credins
Data sot është 22-05-2013, ora 21:39

NANO NEWS

27 Nën 2011 - 11:59
Një. Kryeministri shkon përuron me pompë të madhe një qendër tregëtare të ngritur nga biznesmenët e tij; mobilizoi gjithë shtetin për këtë ngjarje (edhe ndonjë shtet tjetër, duhet thënë; ambasadori amerikan u pa aty pranë me gërshërë në dorë); braktisi dhe diskutimin për projekt-buxhetin bash për këtë punë. Dy. Kryeparlamentarja çon dhëndërrin në Paris, në ambasadë, që ai të ketë mundësi të rrijë afër të dashurës, vajzës së kryeparlamentares, që është gjithashtu në Paris. Tre. Kryeministri sërish emëron nipin e vet në polici; nipi i vet  u kap në një moment, teksa nxirrte e përdorte armën në qytet; me atë rast hiqet nga policia; por s’kalon pak kohë, dhe çohet polic në Romë, pjesë e stafit diplomatik atje. Katër. Lulzim Basha e ka shndërruar bashkinë e Tiranës në një ndërmarrje private; kunati i tij, për të cilin kujtonim se ish thjesht një personazh folklorik e fantomatik i rubrikës satirike të Mero Bazes, nuk është as foklorik, as fantomatik; sot na del që ai është një alamet persoanzhi real; shqiptarja.com raportonte se paratë e bashkisë të caktuara për dekorin urban janë fituar në një tender nga një kompani e një mikut të kunatit, dhe e një vajze që ka udhëhequr fushatën elektorale të Bashës. Këto janë disa nga bëmat abuzive e korruptive, që bëhen në mënyrë arrogante nga pushtetarët e sotëm. I bëjnë aq hapur, sa duket sikur duan të na thonë: kush pjerdh për ju? Dhe të mendosh se sa më sipër janë bëma minore; janë një hiç krahasuar me Gërdecin, me 21 janarin, me korrupsionin në rrugën Durës-Kukës, etj.  
25 Nën 2011 - 14:16
Ndërsa diskutohej projekt-buxheti për vitin 2012, deputetët e maxhoranëcs e kanë braktisur seancën. Ka folur kryeministri (këtë herë nuk ka thënë se është buxheti më i madh në histori; tha vetëm se është i mirë), dhe më pas, kur ka qenë radha e opozitës, deputetët e shumicës kanë ndjekur Berishën. Sipas Braçes, që shkoi në foltore për të komunikuar me një sallë pothuaj të boshatisur, deputetët kanë ikur me vrap në përurimin e qendrës tregëtare TEG, e ngritur në afërsi të fshatit Lundër. Është një investim i bërë nga biznesmenë, të cilët njihen për lidhjet e tyre me pushtetin. Bie era skandal e gjithë kjo gjë. Diskutimi i projekt-buxhetit është ngjarja më e rëndësishme në jetën parlamentare të një vendi gjatë një viti, dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme politike e mediatike. Debati mbi këtë projekt-buxhet mund të vijojë ca më vonë gjatë ditës, por braktisja e seancës parlamentare me urdhër për të bërë një qokë të tillë, flet më shumë se çdo gjë tjetër. Ndoshta me këtë gjest duan të na tregojnë se në këtë vend ka rëndësi vetëm një bandë e përbërë nga politikanë e biznesmenë, e se përpara interesave e kapriçove të kësaj bande nuk vlen asgjë tjetër; aq më pak vlen një seancë e diskutimit të projekt-buxhetit.  
16 Nën 2011 - 00:37
Fëmijët e kryeministrit shqiptar kanë ngritur një padi kundër Saimir Tahirit, që i ka akuzuar në Kuvend si njerëz të përzjerë në afera e korrupsion. Dhe në tekstin e akt-padisë pretendohet nga ana e tyre se u është shkaktuar “një dëm moral që ka sjellë turbullimin e padrejtë të gjendjes shpirtërore të tyre, si pasojë e fakteve të paligjshme, deklaratave të pavërteta shpifëse dhe fyese”. Po aty thonë se janë cënuar në nderin e personalitetit të tyre, …. duke ndikuar negativisht edhe në opinionin publik e në këtë mënyrë, duke cënuar reputacionin dhe imazhin e tyre”. Tani, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kjo që kanë bërë Berishajt është gjëja më normale për këdo. Dhe e vërteta është se secili duhet të përgjigjet për ato që nxjerr nga goja. Por Berishajt, megjithatë, nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë. E në momentin që e bëjnë, rezulton të jetë një karagjozllëk me brirë. Babai i tyre nuk ka lënë ndyrësi pa nxjerrë nga goja, e nuk ka lënë njeri pa e turbulluar në gjendjen shpirtërore e pa e fyer në nder e dinjitet. E prandaj, bash për këtë arsye, edhe sikur të ishin ëngjëj vetë, atyre nuk u takon të ngrejnë padi të tilla. Ata duhet t’i durojnë të gjitha akuzat që bien mbi ta, qofshin dhe më të padrejtat në botë, si një taksë që duhet paguar për babain e tyre rrugaç. Përsëris, kjo është punë palaçosh. Duhet t’iu vijë turp, kur u shkon mendja të ngrejnë padi e të flasin për nder e dinjitet të cënuar. Sidomos të birit, për të cilin dihet mirë dhe mund të provohet qartë se ka qenë kokë e këmbë i zhytur në aferën e paligjshme të Gërdecit, që pati një fund shumë tragjik.  
9 Nën 2011 - 10:38
Mes trashëgimive të Napoleon Bonapartit ka mbetur dhe matja e suksesit me 100 ditët e para të një aksioni, bëme, veprimtarie a mandati. Domethënia e këtyre 100 ditëve është kthyer, në fakt, pak me kokëposhtë, pasi për Napoleonin ato 100 ditë të famshme (kthimi nga egzili, rimarrja e fronit të perandorit dhe rinisja e luftës kundër anglezëve, prusianëve, etj, deri sa erdhi beteja finale e Vaterlosë) ishin dhe të fundit. Për më tepër, nuk kanë qenë tamam 100. Kanë 111, por i kanë rrumbullakosur më pas në funksion të propagandës. Ishte Roosevelt-i i dytë që zuri të lozte për herë të parë me 100 ditët. I fundit është Lulzim Basha, i cili ndoshta nuk e di domethënien historike të 100 ditëve; e ndoshta s’ka pse ta dijë. Amá gjatë këtyre 100 ditëve nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka pritur 100 ditët. Për t’i festuar. Po çfarë mbahet mend që është bërë këto njëqind ditë? Teksa bëj një lëvizje mbrapsht më kujtohen kurbani që iu bë Bashës, fakti që kryeministri ka folur disa herë për planet e sukseset e pritshme të bashkisë, fakti që kryeministri na ka bërë me dije se kryetari i bashkisë e ha drekën në zyrë, takimet me ambasadorë e me gra ambasadorësh, show i takimeve me qytetarë në një ditë të caktuar të javës, rrahja e atyre grave nëpunëse prej atij gangsterit të bashkisë, emri i të cilit s’më kujtohet, shkarkimi i të gjithë administratës dhe zëvendësimin e tyre me “ekspertë të stafit elektoral të kandidatit Basha”, premtimet e kryetarit të bashkisë se çfarë do bëjë në të ardhshmen, dhe shfaqjet e tij në TV. E vetmja gjë programatike e medemek esenciale ka qenë heqja e 60 taksave e tarifave, por në terma praktikë e financiarë ky gjest ka qenë me efekt e rëndësi qesharake. E shoh këtë punë me syze të errëta? Më thoni ju ndonjë arritje!  
2 Nën 2011 - 10:05
Socialistët po ideologjizojnë partinë e po sillen si të majtë. Po bëjnë atë që bënë demokratët përpara vitit 2005, kur papritur zunë të shfaqen konservatorë, zunë të flasin për taksa të ulta, për qeverinë e vogël, e për ndonjë vlerë, me të cilën identifikohen të djathtët kudo në botë. Nuk dihet se deri në ç’masë ndikoi në fitoren e PD-së ky ideologjizim i kësaj të fundit, por ne patëm mundësi të shihnim PD-në e rruspave e të burgjeve për kundërshtarët mafiozë e kusarë të shndërrohej në një parti propozitive. Më pas u mor vesh që e gjitha ishte një retorikë mashtruese (mbajtën fjalën vetëm për uljen e taksave, për të cilën janë bërë bërë pishman, me sa duket). Atë gjë tani po e bëjnë socialistët, të cilët në mënyrë të befasishme janë shndërruar në socialistë. Po flasin për një ekonomi të sëmurë, që mund të kurohet me receta të majta. Dhe nuk është një e dy. Janë një numër syresh që nuk po lënë rast pa folur për uljen e TVSH-së për disa prodhime e mallra të shportës, për heqjen e taksës së sheshtë e për adoptimin e taksimit progresiv (ndonëse këtë gjë mund ta bëjnë nga halli demokratët përpara zgjedhjeve të vitit 2013), për shtresat në nevojë, për zvogëlimin e hendekut mes shtresës së pasur dhe asaj të varfër, etj. Kanë folur për këto argumenta Edi Rama, Shkëlqim Cani, Ervin Bushati, Kodheli, Beqja, Shalsi, Veliaj, e me radhë, gjë që na ka bërë të ballafaqohemi me një retorikë, që s’para është vënë re në gojën e tyre. Kjo qasje nuk ka të sharë. Por kjo afërmendsh nuk mjafton. Llogjet e bukura shpesh herë shërbejnë për të maskuar plane e punë të këqija. Mjaft të shohim atë që ka ndodhur gjashtë vitet e fundit.  
26 Tet 2011 - 10:37
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në pritjen e organizuar nga bordi i fondacionit shqiptaro – amerikan të Ndërmarrjeve. Dhe aty ka folur, siç e ka zakon. Nuk ka folur për vështirësitë e kësaj krize që po thellohet, e që po demonstrohet në radhë të parë nga të dhënat që dalin prej instituteve e institucioneve të qeverisë (nuk ka folur për të tilla gjëra, ngaqë ka qenë pritje, e jo takim pune), por ka folur për aspirata, ëndërra, projekte, dëshira. “Shqipëria mezi pret të bëhet Shqipëri dixhitale. Shqipëria mezi pret të bëhet Shqipëri jeshile. Ajo ka nevojë jetike për zhvillim të qëndrueshëm” tha ndër të tjera Berisha.  Dhe më poshtë i vuri të pranishmit të sforcoheshin e të bënin një përfytyrim: Çdo njeri që do të kishte fjetur pesëmbëdhjetë vitet e fundit e do të zgjohej tani nuk do e kish njohur më këtë vend”, tha ai. Lind pyetja: Pse 15 vjet? Si ka mundësi që i ka dalë kjo shifër nga goja? Ka pasur në mendje me saktësi matematike 15 vitet e fundit, apo shifra 15 i ka dalë ashtu, e pakontrolluar? Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, gjashtë i takojnë qeverisë Berisha, dhe çfarë mbetet u takon socialistëve. Apo Berisha ka filluar të monopolizojë e t’i bëjë të vetat të gjitha arritjet, që ai mendon se janë realizuar në periudhën postkomuniste? Me siguri, duhet të ketë pasur njerëz në atë pritje që kanë filluar të pyesin veten se çfarë ndryshimesh do kishin ndodhur në këtë vend sikur Berisha të ish në gjumë gjatë 15 viteve të fundit.
25 Tet 2011 - 13:52
Të gjitha të përditshmet e sotme kishin si lajm të faqeve të para (ndonjëra sosh e kish dhe si lajm kryesor) një ‘gërricje’ të Berishës lidhur me librin e pritshëm të Edi Ramës. Po çfarë tha ai përpara deputetëve vuvë, që ai i përdor si sfond (janë tamam natura morta)? Ka thënë ndonjë gjë që ka vlerën e lajmit? Po jua sjell në mënyrë tekstuale të marrë nga Panorama online fjalën e tij (mos harroni: përpara grupit të tij parlamentar), dhe krijoni një ide vetë: “Ndërkohë, mësohet se zoti Rama, ndërsa ne përpiqemi për të promovuar reformat, ai paska qenë i mbyllur duke shkruar një libër. Kjo është një histori shumë interesante. Libri, që në të vërtetë meriton titullin ‘Kur hidheshin themelet e korrupsioni’, e ka gjithnjë një kthim te libri ‘Kur lindi partia’, tek idhulli i tij; pra në vend që të kishte këtë titull ‘Kur hidheshin themelet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës’, libri rezulton që është i tëri vaje për Bashkinë e Tiranës. [Është] libri i vajeve për humbjen e Bashkisë së Tiranës. Dhe në mënyrën më interesante për ta shndërruar atë totalisht në vaje, vendos në epiqendër kurbanin, viktimën. Libri hapet me epitafin ‘Mbeç more shok mbeç, tek dera e Bashkisë, mbeç. Nuk ma ka fajin partia, fajin ma ka babëzia, sepse më iku Bashkia. Tani të shohim se si do të shkruajë vëllimin tjetër ky zotëri.” Pastaj shton: “Një herë mendova se mos ndoshta ky don të rivalizojë me Blushin. Por është një marrëzi të tentosh të rivalizosh me Blushin, i cili ka arkivin e gjyshit të tij sa kjo dhomë, që edhe po t’i kishte Blushi tri jetë, nuk i del dot në fund. Dikush më tha se ka marrë vesh që do ta finalizojë këtë librin për Enverin, sepse për Enverin shkruajnë, ndërsa për mua nuk shkruan kush, ndaj dhe do të shkruaj unë për veten time. [Por] të bëjë ç’të dojë, unë e ftoj për reforma, ai pastaj le të vazhdojë me libra. Mbeç more shok mbeç, tek dera  e Bashkisë, mbeç. Këtë zgjodhi ai për epitaf”. Është në rregull ky njeri? Për shtypin, po. Ndryshe, s’do t’u shkonte mendja të nxirrnin nga kjo tiradë e turbullt një lajm kryesor. Por edhe Rama e ka marrë seriozisht, dhe i ka kthyer përgjigje: “Saliun e kam lexuesin më të shqetësuar, po s’e ka nga shkrimet e librat, e ka nga vrima ku u gjet Gaddafi!”.
17 Pri 2012 - 13:06
“Shtatë me shtatë doli rezultati në ballafaqimin e djeshëm” – ky ishte në thelb formulimi gazetaresk që i ishte bërë mbledhjes së djeshme të KLD-së. Dhe duhet thënë, se kjo balancë e forcave në KLD është një minifotografi e “luftës civile’ brenda institucioneve. Por nga ajo që ka ndodhur në këtë mbledhje, të bën përshtypje dhe diçka tjetër. Është fjala për komunikimin midis Ministrit dhe Presidentit. Mund t’i quash legjitime pretendimet e palëve në debatin që është bërë (dmth nga njëra anë vullnetin presidencial për të zgjedhur zv.kryetarin e KLD-së, s’ka gjë se ai është një lame duck, e nga ana tjetër këmbënguljen e ministrit për ta shtyrë këtë vendim edhe nja dy muaj, deri sa në vend të Topit të vijë ndonjë top i Berishës), por ka një gjë gjë që nuk legjitimohet. “Le t’ia lëmë Presidentit të ri t’i japë dum kësaj pune; ju edhe dy muaj jeni në këtë post; apo s’është mirë të përmend litarin në shtëpinë e të varurit?”, është shprehur ministri Halimi përballë kreut të shtetit. Kjo është rrugaçëri institucionale. M.N.
30 Mar 2012 - 21:48
Kush ka parë videon e policisë, ku tregohet marrja në pyetje e Viktor Gushit, me siguri duhet të ketë vënë re shumë gjëra që s’shkojnë (shihni video-lajmin e republica-s). Të bën përshtypje fakti që policia e ka filmuar shpejt e shpejt intervistën me të pandehurin, dhe e ka dërguar fillimisht tek televizioni ABC News, e më pas tek të gjitha televizionet. Nuk ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë. Ka pasur vrasës më të frikshëm se sa Viktor Gushi në Shqipëri, një pjesë e të cilëve janë kapur nga policia, por në asnjë rast nuk ka ndodhur që kjo e fundit t’u çojë televizioneve videon e marrjes në pyetje. Pastaj, nuk merret vesh se ç’është kjo praktikë e publikimit të hetimeve paraprake, dhe nuk na thuhet nëse e ka dhënë viston prokurori i çështjes që këto të dhëna të hetimit të dalin në dritë. Ka më. Marrja në pyetje ishte një shfaqje bashibozukësh. Marrjen në pyetje normalisht duhet ta bëjë një polic i caktuar, që quhet oficer i policisë gjyqësore, dhe ai këtë gjë duhet ta bëjë në prani të avokatit të të arrestuarit. Ndërsa në rastin konkret nuk merrej vesh se kush ishte oficer i policisë gjyqësore, dhe nuk dukeshin gjurmë avokati. Ishin një tufë policësh që nuk ngjanin me policë. E megjithatë, vrasësin e supozuar apo të hamendësuar e trajtonin me mirësjellje mejhanesh, komunikonin miqësisht, i jepnin cigare, etj. Ata ndërprisnin njëri-tjetrin, e bombardonin me pyetje Viktorin, pa marrë përgjigje për një pyetje i bëhej pyetja tjetër, i drejtoheshin të pandehurit me fjalët “o shoku”, “hej dëgjo këtu ti”, pyetjet ishin të natyrës afermative, si fjala vjen “po në fillim ti shkove atje, apo jo?”, etj, etj. Ndërsa e pyesnin, nuk kish, përsëris, asnjë avokat. Kish një togë policësh, dhe ai, përbindëshi i supozuar që nuk kish pamje përbindëshi; përkundrazi, kish një pamje krejt të trallisur, që përpiqej të ndiqte në bisedë “miqtë e zhurmshëm e të paedukatë” e t’i miratonte duke belbëzuar. Është ky vrasësi? Po, mund të jetë. Por këtë nuk mund ta dijë policia. Kjo do të dalë pas një hetimi të plotë, e pas një procesi gjyqësor. Për këtë arsye, polici Bernard Çaushaj është gabim gjithë ditën e ditës kur del e na thotë (ka dalë qysh dje) se “vrasësi është Viktor Gushi, dhe se ky është autor i shumë veprave të tjera penale”. Lindin pyetje: Ku e di Çaushaj që ky është autori i shumë veprave penale? Mirë, është i sigurtë që ky është autori i vrasjes tek banka e Xhamllikut, pasi “i paska bërë ekspertizën balistike armës”, por pse qënka i sigurtë për krime të tjera të të arrestuarit?  Kush i tha atij që ky i ka bërë ato krime? Ia tha vetë Viktori? Po në ç’rrethana ia tha? Sa vlerë ka kjo që thotë vetë i arrestuari në rrethana të panjohura? Komiteti shqiptar i Helsinkit ka bërë mirë që ka nxituar dhe e ka përshëndetur arrestimin e vrasësit të arkëtares, por do kish bërë mirë të denonconte edhe këto praktika të shëmtuara e të kundraligjshme hetimi, që transmetohen ekraneve të televizioneve, si të ishin një reality show.