credins
Data sot është 21-05-2013, ora 07:32

Author Bios

Blogs by this author:

  • “Ne nuk duam të vijmë në pushtet mbi dhimbjen e njerëzve, por me krenarinë për të bërë gjithçka për të shuar dhimbjen dhe kjo do të fillojë të arrihet kur të hiqet qafe diktatori Berisha”. Kush i ka thënë këto fjalë të zjarrta kundër Berishës? Mos vallë lideri i opozitës, Edi Rama? Jo, janë tirada të Neritan Cekës në qershor ’97, kohë kur ishte president i PAD dhe ngrinte tre gishta nëpër mitingje kundër Berishës. Në atë kohë propaganda e Berishës shpifi dhe e akuzoi Cekën se duke ngritur tre gishtat, kishte importuar në Shqipëri simbolin serb të Milosheviçit. Kanë kaluar thuajse 16 vjet dhe tabloja është përmbysur. Sot shohim Neritan Cekën që është bërë ambasador i diktatorit Berisha dhe që nga Roma shkruan letra të hapura kundër liderit të opozitës, Edi Rama, ku e akuzon se është treguar një diktator tepër i egër, sepse paska cekur veshin e djalit të tij, diplomat në Vjenë. Dhe thuaj pastaj që Shqipëria nuk po ndryshon!

    ***

    Lexoj letrën e hapur të Neritan Cekës ku ai konstaton se Rama ka ndryshuar shumë që nga kohët kur paskëshin qenë miq dhe pinin kafe herë në Tiranë e herë në Paris. “Dhe pyes veten se si mund të ndryshojnë njerëzit nën efektin shkatërrimtar të pushtetit” – shkruan Ceka. Vërtet?! Përpiqem të bëj krahasimin e kohëve dhe të njerëzve. Në vitin 1997 edhe Ceka edhe Rama ishin në opozitë kundër Berishës. Rama u rrah banditisht për vdekje, ndërsa Ceka u rrah me shkop gome gjatë protestës së opozitës për vjedhjet e zgjedhjeve të 26 majit nga Berisha. Sot Edi Rama është prapë në opozitë me Berishën, kundërshtari kryesor i tij, ndërsa Ceka është në anën e pushtetit, në anën e Berishës që dikur e denonconte publikisht si diktator. Ja lë në dorë lexuesit të gjykojë se kush nga këta të dy politikanë ka ndryshuar, “nën efektin shkatërrimtar të pushtetit” ai që është ende në opozitë apo ai që është në pushtet.

     

    ***

    Vite më parë, në kohën kur Neritan Ceka ishte ministër i Brendshëm, i një prej qeverive socialiste është akuzuar nga gazeta “RD” se i ka dhënë urdhër policisë të arrestojë një qytetar që kish guxuar të kalonte me makinë para eskortës së Cekës dhe se sipas tij ai kish dashur t’i bënte atentat. Në artikullin në fjalë, që mban autorësinë e E.Palokës, arrihet në përfundimin se “gjendja mentale e Cekës është tepër e rëndë. Ceka gjithnjë është konsideruar i papërgjegjshëm dhe paranojak, por dështimi i plotë si ministër siç duket ka bërë që sëmundja të avancojë me shpejtësi. Tani qytetarët e Tiranës duhet të ruhen se mos dalin në rrugë kur kalon Ceka, pasi mund të akuzohen menjëherë si atentatorë”. Do të ishte tepër e lehtë që të përdorje këto akuza kundër Cekës, të bërë nga aleatët e tij të sotëm, si  argumente për të hedhur poshtë akuzat e Cekës ndaj Ramës. Për shembull të themi se frika që shfaq për veshin e të birit është gjurmë e së njëjtës paranojë. Por nuk do ta bëjmë këtë. Sepse e dimë fare mirë që të gjitha kanë qenë shpifje. Ne nuk besojmë se Ceka ka qenë i papërgjegjshëm dhe paranojak kur ishte ministër i Brendshëm i së majtës. Nuk besojmë në këto shpifje as sot kur është ambasador. Por nuk mund të mos konstatojmë se akuzat që ai i drejton liderit të opozitës janë pjesë, në mos e paranojës së regjimit, e një skenari shpifarak që diktatori Berisha, po ai i pandryshueshmi që Ceka u bënte thirrje shqiptarëve ta përmbysnin në vitin ’97, e ka organizuar në mënyrë naziskine për të goditur liderin e opozitës. Pse themi në mënyrë naziskine? Sepse ka qenë në natyrën dhe taktikën e Hitlerit që, sikundër pohon vetë në “Main Kampf”, të godasë duke “…vjellë një rrjetë zjarri gënjeshtrash e shpifjesh ndaj kujtdo kundërshtari që i duket më i rrezikshëm…”. Dihet që Edi Rama është sot kundërshtari më i rrezikshëm për Berishën dhe prandaj ky i fundit, tamam si Hitleri, ka mobilizuar makinerinë e shpifjeve kundër tij. E akuzon për “pallatin e Lindës” në një kohë kur nuk justifikon dot me rrogë as apartamentin ku banon e jo më pasuritë e familjes. Berisha ka ngritur, në thelb, të njëjtën stuhi shpifjesh që pat mobilizuar dikur kundër Neritan Cekës kur ai ishte ministër i Brendshëm. Çudia është se pikërisht Ceka, që ka vuajtur mbi kurrizin e tij zellin e kësaj makinerie, bëhet një bulon i saj kundër liderit të opozitës dhe në shërbim të, përsërisim fjalët e Cekës,  “diktatorit Berisha”. Ceka mund të pretendojë se Berisha ka ndryshuar, se nuk është më ai diktatori i vitit ’97. Por Berisha ka dhënë prova gjatë 8 vjetëve qeverisje se jo vetëm nuk ka ndryshuar, por është përkeqësuar. Fakte? Ka vazhduar të vjedhë zgjedhje, ka vazhduar të kapë gjithë pushtetet, ka vrarë protestues të pafajshëm, ka akuzuar opozitën si puçiste dhe armike të popullit, ka keqpërdorur shtetin për të fuqizuar pushtetin duke punësuar militantë dhe flakur nga punërat publike jo militantët, ka thelluar korrupsionin duke pasuruar veten dhe oborrin e tij. Ka edhe shumë të tjera, të gjitha bëma tipike për diktatorët dhe liderët autokratë. Dhe Neritan Ceka është sot në krahun e këtij diktatori që ka 23 vjet që e zvarrit fatin e Shqipërisë edhe në sajë të kontributeve të ofruara  në favor të tij nga politikanë si Ceka. Përse? Sepse sikundër thotë vetë Ceka, forca shkatërruese e pushtetit të ndryshon. Një krahasim i Cekës së vitit 1997 dhe këtij të vitit 2013, e provon fare mirë këtë. Ceka thotë se është sojli. Po a e dredhin sojlinjtë kështu?

     

    ***

     

    Nuk mund të mos na kujtohet grotesku kadarean i këmbës së shkelur të kinezit Ping. Ngritja e komisionit hetimor nga Berisha, po na bën të besojmë se ashtu si dhe për këmbën e Ping-ut, do kërkohet një radiografi edhe për veshin e Cekës. Ceka shfaqet i revoltuar nga dhuna ekstreme e Ramës dhe bën thirrje që shqiptarët të shndërrojnë çështjen e veshit, në një moto për të mbajtur në pushtet “diktatorin Berisha”. Ka bërë një letër të hapur për veshin e të birit, por nuk ka bërë një të tillë as për të vrarët në Gërdec dhe as për ata në 21 janar. Me siguri ka adoptuar tezën se për masakrën e 21 janarit e ka fajin Rama “sepse ai i solli protestuesit para Kryeministrisë”. Por të thuash këtë, do të thotë të pohosh se Berisha është një egërsirë që vret. Dhe kush nxjerr protestues para Kryeministrisë është fajtor sepse, është njësoj si t’i nxjerrë njerëzit para një tigri. Por edhe teza “fajtor është ai që i solli” dhe jo ai që i vrau, i ka këmbët e shkurtra si vetë gënjeshtra. Propaganda berishiste e ka akuzuar dikur ambasadorin e saj, Ceka, si fajtor për vrasjen e disa gardistëve në Cërrik gjatë trazirave të vitit ’97. Ceka mund të mbrohet ndaj këtyre akuzave vetëm me tezën fajtor është ai që i solli gardistët në Cërrik. Por nuk e bën dot sepse në Cërrik, gardistët që u vranë i dërgoi Berisha. Ky i fundit ka thënë se gardistët shkuan në Cërrik për të mbrojtur shtetin nga rebelët e organizuar nga Ceka. Por Ceka nga ana e tij ka thënë se “shteti i Berishës nuk mund të rrëzohej pa rebelim”. Jo pak shqiptarë e mendojnë edhe sot e kësaj dite të njëjtën gjë. Një frikë që kthehet në bindje kur shikon Berishën të vendosur të qeverisë zgjedhjet me një gjysmë KQZ, me një ministri të brendshme që falsifikon lista zgjedhësish dhe një Kolegj Zgjedhor në shërbim të tij. Në fakt, Berisha lutet në fshehtësi që opozita t’i drejtohet rebelimit. Ai po bën gjithçka, po shpalos arrogancë dhe tirani ekstreme që ta detyrojë opozitën t’i drejtohet dhunës dhe të humbasë të drejtën. Por opozita, e grupuar në një koalicion që ka dukshëm shumicën e votuesve, duket se nuk do të bjerë në këtë kurth. Ajo shfaqet e vendosur ta përmbysë autokratin me votë. Prandaj dhe Berisha është më i dëshpëruar se kurrë. Kërkon ta tensionojë me çdo kusht situatën. Dhe si i mbyturi pas fijes së barit kapet pas …veshit të Cekës. - SHQIP

  • Titulli i këtij shkrimi mund t’i bëjë të gafurren nostalgjikët e komunizmit. Veç qëllimi i tij nuk është të mburrë një regjim të dështuar, por të denoncojë paaftësinë e qeverisë për të shfrytëzuar epërsitë e sistemit që mposhti komunizmin. Të gjitha qeveritë e tranzicionit kanë dështuar lidhur me problemin e punësimit të shqiptarëve. Duket sikur bashkë me Partinë e Punës të Enver Hoxhës, u varros edhe vetë “Puna”. Statistikat e mbi 20 vjetëve tranzicion denoncojnë papunësinë si kancerin e ekonomisë apo virus të mjerimit. Sipas një studimi të FMN-së, publikuar në vitin 1992, fuqia punëtore në Shqipëri, në vitin 1990 ishte rreth 1.5 milionë veta, nga të cilët rreth 1.4 milionë ishin të punësuar, ndërsa rreth 132 mijë (rreth 10 për qind) figuronin të papunë. Mbi dy dekada pas përmbysjes së komunizmit, fuqia punëtore është pakësuar, për shkak të emigrimit, me rreth 500 mijë njerëz. Po ashtu, me 500 mijë ka zbritur edhe punësimi. Nga rreth 1.4 milionë të punësuar në vitin 1990, sot në Shqipëri figurojnë rreth 900 mijë. Gjë që provon se e vetmja kurë për papunësinë në periudhën postkomuniste ka qenë emigracioni, ndërkohë që qeveritë e tranzicionit kanë qenë të paafta të ruajnë, të paktën, atë nivel punësimi që Shqipëria trashëgoi nga sistemi i vjetër. Dhe pjesa e luanit në këtë paaftësi kronike, u përket qeverive të PD-së dhe Sali Berishës. Sepse në këto më shumë se dy dekada pas rënies së komunizmit, socialistët kanë qeverisur vetëm 8 vjet. Të tjerat i përkasin PD-së. Tani, në vitin 2013, Berisha ka dalë përsëri me premtime për punësimin. Në katër vitet që vijnë, ne duhet të krijojmë edhe 250 mijë vende pune të reja! – shpalli para pak ditësh Berisha. Prapa këtij premtimi, që Berisha e quan më të rëndësishmin për të fituar një mandat të tretë radhazi, qëndrojnë dështimet spektakolare në mbajtjen e premtimeve për punësim të bëra në zgjedhjet e vitit 2005 dhe pastaj në ato të vitit 2009. Dhe 8 vjet dështime dhe paaftësie në punësimin e shqiptarëve, janë pak si shumë për të besuar se ky Kryeministër mund të bëjë diçka vetëm dhe vetëm se premton se do të bëjë “gjithçka”.

     

    ***

    Kur në vitin 2005 shpalli projektin e tij “për ndryshim”, Sali Berisha premtoi se qeveria e tij do “të krijojë mundësi për punësimin e çdo shqiptari”. Sipas Berishës, papunësia “veçanërisht me nivelet alarmante të saj mes brezit të ri, e trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit”. Thuajse 8 vjet më pas, gjendja ka mbetur po ajo alarmantja e “trashëguar nga qeverisjet socialiste” që, nuk duhet harruar, e nisën punën në kushtet e një ekonomie të rrënuar nga kolapsi i vitit 1997. Nga 932 mijë të punësuar që trashëgoi nga qeverisja socialiste në vitin 2005, qeveria “Berisha” shënonte në vitin 2012, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), vetëm 927 mijë të punësuar. Pra 5 mijë të punësuar më pak! Një tablo që nuk përputhet aspak me premtimin e Berishës bërë në vitin 2005, se “programi i qeverisë, që synon rritjen e ritmeve të rritjes ekonomike, njëkohësisht synon që kjo rritje të krijojë vende të reja pune të mjaftueshme për të ulur papunësinë në nivelin e vendeve europiane”. Nga ky këndvështrim, shfaqet edhe më absurd pretendimi i dikurshëm i Kryeministrit për një rritje dyshifore të prodhimit. Sepse, si qe e mundur që një rritje e tillë e Prodhimit të Brendshëm të mbetej kaq indiferente ndaj punësimit? Për faktin e thjeshtë se një rritje e tillë ekzistonte vetëm në kokën e Kryeministrit. Ajo ishte një mashtrim.

     

    ***

    Në vitin 2005, kur Berisha premtoi ndryshimin “e madh”, të papunët me statistika ishin 154 mijë vetë. Por në atë kohë, Berisha nuk pajtohej me këtë statistikë të ofruar nga INSTAT-i. Duke iu referuar Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Berisha theksonte se “stanjacioni në krijimin e vendeve të reja të punës dhe niveli i lartë i papunësisë, sipas definicionit të ILO-s me më shumë se 38 për qind, janë probleme të rënda për shoqërinë shqiptare”. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Prandaj premtoi “punësimin e çdo shqiptari”. Edhe në vitin 2009, Berisha përsëri premtoi se do të hapeshin 160 mijë vende pune. Edhe Ilir Meta, që u bashkua me të në qeveri, premtoi 60 mijë vende të reja pune. Sot rezultati i qeverisjes PD-LSI, shfaqet katastrofik për jetën e shqiptarëve! Gjendja e papunësisë është po ajo që kritikonte 8 vjet më parë Berisha. Faktet flasin vetë! Sipas ILO-s, në fund të vitit 2012 kishim diçka më shumë se 141 mijë të papunë. Në vitin 2005, kur Berisha premtoi “ndryshimin e madh”, të papunët ishin 154 mijë vetë. Në 8 vjet qeverisje, Berisha ka arritur të reduktojë papunësinë vetëm me…13 mijë vetë! Ky është “ndryshimi i madh” i Berishës! Por gjendja është më e keqe se ajo që tregojnë statistikat e lustruara të qeverisë. Sipas Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), papunësia e deklaruar nga qeveria për vitin 2012 ishte 13 për qind, por komenton se papunësia mund të kalojë 30 për qind, për shkak të mbizotërimit të fermerëve që mezi mbijetojnë. Kujtojmë se papunësia në të dalë të komunizmit ishte, sipas FMN-së, po rreth 10 për qind! Ekonoma e tregut më dobët se komunizmi!

     

    ***

    Por më i rrezikshmi në gjithë këtë histori premtimesh dhe mashtrimesh mbetet fakti se qeverisjet e paafta dhe të korruptuara, që sjellin vetëm pasurim politikanësh e qeveritarësh nga njëra anë dhe varfërim të masave nga ana tjetër, po komprometojnë shanset e sistemit me treg të lirë. Po t’u hedhësh një vështrim statistikave mbi gjendjen e papunësisë në Shqipëri në fillim të tranzicionit, do të konstatosh se sot ajo është më e keqe. Janë statistika dhe të dhëna të përpunuara nga stafe të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe jo nga burokracia komuniste në ikje e sipër. Dhe rezulton se në vitin 1990, në Shqipëri kishte 1 milion e 434 mijë të punësuar, pra rreth 500 mijë më shumë se sot. Ndërsa të papunë kishte 132 mijë vetë, pra më pak se në vitin 2007. Mos vallë duhet të themi se komunizmi vazhdon të tregojë epërsitë e veta ndaj kapitalizmit në Shqipëri? Sepse në dukje janë shifra që nxisin nostalgji donkishoteske. Veç e vërteta e dështimit nuk është epërsia e sistemit komunist, por paaftësia e qeveritarëve të tranzicionit postkomunist, paaftësi që nuk është në gjendje të konkurrojë as me shifrat e një sistemi të rrëzuar nga kalbëzimi dhe varfëria. Ndër këto qeveri totalisht të paafta është edhe kjo e Berishës që premtoi punë për të gjithë, por ofroi papunësi për shumicën e shqiptarëve. Prandaj edhe nuk mund të votohet nga shumica e shqiptarëve! SHQIP

  • Shoh dhe dëgjoj Berishën që përkujton Azem Hajdarin. E quan Lider. Një kompliment që nuk do ta bënte kurrë sikur Azemi të ishte gjallë. Tani e bën, sepse Azemi nuk ia rivalizon më dot pushtetin në PD. Në funksion të pushtetit Berisha e diskriminoi Azem Hajdarin. Edhe vrasjen e tij e përdori si pretekst për një grusht shteti. Tani që ka vdekur e mburr po në funksion të pushtetit. Por sado ta dredhë gjuhën Berisha, faktet denoncojnë hipokrizinë dhe demagogjinë e tij. Edhe për Azem Hajdarin.

     

    ***

    Në 9 janar të vitit 1997 gazeta RD, e komanduar nga Berisha, dilte me kryetitullin: Të përjashtohet Hajdari nga grupi parlamentar! Dhe sqaronte se kjo ishte një kërkesë që grupi parlamentar i bënte strukturave drejtuese të PD. Që në thelb do të thoshte se Berisha i kërkonte Berishës përjashtimin e Azem Hajdarit nga PD. Azemi është akuzuar nga gazeta e Berishës deri edhe për terrorizëm. Sot Berisha vendos lule në monumentin e Hajdarit që e quan “lider të dhjetorit”. Por në një nga numrat e hershëm të gazetës RD shkruhet se ”Askush në dhjetorin e ’90-s nuk ka shkuar pas Azem Hajdarit, studentët dhe gjithë rinia iu bashkuan PD-së me të vetmin qëllim madhor, shkatërrimin e totalitarizmit”. Pra sa qe gjallë Azem Hajdari nuk konsiderohej lider. Madje “sindikalizmi” i tij u ndëshkua nga Berisha. Statusi i tij në grupin parlamentar të PD “u ngri”, që do të thoshte se praktikisht, ai ishte i përjashtuar. Jo pak vetë mbajnë mend 25 pyetjet që gazeta “Albania” i drejtoi publikisht Azem Hajdarit. Kam pasur rast ta intervistoj Hajdarin lidhur me këto pyetje, që në fakt, sikundër shkruan edhe Mero Baze në librin e tij “Viti ‘97”, ishin 25 denoncime të bëra me urdhër të Berishës kundër atij që sot e quan “lideri i dhjetorit”.

     

    ***

    Motivet e vrasjes së Azem Hajdarit mbeten të mbështjella me mister. Por po të gjykosh mbi kritere politike shumë indicie hedhin dyshimin mbi Berishën. Për shembull sot dimë se organizator i atentatit kundër Hajdarit qe Izet Haxhia, ish-kryebodigardi i Berishës. Në grupin e atentatorëve ndodhej edhe Jaho Mulosmani. Edhe ky gjatë vitit 1997 bodigard i Berishës. Rastësi? Ekzistojnë regjistrime filmike në orët pas vrasjes së Azemit, që tregojnë Haxhinë ulur në shkallët e korridoreve të godinës së PD, ndërsa Berisha mban majë ballkonit të saj, fjalime nxitëse kundër qeverisë dhe Fatos Nanos që “vranë liderin e demokracisë”.

     

    ***

    Por dyshime të forta bien mbi Berishën edhe po të gjykosh vrasjen e Azem Hajdarit sipas logjikës që Ciceroni përdori në gjyqin e famshëm kundër Krisogonit. Duke shtruar të njëjtën pyetje ciceroniane: Cui Bono, “kush përfitoi” nga krimi? Pra kush përfitoi nga vrasja e Azem Hajdarit? Ka vetëm një përgjigje: Sali Berisha. Pushtetarët socialistë nuk kishin fare interes për një incident të tillë të përgjakshëm. Grushti i shtetit i 14 shtatorit që pasoi vrasjen e Hajdarit tregon se incidenti i duhej Berishës për të luftuar socialistët po aq sa djegia e Rajhshtagut i duhej Hitlerit për të luftuar komunistët. Berisha, në përfundim të konferencës për shtyp menjëherë pas vrasjes së Hajdarit, përplasi pëllëmbën mbi tavolinë duke dhënë me këtë gjestikulacion nervoz, sinjalin e qartë se kjo punë nuk ndahej kollaj. Gjithë veprimet e Berishës dhe ngjarjet të shtyjnë të dyshosh se grushti i shtetit qe pjesë e një skenari të hartuar që më parë.

    Në një analizë politike Berishës i duhej një incident i tillë si vrasja e Hajdarit. Nuk duhet harruar se Berisha pas humbjes së pushtetit në 1997, ndodhej në një pikë të vdekur të karrierës së tij politike. Të gjithë, miq të afërt dhe ndërkombëtarët ia kishin kthyer shpinën. I trembur se përgjatë një qeverisjeje 4-vjeçare të socialistëve mund të përgjigjej para drejtësisë për piramidat dhe deri ngjarjet e vitit 1997, Berisha ishte në alarm. Kjo shpjegon edhe reagimin e tij të ashpër dhe me të gjithë energjitë kundër arrestimit të gjashtë drejtuesve të PD-së të akuzuar për krime në ngjarjet e vitit ’97. Mesazhi qe i qartë. Nëse drejtësia do të guxonte të vepronte, reagimi do të ishte lufta civile. Ndërkaq, Berisha e dinte sesa më shumë kohë kalonte, aq më shumë forcohej pushteti socialist dhe rrezikshmëria e tij për Berishën. Ndaj a nuk do ishte më mirë që socialistët të largoheshin sa më shpejt nga pushteti, mundësisht pa e mbushur ende mandatin? Por për një gjë të tillë nuk mund të arrihej veçse me dhunë të armatosur. Berishës i duhej kështu një pretekst i fortë që do të justifikonte përdorimin e dhunës. Si një pretekst i tillë do të përdorej vrasja nga Kryeministri “Nano” e Azem Hajdarit. Mos vallë Hajdarin po e dekorojnë sot po ato duar që e vranë?

    SHQIP

  • Ndërsa në Sofje, Kryeministri Borisov dha dorëheqjen duke arsyetuar se nuk mund të qëndronte në krye të qeverisë, kur policia rreh qytetarë protestues, në Tiranë, Kryeministri Berisha vazhdon të mburrë si akt patriotik vrasjen, para zyrës së tij, të 4 protestuesve të opozitës dhe plagosjen e nja 30 të tjerëve. Në Sofje rrahja e protestuesve nga policia është një sakrilegj. Në Tiranë vrasja e protestuesve nuk është një krim. Në Sofje kërbaçi mbi protestuesit është një turp që Kryeministri nuk e duron. Në Tiranë derdhja e plumbave mbi protestuesit janë një heroizëm që Kryeministri i përgëzon. Në Sofje Borisov largohet nga pushteti se nuk do të vrasë. Në Tiranë Berisha vret se nuk do të largohet nga pushteti. Por mbi të gjitha këto konsiderata, mbi të gjitha ekspertizat apo “rikoshetat”, këmbëngul një enigmë që sprovon logjikën: Përse i vrau? Dhe analiza e fakteve zbulon metastazat e një skenari nazisto-komunist që, i zbatuar nga Kryeministri më 21 janar, tentoi kriminalizimin dhe ndëshkimin e opozitës politike.

    ***

    Përse i vrau? Përgjigjja më e përgjithshme, pra dhe më thelbësore është, për pushtet! Dhe pas 23 vjet tranzicion askush nuk mund të dyshojë se Sali Berisha lakmon pushtet absolut, të përjetshëm. Edhe mbështetësit e tij nuk mund ta mohojnë këtë. Madje prandaj e mbështesin. Një solidaritet që bie ndesh me cilësimin “demokrat” që ata mbajnë, si edhe me rotacionin tipik për demokracinë. Por nuk është e para herë që emërtimet ndahen nga përmbajtja, fjala nga vepra, nami nga vetë njeriu. Dhe nuk është e para herë që Berisha pozicionon njerëz për të vrarë njerëz në emër të pushtetit. E ka bërë edhe në vitin 1997, kur çoi vendin drejt një konflikti civil. Edhe në vitin 1998, kur ndërseu paramilitarë të armatosur në një sulm mbi Kryeministri dhe pushtoi TVSH. Por vrasjet e 21 janarit janë produkt i një intrige edhe më të hollë të diabolizmit në pushtet.

    ***

    Përse i vrau? Ka opinione që pretendojnë se Berisha vrau që t’i jepte një mësim opozitës që të mos protestonte më. Teza bie po të kemi parasysh se Berisha duroi gjakftohtë dhe për një kohë të gjatë, jo vetëm protesta, por edhe një grevë urie të opozitës. Berisha kish deklaruar publikisht se e drejta demokratike e protestës do të mbrohej. Berisha e dinte se shtypja me gjak e protestave apo demonstratave është politikisht kundërproduktive. Natyrisht askush në qeveri nuk ka qejf të shohë protestues para penxheres së tij. Sepse dihet që protestat rrisin, pak nga pak, ortekun e pakënaqësisë. Por është gabim t’i vrasësh. Protestat duhet t’i asfiksosh. Si të gjithë autokratët Berisha i di që protestat është më mirë t’i asfiksosh. Atëherë përse vrau në 21 janar?

    ***

    Në nisje të karrierës së tij, gjeneral Bonaparti asgjësoi me top një protestë të ruajalistëve kundër Direktoratit. Me ca goditje direkte topash mbi turmë u vranë nja 300 protestues dhe demonstrata mori fund. Bonaparti u justifikua për këtë masakër, duke shpjeguar se nëse nuk do të kish qëlluar që në fillim në mish, turma do të kish marrë një guxim që do të mund të përballej vetëm duke vrarë shumë më tepër protestues. Donte të thoshte se vrau për të shpëtuar jetë! Mos vallë Berisha ka arsyetuar si Bonaparti? Dinamika e protestës nuk do ta mbështeste. Sepse nuk patëm një vërshim turme që, si një lumë i dalë nga shtrati, përlan përpara gjithçka. Të gjithë e panë se edhe pjesa më aktive e protestuesve, ata që u përleshën duke qëlluar me gurë e shkopinj mbi policinë, kur kjo e fundit u tërhoq, u ndalën te kangjellat e Kryeministrisë. Askush nuk perceptoi rrezikun se masa e njerëzve do të derdhej mbi Kryeministri. Edhe kur u shpërthye dera e hekurt e oborrit, dy a tre protestues që bënë pak hapa brenda tij u tërhoqën sakaq. Nëse vërtet gardistët apo vetë Berisha do të kishin qenë nën ankthin e parandalimi të ndonjë vërshimi të turmës, të vrarët do të ishin nga ata protestuesit që shkelën në oborr. Por çuditërisht vrasjet ndodhën në momentin kur demonstrata nuk ishte në vërshim, por në zbaticë! Dhe të vrarët janë qartazi larg oborrit. Ata nuk kërcënonin as jetën e gardistëve dhe aq më pak atë të Berishës. Atëherë përse i vrau?

    ***

    I vrau si pjesë e një skenari të ngjashëm me atë të bombave në Ambasadën Sovjetike, që Enver Hoxha e zbatoi për të përligjur asgjësimin e opozitës politike, apo me djegien e Rajhshtagut që Hitleri e përdori për të asgjësuar opozitën në Gjermani. Kushdo politikan që aspiron pushtet pa fund, ëndërron si ta kriminalizojë opozitën për ta asgjësuar në emër të popullit apo Atdheut! Opozita duhej të kryente një krim të ndëshkueshëm me ligj. Dhe ky krim do të qe “vrasja” e ca protestuesve nga vetë ajo. Berisha vrau në mënyrë që të akuzonte opozitën që vrau! Ky fill logjik lidh dhe shpjegon zinxhirin e fakteve e ngjarjeve. Shpjegon se përse Kryeministri Berisha akuzoi publikisht opozitën për vrasjen e protestuesve me thika me helm apo me çadra pistoletë. Shpjegon se përse ai deklaroi se kishin të dhëna të sigurta për inkriminimin e opozitës, të dhëna që më pas u tretën si kripa në ujë. Logjika e skenarit komunisto-naziskin shpjegon se përse një mjek i Spitalit Ushtarak deklaroi se të vrarët kanë marrë goditje me plumb nga aq afër sa duken edhe gjurmët e barutit në plagët e tyre. Koha dhe ekspertiza provoi se të gjitha këto ishin gënjeshtra. Çudi është se askush nuk e hetoi këtë mjek për të zbuluar se përse mashtroi publikun. Por është fakt se gënjeshtrat e tij qenë në sinkron me deklaratat e Berishës. Dhe vetëm kaq mjafton për të zbuluar fillin e skenarit kriminal: Berisha vrau që të akuzonte opozitën se vrau! Berisha vrau jashtë gardhit, sepse opozita ishte jashtë gardhit. Berisha nxitoi të vriste, ndërsa protestuesit largoheshin, sepse pa ca të vrarë nuk mund të lante hesapet me opozitën duke e akuzuar për vrasje. Në Bullgari, Borisov e quan të pamoralshme të qëndrojë në krye të qeverisë kur policia rreh. Berisha e quan legjitime të qeverisë edhe kur Garda vret. “Vrava që të mbroj pushtetin”, thotë ai. Por a nuk i quante edhe diktatori Hoxha legjitime vrasjet për mbrojtjen e pushtetit? Prandaj kush voton Berishën, voton një pushtet kriminal, një pushtet që vret.

    SHQIP

  • Pasi gjykata shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit, nuk vonoi dhe Kryeministri Berisha u pa në një konferencë të sajdisur shtypi, për të folur për “çështjen kapitale” të bujqësisë. U parakuptua se kish dalë për të bërë alibinë e drejtësisë “së pavarur” të kapur nga ai vetë. Prandaj nuk u habitëm aspak, që pyetjes së gazetarëve për çështjen kapitale të ditës, vendimin absurd të gjykatës, Berisha iu përgjigj: Nuk do më shikoni kurrë të komentoj vendimet e gjykatave! Prononcimi dinak i Kryeministrit është dyfish i gënjeshtërt. Si për të djeshmen, ashtu dhe për të sotmen. Sepse sa qe në opozitë, Berisha jo vetëm ka refuzuar, edhe ka mallkuar publikisht vendimet e gjykatave. Por edhe për sot, kur dihet se nuk ekziston pavarësia e gjyqësorit nga qeveria. Dhe ç’nevojë ka Berisha të komentojë një vendim gjykate që nuk është gjë tjetër veçse zbatim i vullnetit të kryeministrit? Kjo vetëm do ta dëmtonte rrenën e “pavarësisë” së një gjyqësori në sinkron të plotë me qeverinë. Berisha qe i pari që, pasi konsumoi pa sukses shpifjet për grusht shteti, formuloi versionin e vrasjes së protestuesve “pa dashje”, me “rikoshetë”. Gjykata tha se vrasjet janë bërë me rikoshetë. Berisha dhe deputetët e tij i shpallën të akuzuarit për vrasje heronj që mbrojtën institucionet. Gjykata sapo shpalli se të akuzuarit për vrasje kanë bërë vetëm detyrën. Edhe gjykatësit e diktaturës nuk i zbatonin me kaq zell e përpikëri direktivat e PPSH. Vendimi i djeshëm është një tjetër provë si Berisha i dikton vendimet e gjykatave. Dhe nuk i komenton sepse janë të varura e jo të pavarura prej tij.

     

    ***

    Taktika nuk është e panjohur. Askush nga shqiptarët nuk e ka parë diktatorin Enver Hoxha të komentojë vendimet e gjykatave që çonin në plumb opozitarët e pushtetit. Por a mos do të thotë kjo se gjykatat ishin të pavarura nën komunizëm, se ishin të pavarura nga Enveri?! Dhe shqiptarët nuk duhet të harrojnë se thelbi i diktaturës është “e drejta” për të vrarë opozitarët, protestuesit me ligj. Duke bashkuar në një aliazh politik qeverinë me “drejtësinë”, autokrati Berisha po e shtyn Shqipërinë drejt diktaturës. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte në logjikën e një diktature, jo të një demokracie. Në Shqipëri gjykatat po keqpërdoren për të vrarë drejtësinë, lirinë, jetën, pronën dhe demokracinë! Autokrati Kryeministër i ka lidhur gjykatat dhe ndërkaq, kërkon t’i shesë sikur janë të paprekshme. Prandaj nuk i komenton vendimet e gjykatave. Por është SHBA, që ndryshe nga ky “demokrat”, i komenton. Verdikti i djeshëm, thuhet në një deklaratë të ambasadës së SHBA, “ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.

     

    ***

    Ik more anej! – iu drejtua me arrogancë folësja e Kuvendit Topalli, deputetit socialist Tahiri që protestonte për abuzimin e pushtetit me gjykatat. Por kjo rrugaçëri parlamentare, është shumë më pak e rrezikshme për demokracinë se sugjerimi që Topalli i bëri opozitës. Kur flet gjykata, ju duhet të heshtni! – iu gërmush e nervozuar opozitarëve në sallë. Le t’ia thotë tani të njëjtën gjë ambasadorit Arvizu! Edhe Berisha. Sipas Topallit, Berishës, Bregut e K° opozita duhet të heshtë ndaj padrejtësive, ndaj mosndëshkimit të vrasjeve të protestuesve më 21 janar, ndaj mosndëshkimit të korrupsionit të përgjakshëm të Gërdecit, ndaj vjedhjes së zgjedhjeve në 2009 apo maj 2011. Pse? Sipas tyre, për të respektuar pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve! Sa qesharakë bëhen këta strucë të një autokratizmi që ka kapur të gjitha pushtetet. Sipas kësaj logjike (që vetëm logjikë nuk është), heshtja e shqiptarëve për vendimet e gjykatave apo institucioneve “të pavarura” nën diktaturën komuniste, na paska qenë respekt për institucionet. Por të gjithë e dinë që nuk ishte fare ashtu. Heshtja e shqiptarëve ishte produkt i terrorit, frikë për të denoncuar, për të protestuar kundër një padrejtësie, kundër një diktature të maskuar me ligj, me gjykata, me institucione, me Kushtetutë! Në diktaturë, heshtja është frikë. Në demokraci heshtja është pranim. Por Shqipëria, për faj të liderëve si Berisha, nuk është ende demokraci. Sikundër kanë dëshmuar edhe monitorime ndërkombëtare, Shqipëria është një demokraci hibride, pleksur me elementë të tiranisë dhe padrejtësisë. Prandaj të heshtësh dhe të mos protestosh kundër vendimeve të manipuluara të gjykatave, është të pranosh padrejtësinë. Pranoni si drejtësi vendimet e padrejta të gjykatave të kapura nga unë! – bërtet Berisha. Pranoni rezultatin e zgjedhjeve që po përgatitemi t’i vjedhim! – ia mban ison Bregu. Tashmë është i qartë skenari i Berishës e K°, për të përdorur shtetin e kapur si kurth ligjor për t’i imponuar opozitës vrasjet e protestuesve si “drejtësi” dhe manipulimin e zgjedhjeve si “demokraci”. Asnjë popull, asnjë opozitë që do vërtet lirinë dhe demokracinë, nuk do ta pranonte një dhunim të tillë! Kurthit “ligjor” të pushtetit dhe gjykatave të kapura prej tij, opozita duhet t’i kundërvërë forcën e demokracisë dhe liridashjes!

     

    ***

    Berisha dhe Topalli besojnë se mjafton të bërtasin se gjykatat janë të pavarura dhe shqiptarët, si dhe ndërkombëtarët, do ta gëlltisin një mashtrim të tillë. Fatkeqësisht për ta, drejtësia e pavarur dallohet prej një sërë tiparesh dhe rezultatesh nga drejtësia e kapur prej qeverisë. Kur drejtësia është e kapur, nuk kemi ndëshkim të korrupsionit në nivele të larta qeveritare. Kemi krijim të kulturës së pandëshkueshmërisë që, siç edhe kanë konstatuar raportet e ndërkombëtarëve, është tipike për Shqipërinë. Ndërsa aty ku drejtësia është vërtet e pavarur nga qeveria, është e pamundur që ndonjë kryeministër, president, kryetar Parlamenti, ministër të mos përfundojë në bankën e akuzës për korrupsion si në Itali, Francë, Gjermani apo edhe Kroaci. Nuk është një rastësi që në Shqipëri nuk ka as edhe një rast të tillë. Një bilanc që denoncon më mirë se çdo elokuencë, kapjen e gjykatave dhe pafuqinë e tyre para korrupsionit qeveritar. Vendimi i djeshëm i gjykatës është një provë më shumë e rrënimit të drejtësisë por edhe të shtetit demokratik në Shqipëri. Sepse në ballin e Kushtetutës së këtij shteti, të kësaj Republike shkruhet: Jeta e personit mbrohet me ligj! Pushteti vrau. Gjykata nuk ndëshkoi vrasësit. Me vendimin e saj, gjykata na tha se është e drejtë të vrasësh protestues paqësorë. Gjykata nuk mbrojti jetën sikundër sovrani e detyron me Kushtetutë! Qeveria dhe gjykatat e saj vranë vullnetin e sovranit për jetën. Prandaj shqiptarët dhe opozita duhet të ngrihen në mbrojtje të jetës.

    SHQIP

  • Manipulim i koncertuar i zgjedhjeve me anë të institucioneve të kapura apo dhe të shumicave tiranike në to. Kështu mund të përkufizohet thelbi i strategjisë që qeveria “Berisha” ka nisur ta shpalosë, hap pas hapi, kur edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare.

    Rasti i parë ishte ai i ndarjes arbitrare nga Kolegji Zgjedhor i Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ). Rasti më i fundit është ai që po ndodh këto ditë: ndarja e mandateve për deputetë për çdo zonë zgjedhore nga Kuvendi i Shqipërisë dhe jo, sikundër e përcakton ligji, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Po si bëhet e mundur të kapërcehet ligji? Thjesht duke përdorur tiraninë e shumicës në KQZ dhe ca interpretime juridike në dhunim jo vetëm të frymës së ligjit, por edhe të të gjithë sensibiliteteve të shprehura nga pakica. Shqetësimi shtohet ngaqë edhe aktorët kryesorë të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, në radhë të parë OSBE, po heshtin edhe pse ligji dhe konsensusi për zgjedhjet po përdhunohet institucionalisht, ditën për diell dhe para hundës së tyre, si më 9 maj 2011. Mos në vend të kronikës së zgjedhjeve, po shkruajmë atë të vjedhjeve të paralajmëruara?

    ***

    Kodi Zgjedhor ka sanksionuar që vendimmarrja në KQZ-në prej 7 anëtarësh (4 nga pushteti dhe 3 nga opozita), duhet të merren me jo më pak se 5 vota pro. Ky është rregulli, që imponon konsensus, edhe në rastin e ndarjes së mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore. Duke u bazuar mbi të dhënat e Ministrisë së Brendshme mbi numrin e përgjithshëm të popullsisë, shumica në KQZ propozoi një variant të ndarjes së mandateve. Por pakica opozitare nuk ra dakord ngaqë, sipas saj, ai nuk reflektonte zhvendosjet e popullsisë duke cenuar kështu barazinë e votës si dhe rregullsinë e procesit zgjedhor. Opozita dyshon se numri i mandateve që i jepej Kukësit është më i lartë në raport me numrin e banorëve, krahasuar me zona të tjera zgjedhore. Opozita mendon se qeveria kërkon të marrë më shumë deputetë me më pak votues, në një zonë si Kukësi që tradicionalisht ka votuar në favor të PD. Prandaj kërkoi informacione shtesë mbi zhvendosjen e popullsisë në Qarkun e Kukësit. Por, si përherë, kur bëhet fjalë për transparencë, Ministria e Brendshme, domethënë Berisha, refuzoi ta jepte këtë informacion me pretekstin se kishte të bënte me të dhëna personale të qytetarëve! Shumica i kërkoi opozitës të votonte verbërisht një ndarje mandatesh që favorizon padrejtësisht qeverinë. Kjo do të thoshte që opozita të votonte për shkatërrimin e barazisë së votës që është themeli i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

     

    ***

    E ndodhur përpara qëndresës së pakicës në KQZ, shumica, në vend që të vihej në kërkim të konsensusit, e akuzoi opozitën për bllokim të procesit. Sipas juristëve të pushtetit të tipit Rusmaili, që kanë marrë përsipër të ngrenë kurthet ligjore që ligjësojnë tiraninë e shumicës dhe manipulimet e saj, këmbëngulja e pakicës është “bllokim” kurse këmbëngulja e shumicës në skenarë që e avantazhojnë padrejtësisht Berishën, është vullnet i mirë! Këta njerëz nuk duan të kuptojnë se ajo që e dallon demokracinë nga diktatura është pikërisht aftësia që ka pakica për të bllokuar një shumicë që gjakon të arrijë diçka të padrejtë. Vetëm në diktatura, apo edhe në demokratura, vullneti i shumicës realizohet si në vaj dhe pa pengesa madje, edhe në përputhje me ligjin. Krejt në kundërshtim me ligjin, dhe tamam si në rastin e ndarjes së ZAZ-ve pak javë më parë, shumica në KQZ mori një vendim antiligjor! KQZ mori vendim për të mos ndarë mandatet sipas zonave. Dhe po në mënyrë krejt të paligjshme, i ka kërkuar Kuvendit që të miratojë për zgjedhjet e ardhshme po atë ndarje mandatesh që ka qenë në fuqi në zgjedhjet e vitit 2009. Pra nga tirania e shumicës në KQZ kalojmë në tiraninë e shumicës në Kuvend!

     

    ***

    Ky proceduralizëm tiranik nuk ka mbetur pa rënë në sy edhe të organizmave të shoqërisë civile që po monitorojnë ecurinë e procesit. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) në një letër të hapur kritikon sa po ndodh dhe posaçërisht, një miratim të mundshëm nga Kuvendi të ndarjes së mandateve sipas formulës së vitit 2009. Sipas KVV “vetëm në rast zgjedhjesh të parakohshme nuk bëhet rishikimi i numrit të mandateve, çka nënkupton se për zgjedhjet parlamentare të 2013-s nuk mund të përdoret ndarja e mandateve për zonat zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, por duhet një ndarje e re”. Nëse Kuvendi, ose më saktë shumica berishiste në Kuvend, do ta miratonte një gjë të tillë, jo vetëm do shkelte ligjin, duke marrë përsipër një atribut që i takon KQZ, por do investohej edhe në shkatërrimin e barazisë së votës, që do të thotë edhe në shkatërrimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Letra e hapur e KVV, një thuajse analizë e hollësishme e dhunimit që i po i bëhet Kodit Zgjedhor nga shumica në KQZ, i ka shkuar edhe OSBE. Por për çudi, ambasadori ëolfarth u pa dje përsëri në media, të shprehet për nevojën e zgjedhjeve të lira e të ndershme me një moralistikë që u drejtohej të gjithëve dhe askujt. Por moralizimet për zgjedhje të lira e të ndershme, në një kohë kur institucionet e administrimit zgjedhor po punojnë haptazi në favor të një strategjie manipulimi, shndërrohen në një maskë të këtij manipulimi. Ka ardhur koha që OSBE të shprehet jo sesi duhet të bëhen zgjedhjet por se si po bëhen zgjedhjet. Sepse zgjedhjet nuk janë vetëm dita e votimit, por i gjithë procesi institucional që përgatit një ditë votimesh me standarde. Dhe nëse ky proces bëhet pre e orekseve të një kryeministri për t’u jetëgjatësuar me çdo kusht në pushtet, sikundër edhe po ndodh, atëherë 23 qershori do jetë vetëm formalizimi i një vjedhjeje të paralajmëruar që OSBE refuzon sot ta shohë.

     

    SHQIP

  • Me krizën ekonomike në thellim, korrupsionin deri edhe familjar, si dhe me dështimin për të tretën herë që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, Kryeministri Sali Berisha do ta kish pasur thuajse të pamundur të kërkonte e jo më të fitonte në mandat të tretë në zgjedhjet e ardhshme. Por befas, si jo pak herë në këta 23 vjet të karrierës së tij, goma e shpëtimit nga mbytja i vjen prej Perëndimit, pikërisht prej asaj bote që Berisha gjakon ta mbajë sa më larg Shqipërisë. Në çfarë interesash, korrupsionesh apo gjeostrategjish i ka rrënjët kjo tendencë europiane, aspak e re, për t’i dalë në krah autokratit në momentet më fatale për të?

    ***

    Në tetor të vitit që sapo lamë pas, Komisioni Europian (KE) doli me një deklaratë që pretendonte të vlerësonte progresin e bërë nga Shqipëria në përmbushjen e 12 prioriteteve të vëna nga Komisioni në opinionin e tij të vitit 2010. E befta qëndron në faktin se pavarësisht prapambetjes spektakolare të Shqipërisë në këtë rrafsh, komisioni vlerësonte se ajo kish bërë një “progres të mirë drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në BE”. Njëherazi komisioni vlerësonte që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit, pasi të plotësonte disa masa kyçe në rrafshin e reformës në drejtësi dhe atë të administratës, si dhe rishikimin e rregullave dhe proceduarave të Parlamentit. Në deklaratë nënvizohej edhe se komisioni do vlerësonte edhe përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    ***

    Ndërsa është e vështirë të zbulosh shkaqet e këtij vlerësimi, është pothuaj evidente se ai pikturon me ngjyra të trëndafilta situatën politike dhe të demokracisë në Shqipëri. Një inventar i 12 prioriteteve të bën të kuptosh se Shqipëria nuk ka bërë aspak një “progres të mirë” dhe reformat që sillen si argument për këtë progres janë plot boshllëqe dhe tepër konvencionale për të qenë arritje substanciale. Dhe ende pa u shuar jehona e deklaratës së tetorit shumë nga këto “arritje” nisën të shfaqin probleme. Konsensusi i arritur lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit (në fakt i toleruar nga Berisha për të gabuar ndërkombëtarët), u tret si kripa në ujë dhe nuk u shfaq te çështje më thelbësore për sistemin, si ato për zgjedhjen e Presidentit apo Kryeprokurorit. Dialogu parlamentar degradoi në shfaqje të paturpshme të tiranisë së shumicës ndërsa ditët e fundit, po shohim se reforma dhe Kodi Zgjedhor nuk i ka shmangur konfliktet. Për të mos folur pastaj për daljen në publik të fakteve që dëshmojnë se korrupsioni dhe fitimet e paligjshme janë bërë pjesë organike deri edhe vetë familjes së Kryeministrit, fakte që dëshmojnë për një tolerancë maksimale të qeverisë ndaj korrupsionit.

    ***

    Por megjithëse dështimet janë spektakolare, Kryeministri Berisha përgatitet të hyjë në zgjedhjet që afrojnë me sloganin e “shembjes së murit të bllokimit”. Slogan që ia ka bërë të mundur pikërisht deklarata e tetorit e KE-së që, krejt ndarazi nga bilanci katastrofik i 12 prioriteteve, impononte vetëm 3 kushte për marrjen nga Shqipëria të statusit kandidat dhe konkretisht, miratimin e dy ligjeve dhe të rishikimit të rregullores së Parlamentit. Një thjeshtëzim i standardeve që lehtësonte Berishën dhe vinte në pozitë të vështirë opozitën. Praktikisht, opozita u ndodh në grackë! Sepse votimi  i 3 kushteve “magjike”, jo vetëm nuk do sillte asnjë përmirësim të situatës së demokracisë dhe lirisë, por do t’i jepte mundësi autokratit dhe antieuropianit Berisha, të përmirësonte bilancin katastrofik të integrimit duke hyrë në zgjedhje me arritjen e statusit të kandidatit “sukses” që, si edhe në rastin e pranimit në NATO, as kishte ndërmend ta ndante me opozitën. Nga ana tjetër, mosvotimi do të sillte, sikundër edhe po ndodh, ngritjen e akuzave kundër opozitës se po bllokon integrimin. Kështu, artifici i 3 kushteve, ka bërë që Berisha, kryebllokuesi 23-vjeçar i integrimit të Shqipërisë në Europë për shkak të autokratizmit patologjik dhe korrupsionit të panginjshëm, të akuzojë kundërshtarët dhe opozitën për bllokues të integrimit! Por më mirë të akuzohesh për antieuropian nga një antieuropian, sesa të kontribuosh me votën tënde që autokrati të shitet si europiandashës, që Berisha që dhunon ligjin dhe vendimet e gjykatave, si në rastin e Fierit, të shitet si partizan i shtetit ligjor, që ai që saboton reformat integruese të shitet sikur po punon për integrimin. Opozita u orientua drejt!

    ***

    Nuk mund të mos vëresh që sugjerimi i KE-së për dhënien e statusit Shqipërisë me plotësimin e vetëm 3 kushteve, të ngjason me emulacionin e dikurshëm socialist që, në disa raste, nuk bazohej te merita, por përdorej për t’i nxitur të punonin punëtorët më të prapambetur. Por ajo që nuk kuptojnë, ose bëjnë sikur nuk kuptojnë disa ndërkombëtarë në Tiranë dhe Bruksel, është se nuk ka asnjë emulacion që mund ta kandisë Berishën të punojë për integrimin pra, shtetin ligjor, drejtësinë e pavarur dhe luftën kundër korrupsionit. Tashmë me Europën atë e ndan jo vetëm autokratizmi, por edhe korrupsioni galopant pra, edhe nevoja për ruajtjen e statusit të pandëshkueshmërisë. Po përse nuk duan ta kuptojnë? Mos vallë nuk kanë mjaftuar 23 vjet për të rrokur natyrën e këtij politikani që nuk ka të nginjur me pushtet? Tashmë po forcohen zërat se një pjesë e ndërkombëtarëve në Tiranë, dhe jo vetëm këtu, janë korruptuar nga pushteti. Skënder Gjinushi, kreu i socialdemokratëve, ankohej ca ditë më parë për ekzistencën e ca diplomatëve të BE-së që bëjnë sekserin në favor të Kryeministrit. I pari nga i cili kërkohet shpjegim për këtë akuzë, nuk mund të mos jetë ambasadori i BE-së, Etore Sequi, për të mos folur për atë të OSBE-së, Eugen Wolfarth, që përflitet gjerësisht jo vetëm në opinionin dhe në median vendase, por edhe në vëzhgime ndërkombëtare, si mbështetës i qeverisë. Përse ca ambasadorë këmbëngulin ta mbështesin një politikan si Berisha, të këtij lideri plak të mbetur që nga koha e rënies së Murit të Berlinit? Përfitime personale? Vlerësime gjeostrategjike për stabilitetin në vend dhe rajon? Apo ndjekja e qëllimeve të ngushta të shteteve nga ata vijnë? Një vëzhgim i kohëve të fundit mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri i kohëve të fundit, i tri qendrave të huaja studimore, konstaton se “Është një sfidë për ambasadorin e BE në Tiranë, Komisionin Europian dhe Aksionin e Shërbimit të Jashtëm Europian të gjejnë baraspeshimin mes interesave respektive të interesave kombëtare të shteteve anëtare të BE dhe vlerave e prioriteteve të BE”. Vëzhgimi në fjalë, nënvizon edhe se disa “OJQ shqiptare flasin për një lloj ndarje Veri-Jug ku shtetet jugore (Italia, Greqia, Franca) vendosin interesat ekonomike përpara, ndërsa vendet e veriut përpiqen të promovojnë vlera”. Konkluzion që nuk mund të mos të sjellë ndër mend gjenerozitetin “nacionalist” të Berishës për importimin e plehrave nga Italia, faljen e ujërave të detit Greqisë apo blerjen e helikopterëve nga Franca. Gjithashtu, nuk mund të konstatosh se vetëm ambasadorë nga vende si Danimarka kanë folur troç për gjendjen kritike të demokracisë në Shqipëri apo se, së fundi, vetëm Holanda dhe Gjermania u dëgjuan të formulojnë qartë se votimi i 2 ligjeve dhe të një rregulloreje, janë krejtësisht të pamjaftueshme për marrjen e statusit të kandidatit. Ndërkaq, ambasadorë të tjerë, që ngurrojnë të denoncojnë “mbretin lakuriq”, janë të parët që, ndoshta duke vënë interesat e ngushta të shteteve të tyre mbi ato të demokracisë në Shqipëri, dëgjohen më shumë t’i thonë opozitës shqiptare të vërë interesin e kombit mbi atë të partisë. Që, në fund të fundit, do të thotë të mos i rezistojë autokratizmit berishist. Por sa do qe kjo në interes të demokracisë pra edhe të Shqipërisë?

     

    Shqip

  • Enver Hoxha është një prej figurave me përkushtim më të madh atdhetar në historinë shqiptare! Kështu ka deklaruar para pak ditësh Rexhep Qosja, ndërsa i kundërvihej, jo pa të drejtë, demagogjisë “patriotike” të Sali Berishës. Duhet thënë, që në krye të herës, është përqasja tmerrësisht e gabuar. Është e vërtetë se Sali Berisha dhe klani i tij po thonë e shkruajnë të bëra e të pabëra e po hedhin, sikundër shprehet edhe Qosja, “gurë e drunj mbi Enver Hoxhën”. Por këtë e bëjnë që të fshehin thelbin e përbashkët që ata kanë me ish-diktatorin, prirjen për shtypjen (mundësisht varrosjen) e lirisë qytetare të shqiptarëve. Prandaj t’i kundërvihesh berishistëve duke deklaruar se Enveri ishte ndryshe nga ata, nuk bën gjë tjetër, edhe pse qartazi pa dashje, veçse i shërben synimit të tyre për t’u shitur si ndryshe nga ish-diktatori komunist. Përveç kësaj, nëse Enver Hoxha është një prej figurave me përkushtim më të madh atdhetar, mos vallë shqiptarët bënë keq që e përmbysën? A qe përmbysja e monumenteve të diktatorit, e bashkë me to edhe të regjimit komunist, në dobi apo në dëm të Atdheut? Nëse po, si mund të jetë një akt atdhetar përmbysja e “një prej figurave me përkushtimin më të madh atdhetar në histori”?!

    ***

    Na duket se gabimi apo lajthitja e Rexhep Qoses vjen nga fakti që në mendësinë dominuese shqiptare nuk ka hedhur rrënjë të forta koncepti i lirisë qytetare si një dukuri që, më së shumti, zhvillohet ndarazi nga ajo që quhet liri kombëtare apo pavarësi. Sipas kësaj mendësie kush lufton apo punon për pavarësimin e trojeve kombëtare nga pushtuesi i huaj, për shmangien e copëtimit apo ribashkimin e tyre, është një patriot, pavarësisht se cili është roli i tij në një çështje tjetër edhe më të rëndësishme për Atdheun, për zhvillimin dhe lumturimin e njerëzve të tij, në çështjen e lirisë qytetare. Kjo mendësi e gjymtë ka mundësuar që figura despotike të marrin mbi vete famën e patriotit, të çlirimtarit të kombit dhe nën vellon e kësaj fame, të shtypin dhe sundojnë në mënyrat nga më të egrat bashkatdhetarët e vet duke mbjellë skllavëri në gjirin e kombit. Shembujt nga më të freskëtit janë Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha që vazhdojnë të përfliten si patriotë, ky i fundit, edhe nga një figurë e shquar e mendimit shqiptar si Rexhep Qosja. Kontradikta logjike është ulëritëse dhe e papranueshme: Si mund të jetë patriot një diktator? Si mund të jetë patriot një despot që vret, burgos, pushkaton bashkatdhetarë, kundërshtarë politikë vetëm për të përjetësuar sundimin e tij? Dhe nëse Enver Hoxha na paska qenë një patriot kaq i madh, mos vallë shqiptarët kanë bërë gabim që ia përmbysën bustin? Mos vallë ka ardhur koha që t’ia ringrenë?

    ***

    Është fakt, Enver Hoxha ka udhëhequr luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. A e bën kjo atë një patriot? Jo, sepse më pas ai nuk luftoi për lirinë, lirinë qytetare. Vepra patriotike e çlirimit u pasua nga një tjetër thellësisht antipatriotike, ajo e skllavërimit të shqiptarëve me mjetet e terrorit diktatorial për 45 vjet rresht. Të mos bësh dot këtë bilanc, do të thotë të mos mësosh nga pësimet e historisë dhe të jesh i dënuar ta pësosh përsëri. Edhe figura të tjera më të mëdha të historisë botërore kanë luftuar me tërbim për atë që ata e quanin interesin kombëtar. Një i tillë ka qenë edhe Adolf Hilteri, që në emër të nacionalizmit gjerman, shtypi lirinë e gjermanëve dhe më pas, i përdori si mish për top, duke i vënë zjarrin botës dhe duke shkatërruar më në fund edhe Gjermaninë. Duhet të jesh naziskin ta quash Hitlerin patriot. Dhe nuk është e nevojshme të çosh vendin në luftë shkatërrimtare për të qenë një antipatriot. Mjafton të shkatërrosh lirinë apo shansin e lirisë qytetare, që vendi të mbetet i prapambetur dhe larg proceseve perëndimorëzuese që sjellin zhvillim e lumturi për njerëzit. Këtë e bëjnë të gjithë politikanët me prirje sunduese dhe prandaj nuk janë patriotë, sepse duke vrarë lirinë qytetare, vrasin frymën e zhvillimit, një forcë që është shumë më e rëndësishme se çdo zhvillim material. Dhe pikërisht ky është mëkati që Sali Berisha dhe pasuesit e tij po bëjnë kundër Shqipërisë. Thelbi i aksioneve të tyre është i njëjtë me atë të Enver Hoxhës, shtypja e lirisë qytetare. Por në kushte të reja. Jo ato të Luftës së Ftohtë kur diktaturat ishin në modë në gjysmën e botës, por në kohën kur demokracia është në modë.

    ***

    Por cili është modeli i patriotit të vërtetë? Është ai i politikanit që luftën për pavarësinë apo çlirimin e kombit nuk e ndan nga ajo për lirinë qytetare. I tillë qe Xhorxh Uashingtoni, që pasi kontribuoi në çlirimin e SHBA, ju dedikua qeverisjes me anë të lirisë dhe jo me anë të sundimit. Dhe këtë e arriti duke mos abuzuar me famën e çlirimtarit për të zgjeruar dhe absolutizuar pushtetin e tij. Madje pikërisht sepse qe i ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell për lirinë e qytetarëve pushteti i pakufizuar i një njeriu, refuzoi të zgjidhej President për një mandat të tretë. Sepse liria kërkon që pushteti të kufizohet edhe në kohë. Doni t’i zbuloni diktatorët e fshehur sa pa u betonuar në pushtet? Shikoni sesa të gatshëm janë ta lënë pushtetin kur ju mbaron mandati. Kush kapet me thonj pas pushtetit, pasi ka qeverisur disa herë, është i rrezikshëm për lirinë, pra edhe për Atdheun dhe duhet larguar. Prandaj kush është patriot nuk e voton më.

    ***

    Kamuflimi i autokratëve me patriotizëm është i lehtë në Shqipëri edhe pse ekziston në masë një mendësi që e percepton tradhtinë kombëtare vetëm te shitja e trojeve, falja e ujërave detare deri edhe te hapja e dyerve për importimin e plehrave nga bota. Këto janë dukuri që me të drejtë klasifikohen si tradhti e interesave të vendit. Por, ndërkaq, nuk ka një ndjeshmëri po kaq të madhe patriotike edhe për akte që shpien nga asgjësimi i lirisë qytetare, që është krimi më i madh që mund t’i bëhet një kombi. Kjo vjen edhe ngaqë asgjësimi i lirisë, bëhet duke thirrur për lirinë e demokracinë dhe në forma më të sofistikuara, jo lehtësisht të perceptueshme nga masa. Sikundër është amendimi i një Kushtetute në atë farë feje që i shërben zgjerimit dhe jo asaj që është themelore për lirinë e qytetarëve, kufizimit të pushtetit të kryeministrit. Këto gjëra, politikanët autokratë kanë tendencë t’i bëjnë sa më fshehtazi. Jo rastësisht amendimin e Kushtetutës, Berisha (i mbështetur verbërisht edhe nga Edi Rama), nxitoi ta bëjë pa konsultime të gjera me shoqërinë civile dhe qytetarët. Sepse nuk donte që shqiptarët të kuptonin se ai po hapte “me ligj” varrin e lirisë së tyre, nuk donte të kuptonin të vërtetën. Dhe ia arriti. Edhe nga mendësia ekzistuese sunduese që nuk e vret fort për lirinë qytetare, si dhe për themelet e saj kushtetuese e ligjore. Në të kundërtën, deklarimet dinake dhe hipokrite për bashkimin kombëtar, Berisha i bëri nga majat e tribunave të 100-vjetorit të Pavarësisë. Sepse donte që shqiptarët ta përthithnin sa më në shumicë gënjeshtrën, demagogjinë patriotike që po ju ekspozonte.

    ***

    Nëse njerëzit e duan lirinë vetëm për të mirat materiale që sjell, atëherë ata do ta braktisin atë në ditë të vështirë – thotë Tukëvili. Ka në këtë pohim diçka të ngjashme me imperativin kategorik të Kantit. Lirinë duhet ta duash për hir të të qenurit i lirë. Të mirën duhet ta bësh, jo thjesht për përfitim personal, por si devocion ndaj detyrës. Ky lloj morali qytetar nuk ka qenë i përhapur në mjedisin shqiptar. Ende nuk është. Prandaj pengesë për të kuptuar thelbin antipatriotik të veprës së Enver Hoxhës janë bërë edhe faktet e zhvillimit material që u evidentuan gjatë viteve të sundimit të tij. Ndonëse tepër inferiore krahasuar me nivelet e zhvillimit material në vende europiane, këto fakte kontrastonin fort me sfondin e mjerimit që Shqipëria trashëgonte nga qeverisjet e mëparshme, përfshi atë të Zogut. Gjë që i dha mjaft vite kohë regjimit që të dukej se po i bënte mirë “popullit” në një kohë që po i bënte keq, po i vriste lirinë. Zhvillimi material, i gërshetuar edhe me izolimin që pamundësonte krahasimin me vendet e tjera, i bëri shumë shqiptarë të ndiheshin më mirë krahasuar me mjerimin e dikurshëm migjenian që regjimi e propagandonte intensivisht, duke e përdorur si sfondin e errët ku shkëlqenin arritjet e socializmit. Gjëra të papara më parë, por normale në çdo vend me pak zhvillim si hekurudhat, hidrocentralet, drita elektrike, shtimi i urbanizmit, zhvillimi i industrial i pleksur me manipulimin mendor dhe kufizimin e lirisë së informacionit, i dhanë regjimit disa dekada në dispozicion që të kamuflohej si patriotik. Dhe arritjet materiale, kur nuk ecin paralel me lirinë, ushqejnë skllavërinë. Madje edhe arritjet në superstrukturë. Mund ta zhdukësh analfabetizmin por, nëse censuron literaturën, nëse kufizon lirinë e shprehjes, të lexuarit shërben vetëm për të përçuar ideologjinë e diktatorit në kokat e njerëzve. Aftësia për vetëmendim mpihet. Kështu vazhduan mbi katër dekada derisa erdhi fundi i pashmangshëm për çdo sistem pa liri, vetëshembja. Por ndërkohë, diktatori Enver Hoxha kish vdekur i qarë nga “populli” që nuk e kuptonte se ai ia kish hedhur duke mbretëruar me devizën: Pas meje kiameti. Dhe kiameti po vazhdon sepse pas tij erdhi një tjetër “patriot” që prej 23 vjetësh po bën politikë e qeveris me po të njëjtën devizë: pas meje kiameti! Dhe pikërisht sepse kiameti po vazhdon, jo pak shqiptarë i drejtohen për shpëtim Enverit në fakt, babait të kiametit. Një dumbabizëm në kurthin e të cilit ka rënë, mjerisht, edhe Rexhep Qosja. Dhe në çdo panegjerizëm për ish-diktatorin, nuk mund të mos zbulosh prirjen e arratisjes nga ky kiamet pa fund por mjerisht, edhe nga ideja apo projekti i lirisë.

     

    SHQIP

  • Lenini u shqua për gjenialitetin e zi me të cilin u jepte kuptimin që donte fjalëve dhe shprehjeve që përdorte në funksion të qëllimit politik. Parlamentin që nuk e kontrollonte dot e quante “demokraci borgjeze”, kurse sovjetin që e kishte në dorë, e quante “demokraci proletare” – shkruan Pol Xhonson në “Kohët Moderne”.


    Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, sikur ka marrë përsipër që t’ia kalojë Leninit në këtë biçim gjenialiteti duke interpretuar sipas midesë së tij politike jo vetëm fjalët, por edhe situatat. Kur pushtetin nuk e merr dot me votë dhe demokraci, ai u drejtohet gjykatave të kapura prej tij duke “shenjtëruar” vendimet e tyre. Por kur gjykatat nuk marrin vendimet që ai dëshiron, atëherë u kthen shpinën atyre dhe i drejtohet “demokracisë”. Një “gjenialitet” që Berisha po përpiqet ta vërë në zbatim edhe në rastin e konfliktit që ka me opozitën për Këshillin e Qarkut Fier. Dhe të gjithë këtë spërdredhje që nuk njeh asnjë parim, moral a skrupull, përpiqet ta ofrojë si një paketë kompromisi politik!

    ***

    Ajo që ka ndodhur në Qarkun e Fierit është, as më shumë dhe as më pak, por një puç politik, një grabitje e organizuar prej pushtetit qendror e pushtetit lokal të fituar me votë nga opozita. Ka ndodhur në Fier menjëherë pas zgjedhjeve të majit 2011 sipas një skenari të ulët, ku trazohen trafikimi i mandateve të këshilltarëve të majtë, falsifikimet, shantazhet e presionet kriminale, e deri kapja e niveleve të ndryshme të gjyqësorit nga pushteti politik. Shkurtimisht historia e puçit është kjo: Pas fitores së PS-së dhe aleatëve të saj në Fier është mbajtur, sipas ligjit, mbledhja e parë e këshillit të qarkut me anëtarë të zgjedhur në bashkitë dhe komunat e tij. Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, një opozitar. Por kjo nuk i pëlqen Kryeministrit (që bën kushedi ç’llogari të errëta) ndaj ngarkon prefektin e qarkut të organizojë puçin në fjalë. Dhe nën kujdesin e prefektit, si dhe të ndonjë deputeti të PD-së, që i përdor njohuritë në jurisprudencë për t’i ngritur gracka juridike drejtësisë, organizohen mbledhje në disa komuna e bashki të Qarkut Fier dhe, në sajë të blerjeve të këshilltarëve të majtë, presioneve mbi ta, por edhe falsifikimeve, shumicat kalojnë si me magji nga PS-ja në anën e PD-së. Janë pikërisht këto shumica të pjella në inkubatorin puçisto-mafioz të Berishës, që kanë zgjedhur të tjerë anëtarë për në këshillin e qarkut. Dhe është po ky këshill qarku kallp, në përbërjen e të cilit ka edhe persona të pazgjedhur qoftë edhe formalisht nga këshillat në bashki e komuna, që ka caktuar një tjetër kryetar të Qarkut të Fierit, kuptohet një njeri të Berishës. Ky është, me pak fjalë, puçi i Fierit. Një grabitje banditeske e vullnetit të votuesve, një makinë e frikshme mafioze e maskuar me demokraci.

    ***

    Pas këtij masakrimi të pushtetit lokal nga përfaqësues dhe deputetë të pushtetit qendror, këshilltarët e të dyja palëve i janë drejtuar gjykatës. Pushtetarët e PD-së kanë gjetur vetëm në një rast aprovim në Gjykatën e Fierit (është interesante të shikosh si e ka nxjerrë të ligjshëm një puç kjo gjykatë), por ndërkaq kanë humbur përfundimisht në të gjitha rastet e tjera, të ankimuara edhe në apel. Apeli i ka dhënë të drejtë opozitës me vendime të formës së prerë. Por goditjen më të rëndë PD-istët e kanë marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka quajtur si të paligjshme gjithë praktikën e ndjekur nga PD-ja (pra puçin) dhe ka bërë të qartë se ndonëse këshilli i qarkut përbëhet nga anëtarë të dalë prej këshillave bashkiakë e komunalë, me t’u konstituar, ai është institucion më vete, i pavarur dhe nuk mund të rikonstituohet prej institucioneve nga ka dalë. Nuk është aspak çudi (dhe kjo konfirmon se në PD nuk kanë lidhje me shtetin ligjor dhe të së drejtës) që prefekti i qarkut refuzon të zbatojë vendimet e gjykatës. Për shkak të kësaj, puna e pushtetit lokal në Fier ka më shumë se një vit që është minuar dhe qarku ka dy kryetarë dhe dy këshilla, asnjëri prej të cilëve nuk funksionon, sepse pengojnë njëri-tjetrin! Një konflikt që, si për ironi, përngjason disi me dy kokat e flamurit kombëtar për 100-vjetorin e të cilit festojmë këtë muaj.

    ***

    Dhe pasi ka vëzhguar me “pasivitet” produktin e plojës së vet, më në fund Berisha ngrihet e na propozon një kompromis i shtyrë, në dukje, nga nevoja që opozita të miratojë tri ligjet kusht për marrjen e statusit të kandidatit. Dhe shpjegon se nëse Edi Rama dyshon për statusin aktual të Qarkut të Fierit – pikërisht ky arkitekt i fshehtë i puçit të realizuar me falsifikime dhe mashtrime nga njerëzit e tij – thotë se ofron kompromis politik që secili prej anëtarëve të qarkut t’i nënshtrohet mocionit të besimit në këshillat lokalë nga kanë dalë. Dhe puna nuk është se Berisha lë në hije faktin që disa anëtarë të këtyre këshillave janë blerë apo frikësuar me shantazhe e presione të ndryshme. Sepse dihet Berisha e do demokracinë që ta vjedhë dhe sa herë propozon votim ka bërë gati mekanizmin e vjedhjes së votave. Problemi më i madh është se ai lë në “harresë” vendimet e gjykatave që i kanë dhënë të drejtë opozitës dhe kanë hedhur poshtë puçin e realizuar prej tij. Pyesim Kryeministrin: Ku t’i fusim ato dhe çdo të bëhet me shenjtërinë e këtyre vendimeve që dikur propagandoje aq shumë? Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011 ishte Berisha që ngrinte në qiell vendimet e Kolegjit Zgjedhor apo KQZ me anë të të cilave paraqiti të ligjshme grabitjen e votave opozitës. Sot bën të kundërtën, injoron vendimet e gjykatave që nuk i japin të drejtë për Fierin dhe i drejtohet “demokracisë”. Ky është pikërisht gjenialiteti i zi leninist për të cilin po flasim, që karakterizon Berishën dhe që nuk mund të mos të kujtojë një barsoletë që qarkullon prej kohësh: Berisha po udhëton bashkë me Bushin dhe Blerin në një avion që befas pëson defekt. Kush do hidhet i pari për t’i ikur rrezikut. Pas argumentesh të shumta ku secili rreket të provojë pse i takonte të hidhej i pari, Berisha sugjeroi ta zgjidhnin me demokraci, duke thënë: Ta hedhin në votë! Ashtu bënë. Dhe ishte Berisha që fitoi me 40 vota plus. Por ndërsa ai ishte hedhur duke i shpëtuar i pari rrezikut, Bler i thotë Bushit: Po ku i gjeti 40 vota xhanëm?!!

    Gazeta "Shqip"

  • Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, pra Berisha, Basha dhe Meta, janë bashkuar në një thirrje sa provokuese aq hipokrite për opozitën: Ejani të bashkohemi më 28 Nëntor në Tiranë! Bëjnë thirrje për bashkim këta pushtetarë dhe “patriotë” të korruptuar, duke e aluduar se nëse nuk vepron kështu, opozita është përçarëse e kombit. Por mendja e tyre, e ngushtuar nga interesat e pushtetit pa fund dhe pasurimit po pa fund, nuk arrin të kuptojë se tjetër është bashkimi dhe krejt tjetër është grumbullimi për të festuar. Dhe si ujku që fton qengjin, i thonë opozitës: Eja të festojmë, të përmirësojmë imazhin e bashkëjetesës sot që nesër të të… kullufisim!

    ***

    Është banale të flasësh për bashkim “për të mirën e Shqipërisë” vetëm për një ditë siç bën Ilir Meta. Por ky demagog nuk e ka problem të bashkohet me këdo kur kjo i volit interesit të tij për pushtet. Edhe me atë që sapo e ka denoncuar si tiran apo kryemafioz. Bashkimi i tij me Berishën është provë e kësaj mungese të skajshme parimesh e maskuar keq me “patriotizëm”. Sot është e qartë se bashkimi i Metës në qeveri me Berishën nuk është një akt patriotik, por një tradhti kombëtare me pasoja të rënda. Sepse la në pushtet atë të keqe që Meta premtoi solemnisht se do ta nxirrte në pension. Dhe sot, pa asnjë turp, fton opozitën, PS-në dhe Edi Ramën, të ndjekin shembullin e tij dhe të bashkëfestojnë përvjetorin e pavarësisë me tiranin më të rrezikshëm të lirisë së shqiptarëve. A nuk do të ishte kjo një përsëritje e historisë së shëmtuar, kur shqiptarët bashkëfestonin për 40 vjet përvjetorët e pavarësisë së bashku me diktatorin Enver Hoxha? Bashkimi, në sensin europian perëndimor, është një dukuri e mrekullueshme. Ai mbi të gjitha është një bashkim në vlera, bashkim në dëshirën për të ndërtuar një shtet me institucione të pavarura që e kontrollojnë qeverinë. Meta, Basha dhe K° janë bashkuar me Berishën në gjakimin për të ndërtuar një shtet, ku qeveria kontrollon institucionet, gjykatat, ku Kryeministri është ai që cakton ç’është mirë dhe ç’është keq dhe institucionet apo gjykatat vetëm firmosin, duke maskuar vullnetin e tij me “drejtësi” apo “ligj”. Nëse opozita do t’u bashkohej festimeve me këta autokratë dhe oligarkë të korrupsionit që ka kapur shtetin, atëherë ajo do t’i shërbente që një projekt antiliri, pra dhe thellësisht antikombëtar, ta maskonin me patriotizëm. Mesazhi që do të jepej në publik do të ishte ky: Berisha vërtet është autokrat, por gjithsesi është patriot. Do të ishte rrena më e madhe për shqiptarët. Armiku më i rrezikshëm i shqiptarëve sot është ai që po i pengon në rrugën e tyre drejt Europës, është autokratizmi. Dhe Berisha është kryekoka e autokratizmit të sotëm në Shqipëri. Ndaj do të ishte mashtrimi më i madh për shqiptarët të bashkëfestonin me autokratin. Është njësoj si opozita të bashkëfestonte me Kabilën në Kongo, me Çavezin në Venezuelë, apo me Putinin në Rusi. Ka ardhur më në fund koha që fishekzjarrët e pavarësisë të mos përdoren për të zbukuruar shtypjen e lirisë! Parimisht, është e vështirë për opozitën që të bashkëfestojë me ca autokratë, që në bilancin e qeverisjes së tyre kanë qytetarë të vrarë, për shkak të korrupsionit të qeverisjes, qytetarë të vrarë me plumba, ndërsa ushtronin lirinë e protestës më 21 janar, mijëra qytetarë të përzënë nga puna për bindje politike, të përndjekur politikë të komunizmit të padëmshpërblyer dhe të fyer deri edhe të ndaluar brutalisht ditën e vizitës së sekretares Klinton në Tiranë, mijëra pronarë të mashtruar deri në poshtërim për mbi dy dekada. Do të ishte një kapërcim mbi gjakun e martirëve, mbi lumin e padrejtësive që po përmbyt e përçan shoqërinë shqiptare, një pastrim i duarve të pista dhe të përgjakura të pushtetit, një maskim me bashkim i përçarjes së thellë mes lirisë dhe antilirisë. Opozita do ta kish të vështirë të shpjegonte paradoksin: Berisha edhe tiran edhe patriot?! Sepse armiqtë më të egër të kombit shqiptar janë tiranët, ata që duke gjakuar për një shtet me pushtete të përqendruara në një dorë si në kohërat e diktaturës komuniste, po rrënojnë projektin e krijimit për herë të parë në Shqipëri, të një shteti ligjor dhe europian me pushtete të ndara dhe të baraspeshuara. Shqipëria nuk do të përparojë kurrë si komb pa ndërtuar këtë makinë shtetërore moderne tipike për Perëndimin. Ajo është e vetmja makinë shtetërore lirie, e aftë të mbrojë qytetarin, liritë dhe të drejtat e tij, nga kërcënimi i qeverive. Shqipëria nuk e ka pasur kurrë këtë makinë shtetërore në historinë e vet, prandaj ka mbetur e varfër edhe sot e kësaj dite. Bashkimi nuk është garnituresk. As vetëm njëditor. Kur ekziston ai është jetëgjatë. Sepse bazohet në vlera të përbashkëta. Mjerisht pushteti nuk ka në zemër këto vlera. Prandaj edhe bashkimi në diversitet me opozitën bëhet i pamundur.

    ***

    Por përveç mungesës së vlerave të përbashkëta mes dy kampeve politike, ka edhe një shkak tjetër që pengon bashkëfestimin. Ai ka të bëjë me vetë dinakërinë e Berishës që nuk ka arritur kurrë të ngrihet në nivelin e një kryeministri të të gjithë shqiptarëve. Edhe në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Berisha u përpoq të ndërtonte një protokoll festimesh që, në mënyrën më provokuese të mundshme, zbeh profilin e Vlorës, të kryeqytetit të pavarësisë së kombit. Edhe një ditë të vetme Berisha nuk mund t’ia falë Vlorës kurajën qytetare që tregoi në vitin 1997, kur u bë motori i revoltës që solli rënien e tij të merituar pas falimentimit të piramidave financiare, që vetë i kish toleruar për vite me radhë. Nuk është fare rastësi që Kryeministri e ka lënë në hije figurën e Ismail Qemalit, ndërkohë që po pompon me profil dukshëm më të lartë figurën e Ahmet Zogut. Edhe këtu autokrati ndjek qëllimin e tij të fiksuar. Ahmet Zogu ka merita në ngritjen e shtetit shqiptar. Por ai është një model jo i mirë për t’u glorifikuar në ditët e sotme. Sepse ai bëri shtet me stabilitet, por jo një shtet me liri për shqiptarët. Në themel të atij stabiliteti ishte shtypja e lirisë dhe e të drejtave. Prandaj e drejta dhe e dobishmja do të ishte që në qendër të festimeve të ishte Ismail Qemali, akti i tij i pavarësisë, i shkëputur dhe i pakompromentuar nga bilancet e varfra të shtetit shqiptar në këta 100 vjet. Duhet festuar pavarësia nga pushtimi i huaj. Por nuk mund të festohet skllavëria që erdhi më pas. As ajo zogiste, as ajo fashiste, as ajo komuniste. Janë dekada të tëra skllavëri. Nuk mund të glorifikohen as përpjekjet e Berishës për t’i zhytur shqiptarët nën një sundim të ri autokratik. Pavarësia ishte një arritje e madhe. Ishte një ringjallje e kombit. Por puna është se çfarë bëri kombi më pas me jetën e tij. Çfarë krijoi, çfarë ndërtoi? Mjerisht sisteme skllavëruese, ku shqiptari e burgosi, vrau, pushkatoi, përndoqi, shantazhoi, kërcënoi, poshtëroi shqiptarin. Po pse Berisha shfaqet ndryshe nga 20 vjet më parë, kaq i afeksionuar për Ahmet Zogun? Vetëm për një shkak, për një obsesion të pafjetur, sundimin e shqiptarëve. Sepse modeli i shtetit që ngriti Ahmet Zogu, është modeli që ai ëndërron të instalojë në Shqipëri. Një shtet më zgjedhje false, me Parlament dhe gjykata kukulla që shërbejnë vetëm për të maskuar me ligj pushtetin e tij pa kufij. Duke ngritur në piedestal më të lartë mbretin Zog në këto ditë, kur duhet të festohet 100-vjetori i Pavarësisë dhe jo 100-vjetori i monarkisë, Berisha tenton të ngrejë në piedestal ëndrrën, projektin e tij prej autokrati. Ja pse opozita ka arsyen dhe të drejtën që në emër të kombit dhe lirisë të festojë më 28 Nëntor në Vlorë. Larg tiranit, jo me tiranin! Do të ishte një “përçarje” në favor të lirisë, e shëndetshme dhe jo e sëmurë, jo hipokrite si bashkimi 24 orësh në favor të skllavërimit. SHQIP