“Kolonializmi po vdes. Na shihni si të barabartë”

Postuar në 21 Qershor, 2021 13:40

Ish-presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, thotë se koha e kolonializmit ka mbaruar dhe bashkëjetesa paqësore mes kombeve mund të arrihet vetëm nëpërmjet miqësisë dhe respektimit të të drejtave të njëri-tjetrit. Në një intervistë me Anelise Borges nga Euronews, Ahmedinexhad thotë se superfuqitë nuk e kanë garantuar kurrë mirëqenien e popujve. I pyetur në lidhje me marrëveshjen bërthamore dhe rolin e BE-së në përpjekjen për riaktivizimin e saj, ish-presidenti i Iranit thotë se Europa duhet të dalë nga hija e SHBA-ve.

A ndiheni sikur Bashkimi Evropian ka dështuar me Iranin kur është fjala për kthimin e SHBA-ve në marrëveshjen bërthamore?

Më lejoni t'jua them… Ne kemi një dëshirë, por nuk e dimë nëse është e arritshme. Ne do të dëshironim që BE të dilte nga hija e SHBA. Evropa mund të ketë marrëdhënie të mira me Iranin. Dhe të njëjtën gjë mund të bënin edhe SHBA-të. Besoj se bashkëpunimi është parimi kryesor. Mekanizmat e njëqind viteve të fundit nuk mund të mbahen më të fuqi: e kam fjalën këtu për kornizën sipas të cilës disa vende qëndrojnë më lart se të tjerat. Ajo periudhë ka mbaruar. Ne duhet të flasim dhe të bashkëpunojmë si të barabartë, me drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. Asnjë vend nuk duhet të shkelë të drejtat e tjetrit. Kjo do të ishte e dobishme për të gjitha vendet. Gjërat në botë po ndryshojnë me shpejtësi. Kolonializmi është në hapat e tij të fundit. Prirja për të besuar se disa vende janë më superiore se vendet e tjera po mbaron. Është kundër njerëzimit. Ne duhet të shkojmë drejt miqësisë, mirëkuptimit dhe të drejtave të barabarta. Ne duhet ta menaxhojmë botën të gjithë së bashku. Mungesa e ekuilibrit midis kombeve shkakton luftëra, gara armësh, ndarje shoqërore dhe armiqësi. Kjo bën që kombet të jenë të ndara nga njëra-tjetra. Besoj se duhet të punojmë së bashku. Ne duhet të jemi miq me të drejta të barabarta. Ne të gjithë jemi qenie njerëzore. Pse ka dallime midis popujve? Na pëlqen të kemi marrëdhënie miqësore dhe të respektueshme me të gjithë, të tilla si Evropa dhe Amerika. Marrëdhëniet e bazuara në drejtësi. Superfuqitë kurrë nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë mirëqenien e njerëzve.

Ju flisni për menaxhimin e botës në paqe dhe gjetjen e zgjidhjeve paqësore. Kjo nuk është diçka e lehtë. Sidomos në lidhje me atë se sa shpejt politika po ndryshon tani dhe dinamikën e rajonit, por edhe të botës më të gjerë. SHBA tani ka një administratë të re. A mendoni se ka shpresë për një rinovim të marrëdhënieve midis SHBA dhe Iranit tani që Joe Biden është president?

Padyshim që ekziston një rrugë, por kushti është që ne t’i njohim të drejtat e njëri-tjetrit. Ne duhet të respektojmë drejtësinë dhe respektin e ndërsjellë. Përballja midis vendeve është e padobishme. Njerëzit janë ata që humbin. Vetëm grupet kapitaliste përfitojnë.

Kështu që po, është e mundur. Por z. Biden duhet të tregojë se politika e SHBA ka ndryshuar në mënyrë konkrete. Me sa di unë, politika e jashtme e SHBA-ve po përcaktohet nga njerëz të fuqishëm prapa skenave dhe presidentët e ShBA-ve nuk kanë aq shumë fuqi sa na kanë bërë ne të besojmë. Shpresoj që atje të ndodhin ndryshime thelbësore. Ne do ta mirëprisnim atë ndryshim - dhe unë mendoj se të gjithë kombet do të mirëpritnin ndryshimin thelbësor në politikën e jashtme të SHBA. Mbaj mend kur zoti Obama ishte kandidat, ai premtoi t’i ndryshojë këto politika disa herë dhe kombet e mirëpritën. Por fatkeqësisht, ai nuk e përmbushi premtimin e tij dhe e humbi rastin. Shpresoj që z. Biden ta shfrytëzojë këtë shans. Unë besoj se elitat e arsimuara të të dy vendeve do të bashkohen dhe do t’i zgjidhin problemet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.