Inteligjencë artificiale edhe për të vrarë, rindërtohet skema e ekzekutimit të shkencëtarit iranian

Postuar në 19 Shtator, 2021 19:11

Shkencëtari kryesor bërthamor i Iranit, Mohsen Fakhrizadeh, u vra nga një snajper i asistuar nga inteligjenca artificiale (AI). Arma kontrollohej në distancë nga operativët izraelitë, raporton The New York Times.

Kjo konfirmon pretendimin e Gardës Revolucionare të Iranit për ngjarjet e 27 nëntorit 2020, kur ata pretenduan se një "mitraloz inteligjent i kontrolluar nga sateliti" vrau shkencëtarin ndërsa ai po udhëtonte me makinë në lindje të Teheranit. Fakhrizadeh u qëllua të paktën katër herë nga arma smart, e cila ishte fshehur në një kamionçinë në një distancë të shkurtër. Në makinë me të ndodhej dhe e shoqja, e cila nuk është lënduar.

Armët e zgjuara

Arma së bashku me aparatin e saj të përparuar robotik peshonin afërsisht një ton, raporton NYT. Operativët izraelitë e kontrabanduan armën dhe pjesët e saj copë-copë në Iran dhe e montuan.

I gjithë sistemi u vendos më pas në shtratin e një kamioni ku ishin montuar disa kamera, në mënyrë që operatorëve izraelitë t'u jepej një pamje e plotë e objektivit. Për më tepër, kamioni ishte mbushur me eksploziv, në mënyrë që në përfundim (ose edhe nëse dështonte) të misionit çdo gjë të hidhej në erë pa lënë gjurmë.

Arma ishte e lidhur me një qendër komanduese izraelite përmes komunikimit satelitor. Një operativ në Izrael ishte në gjendje të kontrollonte armën dhe të vinte në shënjetër objektivin përmes ekranit të kompjuterit.

Një AI e posaçme u krijua për të kompensuar lëvizjen e makinës së Fakhrizadeh dhe vonesën prej 1.6 sekondash midis kamerës dhe asaj që shihte operatori. Një softuer i njohjes së fytyrës u përdor gjithashtu për të siguruar që vetëm shkencëtari iranian të ekzekutohej – duke i kursyer jetën e gruas së tij.

Luftë moderne

Në këtë operacion të përllogaritur në detaje pati vetëm diçka që nuk shkoi. Ndërsa kamioni shpërtheu pas vrasjes, ai nuk arriti të shkatërrojë sistemin e armëve inteligjente të panjohura deri tani. Kjo i lejoi Gardës Revolucionare Iraniane të rindërtonte atë që ndodhi - duke hedhur kështu dritë mbi realitetin e ri shqetësues të luftës moderne.

"Nuk ishte një sulm i thjeshtë terrorist, që dikush vjen, gjuan një plumb dhe ikën", tha djali i shkencëtarit Hamed Fakhrizadeh në televizionin shtetëror. “Vrasja e tij ishte shumë më e komplikuar se sa ju e dini dhe mendoni. Ai ishte i panjohur për publikun iranian, por ishte shumë i njohur për ata që janë armiku i zhvillimit të Iranit. "

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.