Sulmi ndaj Izraelit, Irani ndihmoi Hamasin me teknologjinë e armatimit

Postuar në 15 Maj, 2021 13:07

Irani ka asistuar militantët e Hamasit për arsenalin e armëve që u bëri të mundur të godasin shënjestrat brenda Izraelit. Drejtues të lartë të Hamasit mendohet të kenë bërë vizita të shpeshta në Iran, ku janë trajnuar për prodhimin dhe përdorimin e sistemeve të sofistikuara të armëve si edhe objektet e prodhimit të raketave, të kontrolluara nga Trupat e Gardës Revolucionare.

Në këtë pikë, sipas agjencive perëndimore të inteligjencës, ka qenë kyç roli i gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani.   

Forca elite Quds e IRGC - e cila përkthehet si 'Forca e Jeruzalemit' - ka përgjegjësi për marrëdhëniet e Iranit me Hamasin. Komandanti Soleimani mori përgjegjësinë personale për mbikëqyrjen e ndërtimit të armëve të Hamasit derisa u vra në një sulm me dron të autorizuar nga Donald Trump, ish-presidenti i SHBA, janarin e kaluar.

Zyrtarët e inteligjencës besojnë se ndihma teknologjike e siguruar nga Irani, e cila përfshin këshilla të hollësishme për ngritjen e vetë infrastrukturës së prodhimit të Hamasit në Gaza, ka rezultuar në një përmirësim të ndjeshëm të aftësisë së organizatës terroriste për të goditur objektivat brenda Izraelit.

Në ditët e fundit, raketat Hamas kanë goditur qytete të mëdha izraelite si Tel Aviv dhe Lod dhe i kanë mundësuar Hamasit të arrijë objektiva si aeroporti kryesor i vendit Ben Gurion, duke bërë që disa kompani fluturimesh të anulojnë nisjen apo kthimin, si masë paraprake sigurie.

Bashkëpunimi midis Iranit dhe Hamasit është intensifikuar gjatë pesë viteve të fundit ndërsa grupi palestinez ka kërkuar të përmirësojë aftësitë e tij ushtarake pas disfatës që pësoi nga forcat izraelite në 2014, kur ushtria izraelite filloi një ofensivë tokësore që kishte në shënjestër infrastrukturën e Hamasit.

"Bashkëpunimi midis Iranit dhe Hamasit ka sjellë si rezultat që organizata të ketë armë shumë më efektive", tha një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore për Daily Telegraph, raporton Yahoo News.

Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes vlerësojnë se Hamasi dhe grupet e tjera terroriste islamike të vendosura në Gaza kanë rreth 30 000 raketa. Më parë Hamasi mbështetej vetëm te raketat me rreze të shkurtër Qassam, të cilat kanë një distancë prej rreth 6 milje dhe u përdorën për të sulmuar portin detar izraelit të Ashkelonit.

Por në sulmet e fundit ndaj Izraelit, Hamas ka përdorur raketa me rreze të mesme me një distancë prej 25 miljesh, si dhe raketa M-75 dhe J-80, të cilat kanë diapazone midis 50-60 milje. Zyrtarët izraelitë të mbrojtjes besojnë se këto raketa janë prodhuar në Gaza, bazuar në një dizajn iranian.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.