credins
Data sot është 25-05-2013, ora 10:16
Kam një makinë elektrike për mjekrën, të blerë në vitin 1999 pa asnjë lloj garancie. Burri që ma shiti në tregun elektrik mund dhe të më kish dhënë garanci, por të dy ishim të qartë që e vetmja garanci reale ishte ajo e të peshuarit me sy. Unë peshova burrin që ma shiste, produktin, koston, dhe e bleva. Potë kthehesha të nesermen, burri mund të mos ishte më aty, mund të mos më mbante mend, mund të mos më përfillte. Ose, makina, mund të mos prishej. Në fakt kam bërë një blerje të mirë. Makina punon akoma. Në këtë formë funksionojmë gjithmonë, prej sa mbaj mend. Gjëja me garancinë më jetëgjatë në këtë vend është një dyshek. 10 vjet. Televizorët shiten në dyqane prestigjioze me garanci 3 mujore; diplomat tona në vend të datës së skadencës kanë një “Ha-Ha-Ha” të sigluar poshtë; po hyre në derë të spitalit as Zoti nuk mban më garanci për ty; polici të sugjeron miqësisht që ta zgjidhësh ‘me njëri-tjetrin’ përplasjen e makinës sepse ai dhe ti, e dini që dëmin e asaj makine të siguruar nuk ke për ta marrë të plotë; ai që ta merr votën ta merr në formë tribale e jo mbi një program, nuk ka pse të të japë llogari për 4 vjet, e vetmja gjë që mund të të garantojë është që të marrë “lekët e veta” nga posti i ri; ballkoni yt me ‘pamje nga deti’ mund të ketë shumë shpejt një pamje nga banja e komshiut të pallatit të ri; krenaria e prindit nuk është më “fëmija im nuk pi duhan e alkool”, por “ishalla fëmija im nuk merr drogë”; gjysma e martesave zgjidhen brenda vitit; miqtë të shesin, shefat të shesin, gratë të shesin, vartësit të shesin. Madje, edhe shokët e vëllazërisë kriminale kanë filluar të të shesin. Unë besoj se kjo është pjesë e mbrapshtisë. Kjo është një kontratë sociale e përdhunuar mu në thelbin e vet: garancia e ekzistencës së individit këtu, në këtë vend, me këtë shtet.
Në Shekullin e sotëm ish një shkrim i Alban Sejdinit me titull ‘Plasnë juridiksat!’, dhe thelbi i shkrimit merrej vesh qysh në paragrafin e parë: “Një këngëtare mejhanesh u shpreh në një emision televiziv para disa vitesh, se edhe pse kishte qenë shumë e zënë, “do t’i fus edhe një juridik” (!). Nëse dikur ishte “plasnë çokollatat”, ka ca kohë që shkon më shumë “plasnë juridiksat”. Në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në një vit X rreth 500 futen në vit të parë dhe mbi 600 dalin pas diplomimit. Nuk duhen harruar edhe disa mijëra të prodhuar nga sistemi part-time dhe sidomos nga bizneset akademike. Çdo vit, as hapja e portave të Fierzës nuk bën aq dëm sa juridiksat e rinj në tregun e punës dhe sidomos në të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre të tanishme e të ardhme. Sikur të mos mjaftonte kjo situatë tragjikomike për të gjithë ata, që nuk janë djali apo vajza e dikujt që ka një apo shumë lidhje, Shqipëria është vendi ku drejtësia është përjashtimi, jo rregulla.” Re.Pu.
Alba Malltezi bën një vëzhgim interesant në gazetën shqiptarja.com. Po e publikojmë pothuaj të tërin: “Kur Kryeprokurorja Ina Rama doli para mediave për të bërë publike hetimet që çuan në kërkesën për arrest me burg të kreut të Gardës së Republikës për vrasjen direkte të një qytetari shqiptar, më erdhi një dyshim: A ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës prokuroria gjithë provat e mundshme për të mos lënë shteg alibish për ata që akuzohen për vrasje dhe për fshehje flagrante të provave? Në gazetën Shekulli, gazetarët Flamur Vezaj dhe Lindita Çela, zbulojnë se dëshmia e shefit të armatimit të Gardës, Mark Ndoji, i cili thotë se pistoleta Beretta nr. P52796Z ishte e Ndrea Prendit, kreut të Gardës që akuzohet për vrasjen me këtë pistoletë të qytetarit Faik Myrtaj, ishte lënë jashtë dosjes së dorëzuar në Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit, përfitoi me nxitim të jepte “arrest shtëpie” për personat që akuzohen jo vetëm për vrasje, por dhe për fshehje dhe manipulim flagrant të provave. E pra, pas një viti hetim, prokuroria, ka luksin të lërë jashtë dëshmi të rëndësishme, duke vënë në debat dhe në sherr një opinion të tërë publik nëse ‘është apo jo pistoleta që vrau Myrtajn e Ndrea Prendit’.” Re.Pu.
Në Mapon e djeshme, Alfred Lela ndalej tek vendimi Prokurorisë për të hapur çështje penale ndaj komandantit të Gardës e Co., dhe ndaj tre deputetëve të PS. Sipas Lelës, tani, edhe me ndihmën e ‘arbitrit’ Arvizu, opozita nuk mund ta luajë më rolin e viktimës. Dhe shpjegon: “Kur ambasadori Arvizu ka shqiptuar ‘të hetohen vrasjet, protestuesit dhe organizatorët’, i ka hequr opozitës shqiptare mantelin e të flijuarës. Dihet se pala që qeveris vendin, çdo palë dhe çdo vend, është automatikisht e etiketuar si ‘xhelat’, duke qenë se të tilla janë institucionet kushtetuese: policia, burgjet e të tjera: ato e ruajnë rendin edhe duke ushtruar dhunë. Për ata që e njohin sadopak natyrën e shtetit, këtu nuk mund të ketë keqkuptime: keqkuptimi ishte te përpjekja e opozitës për të luajtur viktimën dhe për të kërkuar drejtësi nga pozicioni i viktimës. Dje ambasadori Arvizu u ka shërbyer shqiptarëve një parim të përmbysur të drejtësisë amerikane, ‘të gjithë janë fajtorë, derisa të provohen të pafajshëm!’ (të gjithë janë të pafajshëm, derisa të provohen fajtorë!). Edhe njëherë demokracia me mekanizmat e saj rregullues i ka futur palët në proces: përplasjet në rrugë janë zëvendësuar me përballje në institucione. Ky nuk është vetëm lajm i mirë: është vetë rendi i gjërave.” Re.Pu.
Adrian Çollaku ngre një problem të njohur për shqiptarët në shkrimin e tij “Hapni letrat!”. Ai i referohet një debati në parlamentin e Kosovës: “Në seancën e fundit, ku u debatua për protestën e Vetëvendosjes së 14 janarit, e ku pati akuza e kundërakuza të shumta ndërmjet deputetëve, kryeministri Hashim Thaçi dhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi kërcënuan njëri-tjetrin me “hapje letrash”. “Më mirë të mos i hapim letrat se pastaj…”, thoshte kryeministri Thaçi, duke iu drejtuar deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit. Po në të njëjtën mënyrë, me kërcënim letrash, edhe ky i fundit iu kundërpërgjigj Thaçit.” Bëjnë sikur i kanosen sho-shoqit, pasi në të vërtetë asgjë nuk ndodh. “Tash e 12 vjet prej se ka përfunduar lufta, me qindra herë është përdorur kjo shprehje kërcënuese. Megjithatë, letrat asnjëherë nuk u hapën. Thuajse askush kundrejt askujt nuk duan të hapin letrat. Por, edhe ato pak ‘letra’ që u hapën, ishin kot, një asgjë.”, shkruan Ardian Çollaku. Në Kosovë kanë 12 vjet, ndërsa në Shqipëri plot 21 vjet ky avaz. Re.Pu.  
Është folur shumë këto ditë për 21 janarin. Edhe sot të përditshmet ishin mbushur me lajme e shkrime që lidheshin me këtë datë. Binte në sy një vëzhgim i Alba Malltezit në shqiptarja.com, ku ajo flet për “gabimin fatal pas 21 janarit”. Ja thelbi i shkrimit të saj: “21 janari 2011 ishte një gabim fatal në karrierën politike të kryeministrit Sali Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Me shansin dhe mundësinë për të pasur pushtetin disa herë dhe dëshirën e aftësinë për t’u korrigjuar në menaxhimin e tij, më 21 janar 2011, pati një kthim. Një kthim në vetvete dhe në bazën e gabimeve të rënda që ai ka bërë gjatë karrierës politike. Vrasja e katër pjesëmarrësve në protestat e opozitës, nuk mund të kalohet lehtë, me gjithë justifikimin që bëjnë zyrtarët e lartë: Ishte mbrojtje e institucioneve. Kështu nuk qe. Katër të vrarët në protestën e 21 janarit 2011 nuk ishin në radhët e para të protestuesve dhe nuk ishin aspak ata që u konfrontuan me njerëzit e rendit. Përkundrazi, plumbat e qëlluar nga godina e kryeministrisë i kapën rastësisht, në mes të të tjerëve. Vdekja e tyre, ishte një fat i zi. 21 janari dhe qëllimi i mbrapshtë në menaxhimin e tij nga ana e Qeverisë, vazhdon më pas, kur qëllimisht u shuan regjistrime nga serveri i kamerave të kryeministrisë. FBI tani i ka rekuperuar, por për këtë ka përgjegjës që shpejt do të dalin në dritë.” Re.Pu.
Në shkrimin e tij “100 vjet trishtim”, të publikuar në Shekulli, Ilir Yzeiri i referohet një anektode të marrë nga libri i Eqrem Bej Vlorës: “… Ky 100 vjetor i Pavarësisë është një vit i trishtueshëm. Më kujtohet një episod cinik dhe sarkastik nga libri i Eqrem Bej Vlorës. Më duket se është koha kur do të mbahet Kongresi i Manastirit dhe Eqerem Vlora punonte në Ministrinë e Brendshme të Perandorisë. Për të marrë pjesë në Kongres i kërkon leje shefit. Dhe ministri i brendshme turk që e dinte se çfarë do të ndodhte në Manastir, i thotë pak a shumë kështu: “hë do të bëni gjuhën tuaj, ë? Pastaj do të bëni shtetin tuaj, apo jo. Ik, i thotë, ik. Juve nuk ju doli gjithë kjo perandori, shkretëtirat, fushat, gjithë kjo hapësirë, si do t’ju dalë ai vend i vogël, me male shkëmbinj. Ik, ik se atje do të vriteni me njëri-tjetrin, pastaj. Ik, ik…» Më ka mbetur në kujtesë ky episod dhe sidomos në këtë 100-vjetor e sjell shpesh ndër mend.” Episod pikant është.  
“Revista Time e shpalli si personalitet të vitit Protestuesin i cili, si asnjëherë më parë, në gjithë globin u çua në këmbë dhe kërkoi të drejtat e veta. Por [këtejpari] nuk pamë protesta. Në fakt, nuk pamë protesta nga qytetarët shumicë. Thuajse gjithçka me ne është në rregull dhe nuk kemi nevojë ta ngremë zërin për të kërkuar më mirë. Punë e madhe se ende s’kemi rrymë e ujë 24 orë, se pensionet janë të vogla, se shërbimet shëndetësore janë të mjerueshme, se na ka pllakosur papunësia e varfëria. Popull më të durueshëm nuk gjen kund. Madje, kësi populli si ne do të lakmonte secili pushtetar - demokrat a diktator - në Evropë e Azi, Afrikë e Amerikë. Çdo ditë përballemi me këto dhe qindra probleme të tjera, por kjo ka pak rëndësi - sepse kemi “perspektivë europiane” dhe “një ditë” edhe ne do të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian - këtij konstruksioni politik në të cilin kroatët me protesta po refuzojnë të hyjnë dhe nga i cili rumunët, po me protesta, po kërkojnë të dalin. E në këtë oazën tonë të mbushur plot pesimizëm e pak shpresë, plot korrupsion, hajni e pseudopatriotizëm, ne nuk dimë të protestojmë. Nuk duam të protestojmë. Na u ka mbytur delli i protestës. Ose, përnjëmend na e kanë mbushur mendjen se çfarëdo proteste është kërcënim për shtetin, për stabilitetin, për të ardhmen europiane.” Sa më sipër, sigurisht, ka të bëjë me shqiptarët. Apo jo? Po, në fakt ka të bëjë bash me shqiptarët. Por autori Imer Mushkolaj e ka me shqiptarët e Kosovës. Jemi njësoj. Çfarë mund të shkruhet për ne shqiptarët e poshtëm, mund të shkruhet dhe për shqiptarët e sipërm. Gjithmonë. Për çdo gjë. Re.Pu.  
“Në Shqipëri ka 122 parti politike, 1800 organizata jo qeveritare, 28 të përditshme, etj”, thotë Afrim Krasniqi në shkrimin e tij të publikuar në shqiptarja.com, dhe me këtë informacion na përgatit për opinionin që do të japë pak më poshtë. “Këto të dhëna nuk janë shenjë e standardeve të demokracisë. Ajo çfarë e dallon një shoqëri demokratike nga një shoqëri parademokratike është raporti midis ligjit e individit, midis politikanit dhe institucioneve, midis qytetarit dhe pushtetarit, midis të drejtës së deklaruar dhe asaj të aplikuar”, saktëson ai. Re.Pu.