Një përkrenare greko-ilire gjendet në Kroaci

Postuar në 06 Shtator, 2021 12:31

Një përkrenare bronzi shumë e rrallë greko-ilire, e përdorur në Greqi gjatë kohës së luftërave greko-persiane, është zbuluar kohët e fundit në një varr të gdhendur në shkëmb në Dalmaci, Kroaci.

Përkrenarja është cilësuar nga arkeologët si gjetje e rrallë dhe e ka origjinën në Peloponez gjatë shekujve VIII dhe VII para Krishtit, raporton Greekreporter. Gjetja u bë kohët e fundit gjatë eksplorimit të varrit të shpellës në Zakotarac, i vendosur në gadishullin Pelješac, në Dalmacinë jugore, Kroaci. Varri i përket një luftëtari grek të varrosur afërsisht tre shekuj më vonë, në shekullin e 4 para Krishtit dhe ndodhet në shkëmb përgjatë një kodre pranë Gradinës.

Përkrenarja ikonike e luftëtarëve grekë

Ky stil i veçantë i përkrenares, e cila u bë mbulesa ikonike e kokës së luftëtarëve grekë gjatë shekujve, u përdor për herë të parë nga etruskët dhe skithët. Më vonë u bë e njohur si përkrenarja ilire.

Një formë alternative e kësaj përkrenareje u zhvillua edhe në Itali. Sidoqoftë, ky stil i përkrenares u përdor në shumicën e zonave të Greqisë në fillim të shekullit të V para Krishtit dhe vijoi të përdorej në Iliri deri në fund të shekullit V.

Një pjesë e kafkës së luftëtarit ka mbetur në përkrenare, pavarësisht se kanë kaluar mijëra vjet nga vdekja e tij.

Bashkë me përkrenaren, arkeologët zbuluan edhe disa armë të lashta, si shtiza dhe thika. Të paktën dy persona të tjerë mendohet se kanë qenë varrosur së bashku me luftëtarin, përfshirë një grua.

Gjetja u bë gjatë gërmimeve për restaurimin e një tume të dëmtuar. Varri daton më herët se kolonia në Korçula, e cila dihet se është themeluar në fund të shekullit të IV ose në fillim të shekullit III para Krishtit, sipas koordinatorit të projektit, dr. Hrvoje Potrebica, nga Departamenti i Arkeologjisë i Universitetit të Zagrebit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.