Data sot është 18-05-2012, ora 13:46
Lajme

Miratimi e publikimi i një abetareje të përbashkët për Shqipërinë e Kosovën është shndërruar në një festë të shpifur propagandistike. Berisha ka vrapuar dhe e ka mbajtur frymën në Prizren, ku është organizuar ‘qoka’. Atje është takuar me dinjitarët e lartë të Kosovës, mes të cilëve Thaçin, dhe ia kanë nisur harbimit, ku binin në sy fjalime të ndërkryerish. Thaçi tha se “sot është një arritje historike, pasi në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë po promovohet abetarja e përbashkët. Kjo është abetare e lirisë, është abetare e Kosovës dhe Shqipërisë europiane”. Ju duken tone shumë patetike? Jo dhe aq krahasuar me Berishën, që tha se “[kjo abetare e përbashkët] mbart sakrificat e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut deri në luftërat në Kosovë e Maqedoni. Ajo bart idealin e lirisë së shqiptarëve, idealin e bashkimit të tyre si idealin e përjetësisë kombëtare.  Nuk duhet të harroni kurrë se kjo abetare ka me qindra jetë të flijuara. Abetarja është margaritari i kurorës së 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur.”

Përballë këtyre pompave, Kongresi i Manastirit, apo dhe vetë Lidhja e Prizrenit, të duken si çikërrima historike.

M. Nano

Në pikun e bujës e të debatit publik rreth Universitetit Kristal, Henri Çili bën një letër të hapur që ua adreson në radhë të parë një numri kolegësh të vetë, me të cilët ka pasur një histori bashkëpunimi në fushën akademike, të botimit e të sponsorizimit, e nga të cilët ka pritur – kjo gjë del nga shkrimi – që t’mos japin gjykime për gjithë stivën nisur veç nga një dru i shtrembët (në fakt, nuk duket se ka pasur sulme të tilla en block, duke përjashtuar një mesazh jo fort të qartë të kreut të opozitës). Çili e bën këtë letër të hapur si administrator i njërit prej universiteteve private, atij Europian të Tiranës (UET), por merr në mbrojtje të gjithë sektorin. Madje, ai përmend, përveç UET-it, disa shembuj të tjerë të suksesshëm në lëmin e arsimit privat universitar, si “universiteti Luarasi që drejtohet nga juristi Kristaq Traja, universiteti Polis i drejtuar nga Besnik Aliaj, universiteti Marubi i Çashkut, Tirana Business University të drejtuar nga Spiro Brumbulli, etj” (Për më shumë lexoni shkrimin e plotë në linkun: http://www.mapo.al/2012/05/18/leter-e-hapur-per-uet-universi...)

Çili është i dyti që shpreh shqetësimin prej kësaj ‘kryqëzate’ publike në adresë të universiteteve private. Para tij është shprehur dhe Besnik Aliaj.

Re.Pu.

PS-ja, saktësisht Edi Rama, foli për presionet korruptive të maxhorancës të bërë mbi dy deputetë të saj me synimin për t’u blerë votën presidenciale. Denoncimi ish, në fakt, kuturu, krejt i padokumentuar dhe i paprovueshëm, pa emra të njerëzve nën presion apo të njerëzve që kanë bërë presion, e në këtë kuptim e gjithë kjo nuk la shije të mirë.

Nuk u mor vesh pse në këtë histori erdhi një reagim nga Hazir Gashi, deputet i PS-së. Duhet t’i jetë përmendur emri si deputet nën presion korruptiv në ndonjë gazetë; ndryshe, nuk ka se si shpjegohet reagimi i tij. “Kjo është një gënjeshtër e madhe”, tha ai. Pritej në këto rrethana që, si provë luajaliteti ndaj partisë, ai të jepte garanci të llojit “vota ime nuk do të hidhet kurrë për kandidatin e Berishës”. Por nuk e dha këtë garanci. Përkundrazi, tha se “nëse dua t’ia jap votën dikujt, këtë e bëj jo për pará, pasi nuk kam nevojë për pará. Jam aq burrë sa t’i them partisë që po, filan fistekun dua ta votoj për President”.

Re.Pu.

Në shtator do të jetë Konventa e demokratëve amerikanë, ku do të rikonfirmohet mbështetja për kandidatin e tyre presidencial, Barack Obama. Por republikanët, për të cilët është e zorshme ta durojnë dhe katër vjet të tjera në Shtëpinë e Bardhë, kanë bërë gati një suprizë për të, gjë që e bën të ditur New York Times: në bashkëpunim me një Super PAC (Political Action Commettee), grup independent financiar me synimin për të lobuar e ushtruar ndikim në procesin elektoral, politik e legjislativ, republikanët kanë përgatitur një strategji denigrimi e diskreditimi të Presidentit amerikan, të cilit ia kanë vënë emrin të plotë në ballinën e materialit me 54 faqe: Barack Hussein Obama. Titulli i materialit është: The Defeat of Barack Hussein Obama (Mposhtja e Obama-s). Një plan i tillë ka qenë qysh në krye të herës në mendjen e strategjistëve amerikanë, por në fushatën e shkuar ishte rivali i Obama-s, John McCain, që nuk i lejoi.

E.G.

"Familja ime ka transferuar nja 20 mijë euro në numrat e llogarisë së motrës që banon në Zvicër”, thotë një grek, që banon në Bruksel e që një pjesë kursimesh i ka në bankat greke (sipas sitit euobserver.com). Kjo punë po shndërrohet në një flamë. Shumë grekë të tjerë po transferojnë paratë e tyre nga bankat greke në banka të huaja, ose po i marrin nga bankat (kur mundin).

 “Edhe sikur tërheqjet apo transferimet të vijojnë me këto ritme, ne mund të mbijetojmë deri në zgjedhjet e qershorit”, thotë një ekonomist që punon në një nga bankat greke. Mirëpo, situata duket se është më dramatike se sa kaq. Është folur vetëm për tërheqjet e bëra të hënën e të martën, të cilët kapin vlerën e 1, 2 miliardë eurove (për ditën e mërkurë nuk jepen të dhëna), por qysh nga zgjedhjet e 6 majit, shuma e nxjerrë apo e transferuar prej bankave greke është 5 miliardë euro. Në një kohë që depozitat në tërësi shkojnë deri në 165 miliardë euro.

Re.Pu.

Ka vdekur Donna Summer, kant-autorja amerikane e emërtuar si ‘Mbretëresha e Diskove” (ajo arriti kulmin e suksesit në vitet ‘970, kur diskot zunë të bëheshin një dukuri kulturore). Ka mbyllur sytë në Florida, në moshën 63 vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë (kancer). Donna Summer, e lindur nën emrin LaDonna Adrian Gaines, ka qenë shumë e dashur për shqiptarët në kohën kur zuri të bëhej e suksesshme. Regjimi komunist nuk lejonte transmetimin e këngëve të saj në mjediset publike e mediat shtetërore, por të rinjtë, që sot janë mbi dyzet-vjeçarë, gjenin mënyra për të dëgjuar Hot Stuff, Love to Love You Baby, Bad Girls, etj.

E.G.

Biznesmenët që kanë zaptuar përfundimisht gjirin e Kakomes, kanë arritur të fusin në dorë ALUIZNI-n dhe kanë mundur të blejnë tokën brenda territorit të tyre përmes procesit të legalizimit. Kompania Riviera, e cila kishte filluar qysh në vitin 2004 procedurat për të marrë me koncesion Gjirin e Kakomese, së bashku me një kompani franceze, tani rezulton të jetë e vetme pronare e një sipërfaqe toke, të cilën ja ka shitur me firmën e tij ish- kryetari i ALUIZN-it, Shaban Memia.

Dokumenti i gazetës Tema dëshmon se në fillim të muajit mars, ndërsa Memia ka qenë në prag të largimit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZN-it, ka firmosur shitjen e tokës për llogari të kompanisë Riviera, e cila tashmë vepron në Gjirin e Kakomes si një subjekt pa një status të subjektit turistik. Kompania franceze “Club Med” është tërhequr nga projekti prej vitit 2007 dhe me kuadrin ligjor shqiptar, i bie që koncesioni i dhënë dikur nga Fatos Nano të jetë i pavlefshëm.

Por, duke bërë fakt të kryer praktikën e bllokimit të territorit dhe kthimit të tij në një territor ku arrestohen çdo vite roje për trafik droge, zaptuesit e këtij trualli kanë mundur që dhe të blejnë një pjesë të territorit kundrejt një kontrate e cila është në kundërshtim flagrant me ligjin.

Në bazë të ligjit 8053 të dhjetorit 1995, banorët e zonave bregdetare duhet të kompensohen me tokë ose truaj, në rast se toka e tyre ka objekt ndërtimi prioritet turistike. Toka që i është dhënë kompanisë Riviera prej ALUIZN-it, është tokë e cila ka qenë në përdorim dhe shpërndarë për banorë të zonës, të cilët shpronësohen nga vendimi “de facto” i ALUIZN-it, që ja shet një kompanie e cila e ka ende të paqartë statusin e saj si subjekt turistik.

Ky vendim bëhet edhe më arbitrar ndërkohë që në Kuvend po diskutohet sërish ligji për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore për banorët pranë zonave turistike, që shpronësohen për nevoja publike.

Vendimi ka ngjallur reagim në fshatrat Nivicë dhe Shën Vasil, të cilët janë ende të paqartë për fatin e pronave të tyre.

Interpelanca ne Kuvend. Brace denoncon grabitjen e tokes ne bregdet

Opozita akuzon qeverinë se po synon te përvetësoje tokat e 8 mije familjeve ne bregdet, nëpërmjet nismës për titujt e pronësisë. Sipas deputetit Erjon Braçe, abuzimi shtrihet ne 110 milion metra katrore toke, për t’ia kaluar ato një grupi njerëzish. Por ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ishte iniciatori i nismës ligjore, tha se drafti as nuk krijon ndarje te re te tokës dhe as prodhon tituj te ri pronësie. Por një qëndrim kritik me qeverinë, për çështjet e pronës mbajti ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ai pohoi se me këto nisma, qeveria thellon antikushtetutshmerine ne raport me pronën. Ne nisje te seancës, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, debatoi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për kërkesat e opozitës për interpelanca me kryeministrin Berisha.

Marrë nga Tema

Përveç hetimeve për dy shtetasit italianë të diplomuar pranë Univesitetit Kristal, për të cilët është mbyllur procesi i pyetjes së pedagogëve për lëndët përkatëse, njësia task force ne Prokurorine e Tiranës deklaron jo zyrtarisht, se ka zgjeruar hetimet për të verifikuar edhe raste te tjera te perfolura ne kohe te ndryshme.
Sipas grupit te hetimit nga njesia task force, pas sekuestrimit te nje sere dokumentash ne Universitetin Kristal, po shikohen me imtesi procedurat e ndjekura qe nga regjistrimi i studentit,  deri tek diplomimi i tij dhe nese eshte konsumuar apo jo falsifikimi i dokumentave edhe per keto raste, si dhe nese ka apo jo persona te tjere, dimplomi i te cileve eshte i dyshimte.
Prokuroria po verifikon dyshimet se shumë studentë mund te jene regjistruar direkt ne vitin e dyte ose te trete, duke paguar parate e viteve te pandjekura. Megjithate hetuesit nuk konfirmuan se per çfare rastesh behet fjale, megjithese deklaruan se verifikimet po kryhen se bashku me hetimet per djalin e ish-liderit te Liges se Veriut Umberto Bossi-t, Renzo Bossi, diplomimi i te cilit prane Universitetit Kristal, u publikua se pari nga mediat italiane.  
Pjesetare te grupit te hetimit shtuan se jane ne pritje te venies ne dispozicion nga universiteti te disa procesverbaleve, ndersa nga pyetja e pedagogeve pjese e ketij stafi eshte dhene versioni se asnjeri prej tyre nuk e mban mend studentin Renzo Bossi, sepse sipas tyre ata kane patur dhjetëra studente ne auditore.
Nje burim i Top Channel pohoi se aktualisht hetimet jane fokusuar per te zbuluar personin, i cili sipas tij ja ka bere dhurate diplomen Renzo Bossit, megjithese Universiteti Kristal me heret ka deklaruar se Renzo Bossi eshte rregjistruar per vitin akademik 2007-2008 dhe ka perfunduar shkollen sipas rregullave. Gjate publikimit te kesaj çeshtjeje nga media italiane prokuroria e Milanos deklaruan se Bossi eshte regjistruar me numer amze 482, eshte diplomuar per menaxhim biznesi, dega ekonomik dhe diploma e tij eshte leshuar me 2010.

Marrë nga Top-channel

Pas publikimit të skandali të diplomës së marrë në Universitetin "Kristal" nga Renzo Bossi, prokurorët kanë bërë gjënë minimale të punës së tyre duke filluar verifikimet në këtë universitet. Pjesëmarrja në mësim dhe provime janë tregues minimal që faktojnë që një student ka ndjekur studimet në një universitet. Dukë marrë të mirëqënë këtë, prokurorët kanë kërkuar procesverbalet e provimeve (ku presupozohet që profesorët kanë vendosur notat e provimeve për Bossin), por abracadabra! Në kasafortën e universitetit nuk gjendet asgjë. Shtypi shkruan se nga 39 procesverbale që duhej të ekzistonin, prokurorët nuk ka gjendur asnjë prej tyre.

Universiteti Kristal e justifikon mos gjendjen e dokumenteve me faktin se dy vite pasi studentët mbarojnë ciklin e studimeve asgjësojnë të gjithë procesverbalet e notave!

 

Re.Pu.

Berisha dhe Thaçi shfrytëzuan ceremoninë për prezantimin e abetares së përbashkët për të dalë edhe një herë bashkë në publik. Prezantimi u bë në Prizren gjatë një organizimi ku morën pjesë ministra dhe përfaqësues të tjerë dy shteteve. Gjatë fjalës së mbajtur të dy krerët e shteteve e vlerësuan këtë si një hap të rëndësishëm për kombin, e cila mbart sakrificat e të gjithë shqiptarëve.

Puna për botimin e një abetare të përbashkët ka filluar prej disa muajsh. Libri është i njëjtë dhe mban simbolet e të dy shteteve dhe pikërisht këtu fillon paradoksi. Ashtu siç kishim shkruar edhe më parë ( http://respublica.al/artikuj/2012/4/26/abetare-mbarekombetare-por-jo-domosdoshmerisht-per-femijet-e-shqiperise ) libri do të ekzistojë në të dyja shtetet por fëmijët shqiptarë nuk janë të detyruar domosdoshmërisht ta përdorin atë. Në Shqipëri funksionon alterteksti dhe për t’u përfshirë në programin mësimor, ajo duhet të përzgjidhet fillimisht nga mësuesit midis botimeve të shtëpive të tjera botuese.

 

S.E.

Teatri ynë kombëtar ishte një nga 37 trupat teatrore të ftuara për të marrë pjesë në Festivalin njëjavor ‘Globe to Globe’ e për të luajtur në skenën e Teatrit ‘Globe’ të Londrës (shihni foton) 37 drama të Shakespeare-it në 37 gjuhë të ndryshme. Morëm pjesë me dramën trilogjike Henriku VI, me pjesën e dytë (pjesa e parë e së njëjtës dramë është luajtur nga teatri kombëtar i Beogradit, dhe e treta nga një trupë teatrore e Manastirit të Maqedonisë).

Disa të përditshme tonat informojnë sot mbi një fushatë kryqëzuese që i është bërë trupës shqiptare të përbërë nga aktorë të njohur si Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Kristaq Skrami, Vasjan Lami, Neritan Liçaj, etj, etj. Përmenden komente nëpër blog-je të ndryshme, por në këtë mes duket se ka rëndësi një shkrim i publikuar në the Guardian, në të cilin vlerësohet vetëm një aktor i yni, Bujar Asqeriu. Për aktorët e tjerë, tok me regjinë, nuk ka lëvdata; përkundrazi.

Vetë Bujar Asqeriu është i idesë që shfaqja ishte e shkëlqyer, ndërsa drejtori Kristaq Skrami i konsideron kritikat (veçohet një gazetar serbo-kroat) si “qëndrime tendencioze e politike”.

E.G.

Në emisionin e mbrëmshëm Pro & Kundër në Ora News, Vangjel Tavo, Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe deputet i LSI-së, deklaroi se zgjedhjet e parakohshme do ta dëmtonin shansin e Shqipërisë për të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat për në BE. Zgjedhjet e parakohshme, sipas kushtetutës, zhvillohen 45 ditë pas raundit të 5-të të votimit për Presidentin e Republikës, në qoftë se asnjë kandidat nuk merr dot të paktën 71 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, përkthimi i deklaratës së Tavos është se LSI-ja nuk do ta bojkotojë votimin për President të Republikës, edhe në qoftë se nuk arrihet marrëveshje paraprake për një president konsensual.

Por çdo të bëjë LSI-ja në qoftë se Berisha këmbëngul për një president të dalë nga udhëheqja e lartë e PD-së? Sipas Tavos, LSI-ja është një parti që nuk i prish marrëveshjet, por do të mbajë qendrimin e vet politik në qoftë se PD-ja e prish marrëveshjen e bashkëqeverisjes me LSI-në. Kujtojmë se një nga pikat e asaj marrëveshjeje parashikon bashkëpunimin e dy partive në përzgjedhjen e kandidaturës për President të Republikës.

Kur u pyet drejtëpërdrejt nëse LSI-ja do t’i bashkohet një mocioni mosbesimi ndaj Berishës, në qoftë se ky i fundit nuk pranon zgjedhjen e një presidenti konsensual, Tavo tha se LSI-ja do të bëjë përpjekjet maksimale që të arrihet në një president konsensual, sepse kjo do t’i rriste shumë shanset e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Por, shtoi ai, në qoftë se kjo gjë nuk arrihet, LSI-ja do ta rishikojë pozicionin e saj.

Përkthimi: Në qoftë se Berisha nuk pranon një president konsensual, gjasat janë të mëdha që LSI-ja, pasi të mbyllet kapitulli i zgjedhjes së presidentit, të votojë në Kuvend për rrëzimin e qeverisë Berisha dhe krijimin e një qeverie të majtë.

E.Zaloshnja

Nora Malaj, zv.ministre e arsimit, në fillim e ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar më së pari nga gazeta online Idea mbi dypunësimin e saj, dhe sot i ka dërguar një letër të hapur drejtorit të kësaj gazete, Mentor Kikias. Lajmi mbi dypunësimin e Malajt ish marrë në faqen web të Ministrisë së Arsimit, ku CV-ja e Malajt figuronte e papërditësuar; dhe prandaj, kjo e fundit ka bërë përgënjeshtrimin (figuronte se ish dhe shefe departamenti në Universitetin Kristal).

Ndërsa në letrën e hapur, ajo bën një reagim polemik. Është shumë e pakënaqur nga standardi profesional i ca mediave, që e kanë denoncuar, dhe i kanë kërkuar dorëheqjen, për shkak të një lajmi të pavërtetë. Dhe don që debati të fokusohet në problemet reale të arsimit.

Kikia i përgjigjet menjëherë. Me të njëjtin ton polemik. Kikia e ka pranuar dhe publikuar përgënjeshtrimin e bërë nga Malaj lidhur me dypunësimin, por e largon fajin nga vetja për lajmin e pavërtetë. Dhe më poshtë nënvizon: “Ne do të vazhdojmë të shkruajmë për skandalin ku është zhytur [Universiteti Kristal]  ku ju keni punuar (jo për fajin tuaj), por edhe institucioni ku ju vazhdoni të punoni (kjo edhe për fajin tuaj). Ne disponojmë dëshmi që do t’i publikojmë, të cilat tregojnë sesi në atë shkollë, ku ju keni qenë një nga drejtuesit, studentët janë regjistruar edhe direkt në vitin e dytë apo të tretë, duke paguar paratë në dorë. Ne disponojmë dëshmi se Ministria e Arsimit ka qenë në dijeni të maskaradës që luhej në atë shkollë dhe nuk ka ndërhyrë, madje ka bashkëpunuar duke ia shtrirë filialet e saj në çdo qytet, madje edhe atje ku ka vetëm një shkollë të mesme të bashkuar. Ne po e shikojmë të gjithë publikisht, që edhe pse skandali ka marrë dhenë dhe diplomat e një universiteti shqiptar të licensuar nga qeveria shqiptare, janë bërë gazi i botës, janë bërë një copë letër paçavure me të cilën po tallen tërë mediat e huaja, ministria ku ju mbani një post të rëndësishëm, nuk ka marrë ende asnjë masë.”

Letrën e Malajt dhe reagimin e Kikias (të dyja të plota) mund t’i gjeni në linkun: http://www.gazetaidea.com/2012/05/16/nora-malaj-nuk-punoj-me-tek-kristal-nuk-kisha-korigjuar-cv-ne/

Re.Pu.

Duket se brenda PS-së ka, ndonëse jo të shprehura fort e qartazi, rezerva lidhur me qasjen e re ndaj LSI-së e  ndaj Ilir Metës. Ka që janë publikisht pro takimeve Rama-Meta (Ruçi, Blushi, etj), por ka dhe të tjerë që kanë kritika, dyshime e paqartësira (shtypi i djeshëm fliste për një debat të bërë në kryesinë e PS-së lidhur me këtë çështje).

Janë kritikë dhe krerë partish të opozitës, por këta e kanë më tepër me transparencën e këtij riafrimi. Gjinushi e Milo kanë reaguar menjëherë në të nxehtë. Ndërsa sot ishte Petro Koçi që thosh të vetën në të përditshmen Shqip. Ai është ok me takimet, por nuk ka pëlqyer takimin privat mes tyre. “Përflitet se ka pasur një takim privat mes tyre dhe kjo nuk lë shije të mirë në publik… Gjykoj se ky lloj takimi mund të ishte shmangur”, thotë Koçi, dhe më poshtë sqaron idenë e vet: “Jo se Rama dhe Meta duhet të mbeten armiq të përjetshëm, por do kishte nevojë për disa reflektime në publik prej të dy palëve para se të ndërmerrej ky hap”.

Re.Pu.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek (është politikane austriake; e meqë jemi në një valë manifestimesh të komunitetit LGBT, është dhe lezbike) ka dhënë një intervistë për Radio Kosovën. Lunaçek njihet për dashamirësinë e saj ndaj kauzës kosovare, dhe prandaj opinionet e saj ndiqen me simpati nga shqiptarët. Këtë herë ajo flet për situatën në veri. “Për mua është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës t’ua shtrijë dorën serbëve në veri, mirëpo më e rëndësishmja është që të nisë procesi dhe në këtë mes Beogradi nuk është i nevojshëm. Beogradi nuk ka [pse të ketë] autoritet në veri”, thotë ajo.

Ajo është vendosmërisht kundër idesë së përdorimit të forcës nga ana e qeverisë së Kosovës. “Çdo përdorim i forcës [do mund të prodhonte] një konflikt të ri”, paralajmëron ajo, dhe në fund i jep një mbështetje të drejtëpërdrejtë kryeministrit Thaçi në pakënaqësinë që ky i fundit ka shprehur ndaj BE-së lidhur me liberalizimin e vizave. “Janë disa shtete anëtare, që nuk po tregojnë vullnet që ta përshpejtojnë procesin e liberalizimit të vizave”, thotë ajo duke shfajësuar BE-në si union, e duke drejtuar gishtin tek disa vende të rëndësishme si Franca, Suedia, Belgjika, Hollanda.

Re.Pu.

Shahin Naxhafi është një rapper me origjinë iraniane, që jeton si mërgimtar në Këln të Gjermanisë. Ai ka jetuar deri më sot si çdo rapper, dhe me siguri s’ia ka marrë mendja se do vinte një ditë që të jetonte i rrethuar nga nje eskortë policësh. E mbrojnë nga çfarë? Një ajatollah i Iranit ka nxjerrë një fatwa në adresë të tij, dmth një dekret a verdikt fetar, dhe atë fatwa e kanë pasuar shumë kërcënime me vdekje. Është caktuar dhe një ‘honorar’ për kokën e tij. Kush e vret, shpërblehet me 100 mijë dollarë amerikanë. Shkaku është një këngë e tij kundër regjimit politik në Iran, më saktë fakti që në këtë këngë ai ka futur (dhe vënë) në lojë Imamin e dhjetë, Ali al-Haxhi al-Naxhi-n, që ka jetuar më shumë se një mijë vjetë më parë. Ai i ka drejtuar një lutje këtij imami, që të kthehet në Iranin e këtyre ditëve, dhe t’i tregojë vendin regjimit dhe atyre që janë në komandë atje. Ai, si çdo rapper, bën edhe gallatë e lëshon edhe qesëndisje; e bën këtë dhe me Imamin e dhjetë. Madje, ai shkon dhe më tutje: në Youtube ka nxjerrë një imazh shoqërues për këngën, ku kubesë së një xhamie i jep formën e gjoksit të femrës, dhe thithkën e gjoksit e vë mu në majë të kubesë.

Kaq është dashur pra që të të lëshohet mbi të një fatwa, që me sa duket do ta shoqërojë gjithë jetën. Tok me policët që i janë vënë në mbrojtje.

Re.Pu.

"Unë dua një parti të bashkuar, të fortë, të gjallë, një parti që di të fokusohet në gjërat që duhen bërë, e jo në larje hesapesh të brendshme; dua një parti që ka projekte qeverisëse, e që di t’u japë përgjigje shqetësimeve të vërteta të njerëzve; dua një parti të hapur për të rinjtë, e të kyçur për të korruptuarit e sharlatanët”. Këto fjalë janë të Roberto Maronit, politikanit që ka shprehur ambicjen ( e që ka të gjitha shanset) për të marrë kreun e partisë Lega Nord. Një orë pasi Maroni kish shkruar këto fjalë në profilin e vet në facebook, doli lajmi se Umberto Bossi, tok me të bijtë, janë duke u hetuar për shpërdorim të fondeve publike të partisë për qëllime personale. Udhëheqësi historik i kësaj partie akuzohet se është pjesë e kësaj bëme korruptive, dhe se ka vënë nënshkrimin në lëvizjen e parave nga arka e partisë në duart e të bijve e në duar të të tjerëve.

Ky është lajmi i dytë që japim sot me motive të partisë ‘Lega Nord’. Lajmi i parë kish të bënte me Mario Borghezio-n. Ju kujtohet? Është ai i lajmit me titull “Borghezio ‘hakmerret’ për skandalin e Bossi-t, dhe lëshon gojën kundër shqiptarëve”.

Re.Pu.

Zgjedhjet greke do të mbahen, siç pritej, më 17 qershor, pra pas një muaji. Presidenti Papulias donte që të linte në postin e kryeministrit këtë që është, Papademosin, por Aleksis Tsipras, i pari i partisë së dytë, e ka refuzuar një version të tillë. Dhe prandaj është marrë vendimi që qeverinë ad interim ta drejtojë një jurist, Panajotis Pikramenos.

Ndërkohë mbretëron një si panik në Greqi, që më së pari është vënë re në tërheqjen e parave nga banka. Për dy ditë, të hënën e të martën, sipas gazetës Financial Times, janë tërhequr nga bankat 1, 2 miliardë euro, që janë 0,75% e të gjithë depozitave. Shenjë e dytë e krizës dhe e panikut është zhvendosja e grekëve drejt veriut të Europës. Gjatë vitit 2011, numri i grekëve që lanë vendin e tyre e morën drejt veriut, kryesisht në Gjermani, u dyfishua.

Re.Pu.

Reforma zgjedhore ka ngecur në kompozimin e KQZ-së, në kërkesën për të hetuar kutitë, sa herë që ka dyshime për to nga palët dhe në çështjen e numërimit elektronik. Pse? Komentatori i shqiptares.com, Enton Abilekaj ka një shpjegim të vetin. Ja çfarë thotë ai në një shkrim të tijin të publikuar sot: “Berisha, ashtu si në refuzimin dyvjeçar për hapjen e kutive, kërkon t’i japë garanci [anëtarëve të] ushtrisë elektorale që nuk do të preken. T’i japë garanci në radhë të parë Ristanit që nuk do të pushohet pas veprës së 8 majit e tutje, t’u japë garanci ushtarëve të vegjël që mund të kryejnë adetet në qendrat e votimit pa pësuar gjë. Ndaj dhe ishte kundër dënimit maksimal për prishësit e procesit zgjedhor.”

Dhe më poshtë vijon: “Me kodin zgjedhor të pandryshuar, asnjë nga partitë e opozitës, por as LSI-ja e maxhorancës nuk duan të bëjnë zgjedhje… Nëse LSI-ja do të gjendej përballë kërcënimit të zgjedhjeve të parakohshme me kodin zgjedhor të pandryshuar, ndoshta në votimin e pestë do të ndryshonte mendje dhe do të detyrohej të shmangte zgjedhjet duke votuar Topallin. Edhe PS-ja, me kodin e vjetër, ndoshta nuk do të ishte e gatshme për zgjedhje të parakohshme në kushtet e mosrealizimit të kërkesës së saj për president konsensual. Kjo është arsyeja kryesore që e bën Berishën të bllokojë reformën zgjedhore dhe të akuzojë opozitën për bllokim.”

Re.Pu.

Në një shkrim për SETimes, gazetarja Jonilda Koçi ka mbledhur tok një mori ekspertësh të sektorit të ekonomisë në kuadër të debatit mbi taksën e sheshtë dhe atë progresive.

Për Florion Mimën, i cili ka qenë një mbrojtës i flaktë i taksës së sheshtë, qëllimi i vendosjes së saj ishte stimulimi i konsumit nga individët me të ardhura të mesme dhe të larta. “Reforma e përgjithshme e taksave ndihmoi thjeshtëzimin e sistemit të taksave, rritjen e investimit, eksporteve, punësimit dhe të ardhurat e shtetasve. Ajo përballi gjithashtu korrupsionin dhe sektorin informal,” – shpjegon ai. Por duket se një gjë e tillë funksionoi gjatë viteve të para të aplikimit duke sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave për buxhetin e shtetit, por po kthehet në një bumerang në këtë periudhë. Kësaj i mëshon edhe ish-nën drejtori i Tatimeve, Xhavit Curri, i cili thekson se taksa e sheshtë transferoi ngarkesën nga kompanitë te individët dhe në këtë mënyrë preku konsumin. “Individët paguajnë dhjetë deri 20 herë më shumë taksa krahasuar me taksimin progresiv. Taksat për punonjësit si në sektorin privat dhe publik u rritën me 95 %. Në vetëm një vit, qeveria mblodhi 120 milion dollarë më shumë nga ata me paga të ulëta e të mesme,”.

Deputeti i PS-së, Ilir Beqja ofron edhe ekspertizën ekonomike në këtë parti, është kategorik kur thotë se taksa e sheshtë duhet hequr. “Sistemi i taksës së sheshtë duhet të hiqet sepse nuk është i drejtë apo i ndershëm. Ato (korporatat shën Re.Pu) llogariten për 25% të xhiros dhe patën 50% të fitimit dhe janë përfituesit e vërtetë në këtë histori”, - shpjegon Beqja.

Deputeti demokrat, Selami Xhepa shpjegon se taksa e sheshtë është rekomanduar për shtete që kanë administratë të dobët tatimore. “Ngarkesa e ulët e taksës shërbeu si kompensim për qeverisjen e keqe dhe koston e lartë të transaksionit, që do të thotë se mungesa e efektshmërisë është balancuar me taksa më të ulët”. Kurse Arbër Mazniku i PS-së, argumenton se kjo taksë rriti koston e punës në Shqipëri duke bërë që të humbin punën rreth 22 mijë shqiptarë që prej vitit 2007 kur ajo filloi të aplikohej.

 

Re.Pu

Kriza greke mund të thellohet e mund të ketë përthyerje të tjera. Pikërisht në këto orë, grekët që kanë llogari bankare janë duke u dyndur në dyert e bankave për të tërhequr depozitat nga frika e një zhvleftësimi (nëse kthehet Dhramia). Guvernatori i Bankës së Greqisë, Jorgos Provopoulos, ka shkuar urgjent në një takim te Presidenti i Republikës dhe e ka informuar se të hënën janë tërhequr nga bankat 700 milionë euro. Sipas burimeve bankare, edhe të martën është tërhequr e njëjta shumë. Presidenti ka nxjerrë një njoftim për shtypin lidhur me takimin që pati me guvernatorin, dhe aty thuhet se “nuk ka ende një situatë paniku, por janë gjasat që kjo frikë të shndërrohet në panik”.

E.G.

Titulli më bombastik në të përditshmet e sotme ishte ai që kish të bënte me akuzën e opozitës, se “Berisha po tenton të blejë deputetë të opozitës në funksion të lojës së vet presidenciale”. Madje, është folur për çanta me para që u janë ofruar dy deputetëve (në ndonjë të përditshme, numri shkon në katër). Madje, një hamendje të tillë e bën dhe Sokol Balla në shkrimin e tij të publikuar në Mapo, ku autori jep një dëshmi personale mbi një deputet socialist që është parë ditën e hënë të dalë nga dera e kryeministrisë. Ndoshta edhe për këtë e ka pasur fjalën Rama kur ka thënë se “të hënën dhe të shtunën dy deputetë socialistë janë vendosur përpara ofertës me para të të dërguarve të kryeministrit”.

Nuk kuptohet pse nuk bëhen publikë emrat e deputetëve të futur në objektiv si të korruptueshëm, dhe emrat e atyre që kanë tentuar t’i korruptojnë. Në fakt, PD-ja nuk është skandalizuar shumë nga kjo akuzë. Thjesht kanë thënë që “të bëjnë denoncimin në prokurori; në mos, të heshtin”.

Ka një precedent dyshimesh në lojën presidenciale. Para pesë vitesh, gjatë zgjedhjes së Bamir Topit, numri i socialistëve të bërë papritur me Berishën ish gjashtë.

E.G.

Mario Borghezio është i Legës së Veriut. Është anëtar i Parlamentit Europian, dhe dallohet për urrejtjen e  përbuzjen ndaj emigrantëve e ndaj myslimanëve, e ca më shumë ndaj emigrantëve që janë dhe myslimanë, sidozot një pjese shqiptarësh. Në Itali nuk është se i kushtojnë shumë rëndësi këtij personazhi butaforik, por është ai që shpesh herë çfarë nuk bën për të rrëmbyer vëmendjen e medias. Më së shumti hedh batuta banale folklorike.

Kështu ka bërë dhe në një intervistë në Radion 24 (që sillet në numrin e sotëm të shqiptares.com), ku u është vërsulur shqiptarëve për herë të n-të. Shqipëria është “vend i bukur, po t’i heqësh prej andej shqiptarët”, thotë ai mes të tjerash. Por më shumë e ka me burrat: “Ato pak herë që kam qenë në Shqipëri sipërmarrësit italianë atje më kanë thënë se ishin shumë të kënaqur nga gratë shqiptare që punojnë shumë, ndërsa burrat nuk bëjnë asgjë, rrinë gjithë ditën në kafene, janë kushërinj të afërt të arabëve”.

Re.Pu.

Periudha para zgjedhjes së Presidentit të Republikës por edhe afrimi PS-LSI duket se do të shoqërohet me lëvizje të forta në Kuvend ku nuk përjashtohet edhe ndonjë mocion mosbesimi ndaj kabinetit Berisha. Sinjalet e para publike për këtë të fundit i dha deputeti Dritan Prifti, gjatë emisionit “5Pyetje nga Babaramo” tek Neës 24. Sipas tij, tashmë në Kuvend kanë filluar lëvizjet për organizimin e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë Berisha duke theksuar se një ofertë e tillë i është paraqitur edhe atij. “Plani është që të organizohet një mocion mosbesimi ndaj qeverisë në Kuvend. Ka filluar lobingu. Kanë ardhur edhe tek unë për këtë”.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, Prifti theksoi rëndësinë që ka për vendin zgjedhja e një presidenti konsensual, por nuk përjashtoi mundësinë që të votonte edhe për kandidaturën e Jozefina Topallit nëse rrethanat do ta kërkonin këtë.  “Nëse do të kem përballë një figurë hajduti dhe tjetri  do të ishte Topalli, sigurisht që do të votoja Topallin”, - tha ai.

Krahas kësaj, ai parashikoi edhe qëndrimin e Metës për zgjedhjet e 2013-ës, gjatë të cilave pritet që LSI të kalojë majtas sipas Priftit. “Unë e njoh Metën dhe mendoj se lëvizjet e tij janë reale. Sa më shumë të afrohen zgjedhjet e 2013, ai do një aleancë të majtë se kështu u dalin votat se me Berishën i përgjysmohen votat. Nuk besoj se Meta do jetë në një pol me zotin Topi. Mendoj se nuk do të futen në një koalicion laraman, pa një identitet të qartë”.

S.E.