Papakonstantinou: Vonesat në reagim rënduan koston e krizës së euros

Postuar në 02 Janar, 2022 13:54

Për vite me radhë, Georgios Papakonstantinout iu deshën truproja për ta shoqëruar ndërsa lëvizte nëpër Greqi. Ish-teknokrati që ka punuar me OECD për një kohë të gjatë, e gjeti veten në stuhinë e një prej krizave më të rënda ekonomike kur mbante detyrën e ministrit të Financave të Greqisë në vitet 2009-2011. Papakonstantinou ishte njeriu që zbuloi se deficiti i buxhetit të Greqisë ishte fshehur në tetor 2009. Ai ishte personi që negocioi të parin nga tre planet e shpëtimit të Greqisë, prej 110 miliardë eurosh, për të shmangur falimentin e vendit të tij. Kushtet e vendosura nga donatorët – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian – me masa shtrënguese shumë të ashpra, u pasuan nga pakënaqësia në masë e qytetarëve grekë.

Njëzet vjet pasi euro u lançua si monedhë (hyri në qarkullim më 1 janar 2002), ish-ministri grek i Financave është profesor në Institutin Universitar Evropian. Në një intervistë për francezen “Le Monde”, ai bën një bilanc të monedhës së përbashkët.

Është një sukses, në kuptimin që euro përdoret gjithnjë e më shumë dhe ekzistenca e saj nuk vihet në dyshim. Por kriza e monedhës së përbashkët (2010-2015) theksoi të metat e saj në ndërtim. Ekonomistët kishin folur për to kur monedha u krijua, por në atë kohë ne bëmë sikur i shpërfillnim.

Për Papakonstantinou, kriza greke ishte surprizë. Ai kujton se në momentin që zbuloi se deficiti grek ishte më i madh se sa thuhej në statistikat zyrtare, fillimisht mendoi për një mosrakordim shifrash.

Menduam se do të kishim një përshtatje prej vetëm disa vitesh. Nuk e kishim kuptuar që kriza fiskale fshihte një krizë të thellë në institucionet greke.

Konfirmimi i krizës greke dhe frika e Europës se ajo do të shtrihej me shpejtësi në kontinent u pasua sipas Papakonstantinout me një sjellje që solli frustrim te grekët. Dhe për më tepër, e vuri Greqinë në syrin e ciklonit, duke lënë në hije përgjegjësinë e eurozonës. Ai thotë se Eurozona humbi kohë dhe për këtë arsye, kostoja e krizës së euros ka qenë shumë më e lartë se ç'duhej.

Kishte probleme strukturore në Greqi dhe një recesion ishte i pashmangshëm. Por ne ishim shumë të frustruar kur pamë se donatorët nuk na dhanë kohë për t’u korrigjuar dhe se ata nuk donin të shihnin përgjegjësinë e zonës euro. Programi i rregullimit strukturor mund të ishte shtrirë në një periudhë më të gjatë për të reduktuar masat shtrënguese. Borxhi ynë mund të ishte ristrukturuar më shpejt, për të ulur koston. Gjatë gjashtë muajve të parë të krizës, Evropa e pa këtë vetëm si një problem grek, jo si një problem të eurozonës. Gjermanët nuk pranuan të thoshin se nuk do të na linin të falimentonim kur, përkundrazi, do të duhej të lëshohej “bazuka” duke garantuar se nuk do të kishte dalje nga eurozona, për të frenuar përhapjen e krizës. Ulja e pagave dhe pensioneve në Greqi nuk mjaftoi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.