Macronit i mbeten vetëm provokimet

Postuar në 05 Janar, 2022 13:27

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka provokuar sërish duke provuar sëmundjen sistemike të kohës sonë, kur drejtuesit e shteteve duan të monopolizojnë spektaklin opinional.

Dua t’i acaroj të pavaksinuarit dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Nuk do të dërgoj njerëz në burg nëse nuk janë vaksinuar. Ndaj ne kemi nevojë t’u themi atyre që nga 15 janari nuk do të jeni më në gjendje të shkoni në restorant, as të shkoni për një kafe, në teatër.  Nuk do të mund të shkoni në kinema

është shprehur ai në një intervistë për “Le Parisien”.

Komentet vijnë në kontekstin e një fushate të ndezur elektorale dhe pak besohet se kanë të bëjnë me motivet humaniste të Macron. I cili është dalluar në këto vite të tij në krye të Francës për deklarata pompoze, për shpallje vizionesh strategjike, për një lloj militarizimi të retorikës në politikën e jashtme, por jo për vepra. Për pak arritje.

Ai u poshtërua së fundmi nga tërheqja e Australisë nga një marrëveshje për blerjen e nëndetëseve franceze, ndërkohë që në tensionet me Turqinë verën e shkuar, ai arriti deri aty sa të vinte në lëvizje anije të flotës ushtarake, por pa u dhënë gjesteve të tilla ndonjë kuptim politik.

Nga ana tjetër deklaratat sfiduese të presidentit francez nuk bëjnë shumë kuptim kur dihet se marzhi i vaksinimit në Francë është 78% dhe kur po bëhet përherë e më e qartë se variantet e reja të SARS-CoV-2 po vënë në diskutim të gjithë politikën e vaksinimit. Janë deklarata të forta të një lideri që ka nevojë të mobilizojë dhe tubojë rreth vetes ndjenjën e sigurisë dhe rendit në Francë, dhe vetë provokimi që ai bën flet më mirë se çdo gjë tjetër për faktin se njeriu që drejton vendin kryesor në Europë nuk ka se me çfarë arritjesh të dalë para njerëzve të vet veçse me ekzibicionizmin e vet.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.