Thjesht të jesh në politikë...

Postuar në 17 Mars, 2021 23:16
Skerdilajd Zaimi

 

Luan Rama dje dhe Edmond Haxhinasto sot kanë rrëfyer se kanë qenë kundër djegies së mandateve në Parlament. Duke dalë kështu kundër një vendimi të marrë nga LSI-ja disa kohë më parë, kur së bashku me PD-në lanë Parlamentin për të kontestuar atë që e quajtën fasadë në Kuvendin e Shqipërisë.

Tani, njeriun apo edhe një grup njerëzish i përndjek për një kohë gabimi që bëjnë, por nuk ka përndjekje më të madhe sesa ai që vjen nga budallallëku dhe shumimi agresiv i cinikëve.

Për z. Rama të vjen keq që del e flet tani për këtë çështje, kur fare mirë mund të shprehej në atë kohë, duke pranuar megjithatë vendimin e partisë. Do të ishte brenda kulturës së vet politike dhe profilit që ka ndërtuar në vite. Pasi mirë apo keq, z. Rama ka një mendim të vetin të paktën për politikën shqiptare, di të ndërtojë një analizë dhe di të çmojë momentet historike.

Ky i dyti, nuk ka kurrfarë vlere në këtë drejtim. Koniunktura dhe nuhatja e saj është aftësia e vetme e z. Haxhinasto dhe orientimi me interesin e momentit. Ai ngjan shumë me Nasip Naçon në këtë drejtim, me përjashtim të faktit se ka pamje më qytetare.

Dalja e këtyre dy zotërinjve me këtë qëndrim është fatkeqe; për ta së pari, sepse zbulon atë që edhe dihej e që është mungesa e karakterit dhe së dyti, për mbarë spektrin opozitar që nuk ka ditur të pastrohet nga kjo kategori. Me pastrim nuk është fjala me përjashtimin, por me krijimin e hierarkive reale që rrjedhin nga debati real i brendshëm politik, i vendimeve kolegjiale dhe që ushtrojnë bindje të brendshme përpara se të jenë detyrim ndaj kopesë. Ky episod ilustron më së miri atë ligjësi të politikës së pas perdes që kemi parë me vite, politikë e cila mundëson që Zëra të saj të jenë vetëm ata që kanë luajtur për identitetin e tyre publik. 

P.sh është fakt, por për të ardhur po ashtu keq, për shkak se paralajmëron se çfarë elite politike po vjen, se i vetmi që diti të përshkruante më mirë se të tjerët atë që ndodhi më 17 maj 2017, është Sali Berisha. Një politikan që luan pas kuintave, por në prag pensionimi e që po kujdeset vetëm për trashëgiminë politike. Zoti Berisha u shpreh dikur pas zgjedhjeve të vitit 2017 se dobësia e z. Basha ishte se ai nuk diti ta mbronte marrëveshjen e 2017-ës.

Tingëllon aktuale kjo vërejtje kur sheh sot se Lulzim Basha të krijon përshtypjen se përton që është politikan, se nuk ka asnjë ide për atë që flet dhe deklaron, duke zhbërë kështu edhe kërkesën për përgjegjshmëri në veprime.

Në këtë kuptim djegia e mandateve ishte një akt madhor dhe detyrimisht me pretendime morale që duhej mbrojtur si i tillë, përveç protestave. Por a e mbrojti atë opozita? A diti ajo të kapitalizonte aktin e vet që duhej të rithemelonte opozitarizmin dhe neutralizonte një parlament fasadë? A diti Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi të shkëputeshin nga perceptimi i 2017-ës për flirtim me pushtetin? Dhe a donin?

Nëse këto do të kishin ndodhur, sot nuk do të kishim të penduar për mandatet, por njerëz të bindur në kauzën e opozitarizmit sepse bindja në këtë vend është një lloj fshirëse xhami që shkon nga suksesi. Asgjë më shumë.

Është po ashtu komike të shohësh dy zotërinjtë në fjalë të ankohen dhe brengosen për djegien e mandateve të deputetit duke na treguar kështu se ndoshta vuajnë nga iluzioni se janë përfaqësues të popullit që dikur bënë një gabim. Janë përfaqësues të Ilir Metës, apo të interesave të tyre të ngushta që dikur u gjendën në Parlament. Gabim për ta që e shesin këtë iluzion dy lekësh të markës Spiropali-Balla, sepse edhe demagogjia në fund të fundit u shkon atyre që bëjnë politikë, e jo atyre që thjesht janë në politikë. Por pse të mos qeshim fundja në këtë rast? Fjalë të tilla janë të vetmet bëma të kësaj kategorie që pati shumë shanse, të pameriturara madje dhe në fund ditën vetëm të rrinë në rresht.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

"...me përjashtim të faktit se ka pamje më qytetare.". Goxha diskriminuese si shprehje. Pamje me qytetare. Ncncnc.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.