se po e vendos Kievin zyrtar në pozitat e konsiderimit të çdo ndihme përkundrejt një kërcënimi eminent dhe ekzistencial nga Rusia.

Dhe një ndihmë e tillë nuk mungon as nga Shqipëria, në manifestimin më absurd dhe të papritur. Një ditë më parë ne u njoftuam për një takim mes ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, takim për të cilin ambasada amerikane u shpreh se u përqendrua mbi nevojën e forcimit të institucioneve demokratike në vend.

Në të vërtetë, burime nga PD-ja bëjnë me dije se z. Basha aktualisht po përdor çdo instrument për të patur mbështetje të pakushtëzuar nga SHBA në një moment kritik për të. Konkretisht, z. Basha ka propozuar nisjen e një detashmenti demokratësh në Ukrainë për të trajnuar trupat ukrainase në fortifikimin dhe mbrojtjen e godinave të rëndësisë së veçantë. Propozimi që tingëllon fare absurd në fakt pason operacionin “Qëndresa”, siç quhet në dokumentet e brendshme të PD-së, mbrojtja e selisë së partisë nga sulmi i mbështetësve të Sali Berishës më 8 janar.

Dhe ky propozim është një gjest i vullnetit të mirë nisur edhe nga mënyra sesi kryeministri Rama p.sh ka ditur të blejë vëmendje me propozime donkishoteske siç ishte gatishmëria për të strehuar disa shtetas afganë. Burimet sqarojnë për “Të Kripura” se ideja fillestare ka qenë e sekretarit të PD-së, Gazmend Bardhi, i evidentuar si njeriu i linjës së ashpër përballë Sali Berishës dhe individ me cilësi operacionale reale më 8 janar.

Nuk është e qartë nëse detashmenti do të pranohet apo jo nga SHBA, por në kushtet kur beteja në Ukrainë nga Perëndimi po udhëhiqet mbi metodat e luftës hibride që më parë është aplikuar nga Moska, ai është mirëpritur pa përgjigje. Duhet të nënvizojmë se në konflikte si ky i tanishmi, SHBA dhe partnerë të saj angazhohen duke përdorur milici të huaja për të bërë punët e pista për të cilat nuk duan të ekspozohen apo të hapin konflikt direkt. Burimet shtojnë se kjo bën pjesë në atë që quhet diplomacia e miklimit të një fuqie të madhe që ka nevojë për doreza higjenizuese në raste të tilla.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.