Çfarë po luan qeveria me tenderin e tunelit të Llogorasë?

Postuar në 17 Mars, 2021 23:42

Sot në media është njoftuar përfundimi  i afatit ligjor për shpalljen e fituesit për tenderin e tunelit të Llogorasë, një projekt me vlerë rreth 155 milionë euro.

Lajmi këtu është se qeveria, me sakte MIE si Autoritet Kontraktor nuk ka shpallur një fitues akoma, edhe pse ofertat dhe dokumentet e 6 kompanive të ndryshme janë dorëzuar më datë 1 Mars dhe deri më sot nuk ka asnjë informacion as mbi pranimin e tyre, as mbi skualifikimin.

Ligji shqiptar, më saktë Dokumentet Standarde të Tenderit e kësaj procedure konkrete, ka caktuar si kriter të vetëm për shpalljen e fituesit ofertuesin me vlerën më të vogël. Kuptohet që ky është kriteri i cili mbron sa më mirë interesin publik dhe ekonomizon investimet.

Ofertuesi me vlerën më të vogël në këtë rast është kompania “Gjoka” e cila ka dhënë një vlerë prej rreth 40 milionë euro më pak se fondi limit, duke vendosur një diferencë të qartë me konkurentët. Logjika dhe i vetmi intepretim i ligjit në këtë rast e kërkon që kjo kompani të shpallej fituese. Nga MIE nuk ka patur asnjë informacion mbi probleme të mundshme me dokumentacionin e kësaj kompanie. Në këto raste, praktika të mëparshme si ajo e Rrugës së Kardhiqit, rast i ngjashem ky dhe ku kompania “Gjoka” u shpall fituese në fund të procesit pas një lufte ligjore që zgjati rreth një vit, tregojnë që e vetmja mënyrë për të ndryshuar garën e çmimit është përjashtimi prej ceneve që gjenden tek “letrat”, siç quhen në këto raste dokumentet e ndryshëm që firmat dorëzojnë.

Këto beteja letrash bëhen zakonisht mbi kriteret e garës, siç janë kriteret financiare (disponibilitet financiar, xhiro mesatare etj.) apo kriteret e përvojës (punë të ngjashme, staf i nevojshëm, mjete teknike etj.). Këto janë kritere vetëm përjashtues, pra mund të përdoren për të përjashtuar një kompani nga gara, por jo për të përcaktuar drejtpërsëdrejti fituesin, sepse siç e thamë më lart, atë në këtë rast e përcakton çmimi që është kriter përcaktues.

Duhet thënë se kompania “Gjoka”, përtej Rrugës së Kardhiqit, është kompania fituese dhe zbatuese e projektit të Rrugës së Arbrit, një investim që kap vlerën e 250 milionë eurove,  e që përfshin 10 km tunele dhe 2 urat më të larta të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë. Nga ekspertët e ndërtimit dhe nga vetë ministrja Belinda Balluku, në vizitat e shpeshta në kantier, rruga e Arbrit është quajtur si vepra më komplekse infrastrukturore në Shqipëri. Logjikisht një kapacitet i tillë teknik dhe financiar justifikon kalimin e provës në një projekt të ngjashëm dhe madje më pak kompleks. Sepse nëse deri më tani komisioni i vlerësimit të ofertave, përveç çmimit që është më i ulëti nuk po bindet akoma për kualifikimin teknik dhe financiar të kompanisë, do duhet të paragjykohet tërësisht fakti se si iu besua 3 vite më parë një vepër e tillë si Rruga e Arbrit me një vlerë 2 herë më të madhe dhe më kompleksitet më të madh! Kjo vërejtje vlen edhe për shpejtësinë dhe saktësinë e vlerësimit të dokumentacionit nëse dikur kjo mund të jetë alibi.

Kujtojmë se Tuneli i Llogarasë është ndër veprat që qeveria Rama ka trumbetuar dhe mbrojtur si vepër që duhet të niset para zgjedhjeve. Dhe tashmë jemi në një skenar ku nisja e saj është vënë në dyshim.

Kemi pra një qeveri që propagandon dhe kemi po një administratë që vonon dhe bllokon!!!A është kjo një vonesë që vjen prej qeverisë apo është produkt vetëm i një apo më shumë personave, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, apo të tjerë me rangje më të larta, siç qe rasti i Rrugës së Kardhiqit, ku rolin kryesor e mori ish - drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato, kjo mbetet për t’u parë.

Përtej intrigave të pushtetit, në fund të 8-vjeçarit qeveria Rama ka gjithmonë e më shumë nevojë për të mbyllur disa projekte madhore, siç u mbyll në afate të shpejta dosja e Aeroportit të Vlorës, sidomos nëse krahasimet bëhen me veprat infrastrukturore (rrugore më saktë) të qeverisjes Berisha. Janë projekte që vetë kjo qeveri, vetë Kryeministri i quan madhore, strategjike, transformuese, por që edhe si të tilla, vetëm transparencë nuk duket njëherë të vetme të kenë, në mënyrë që vepra që quhen Publike, të kuptohen edhe nga Publiku sesi  jepen dhe menaxhohen.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

A eshte thene ndonje here se sa uje i pijshem do te jete i dobishem , i perdorshem e kush do jete vlera monetare

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.