credins
Data sot është 23-05-2013, ora 23:37

Author Bios

Blogs by this author:

  • “HABEMUS PACTUM!” shpalli në Twitter Vlora Çitaku, ministrja e Kosovës për Integrimin Europian. Kosova dhe Serbia sapo kishin arritur një marrëveshje. Ndodhi më 19 prill, pas dhjetë raundesh të pamëshirshme negociatash ndërmjet kryeministrave të dy vendeve dhe baroneshës Ashton, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian.

    Pakti është një zhvillim i madh për të dy vendet, për Ballkanin Perëndimor dhe një triumf për Lady Ashton-in dhe ekipin e saj. Më 2 prill, pas tetë raundesh u duk sikur procesi kishte dështuar.

    Pakti u firmos nga Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, një ish-komandant i UÇK-së, një forcë guerilase që luftoi kundër serbëve në periudhën 1998-‘99. Ai negocioi me Ivica Daçiç, kryeministrin serb që gjatë luftërave ballkanike ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt të Slobodan Milosheviçit, udhëheqësit serb të kohës. Gjithashtu, i pranishëm ishte Aleksandar Vuçiç, zv/kryeministri serb, një ish-nacionalist ekstremist.

    Marrëveshja u hap rrugë të dy vendeve për të vazhduar në shtegun e integrimit europian. Nënkuptohet se duke arritur marrëveshjen, Serbisë do t’i hapet drita e gjelbër për të nisur bisedimet e anëtarësimit në BE. Kosova do të marrë premtimin për të negociuar një hap më të hershëm të procesit, të njohur si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

    Marrëveshja me 15 pika pritet që të mbështetet formalisht edhe nga dy qeveritë dhe parlamentet. Marrëveshja po përshëndetet nga diplomatët dhe politikanët në të dy vendet si një situatë ‘win-win’, megjithëse do të hasë në rezistencën e nacionalistëve të linjës së ashpër në të dy krahët. Megjithatë, Petrit Selimi, zv/ministri i Jashtëm i Kosovës kishte të drejtë kur tha ndërsa merrte pjesë në Globsec, një konferencë e sigurisë globale në Bratislavë të Sllovakisë, një vend që nuk e ka njohur Kosovën, se “diga është çarë. Nuk ka kthim mbrapa”.

    Thelbi i marrëveshjes është se ndërkohë që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, pranon autoritetin e saj legal mbi të gjithë territorin. Në shkëmbim, autoritetet kosovare iu japin një nivel autonomie katër zonave të kontrolluara nga serbët në Kosovën e veriut. Ato do të formojnë një shoqatë, e cila do të mbikëqyrë arsimin dhe shëndetësinë apo çështje të tjera. Pakti thotë se do të ketë një forcë të vetme policore në Kosovë, por se komandanti rajonal serb për veriun do të zgjidhet nga një listë kandidatësh, formuluar nga kryekomunarët e veriut.

    Një formulë kompromisi u gjet mbi çështjen irrituese të gjykatave dhe zgjedhjet do të mbahen këtë vit për komunat veriore, të cilat tani janë të zgjedhura nën sistemin serb, jo atë kosovar.

    Hamendësohet se janë rreth 140 mijë serbë në Kosovë, në një popullsi të përgjithshme prej 1.7 milion banorësh. Rreth një e treta e tyre jetojnë në veri. Pjesa tjetër jeton në zona të Kosovës, të cilat në vitet e fundit kanë filluar të integrohen me pjesën tjetër të vendit në termat e organizmit komunal, por jo sa i takon arsimit dhe shëndetësisë. Disa prej këtyre zonave mund t’i bashkohen shoqatës së re serbe.

    Marrëveshja nuk e pengon Serbinë për të financuar arsimin dhe shërbime të tjera, siç ndodh tani. Sipas z. Daçiç dhe z. Selimi, Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria de fakto e Kosovës, nuk do të zbarkojë në veri, të paktën për disa vite. Pas arritjes së marrëveshjes, Lady Ashton, z. Daçiç dhe z. Thaçi shkuan në selinë e NATO-s për të diskutuar ndihmën e nevojshme në zbatimin e paktit. Një fotografi i jepte të dy ata në të njëjtën anë të tryezës duke folur me shefat e NATO-s, jo përballë njëri-tjetrit siç kanë qenë deri më tash.

    Liderët e serbëve të Kosovës në veri kanë thënë se do bëjnë çmos për ta kundërshtuar marrëveshjen dhe madje folën gjatë javëve të shkuara për njëfarë ndarjeje nga Kosova. Në shkurt të vitit të shkuar serbët e Kosovës në veri votuan në shumicë për të refuzuar çdo bashkëpunim me autoritetet në jug. Në terma afatgjatë, objeksionet e tyre nuk do gjejnë mbështetje.

    Burime në veri besojnë se kur të vijë mesazhi nga autoritetet në Beograd se është në interesin e shtetit serb që serbët e Kosovës të binden, ata do të bëjnë siç u kërkohet. Paratë, natyrisht, do të luajnë rolin e tyre. Si udhëheqës të strukturave komunale të sapozgjedhura, të njohur si nga Kosova ashtu dhe Serbia, ata mund të presin një ujëvarë financiare. Të riintegruar në Kosovë, ata mund të marrin para nga qeveria qendrore dhe nga Serbia. Një pakt i mëparshëm u jep atyre të drejtën që të marrin një pjesë të mirë të tarifave doganore nga dy pikat doganore veriore me Serbinë. BE dhe SHBA, të cilët luajtën një rol thelbësor, megjithëse në prapaskenë në arritjen e marrëveshjes, gjithashtu do të ofrojnë fonde.

    Dështimi për të arritur një marrëveshje do të thoshte pasoja të këqija për Serbinë, Kosovën dhe pjesën tjetër të rajonit. Të huajt do të arrinin në përfundimin se palët ishin kokëforta dhe jo të gatshme për të ndërmarrë risqe për interesin e popujve të tyre dhe se nuk ia vlente më për t’i ndihmuar. Një periudhë e gjatë status quo-je do të kishte pasur.

    Zbatimi i marrëveshjes, sigurisht do të jetë i vështirë, por një pengesë e madhe psikologjike është kaluar. Ndërsa Serbia e Kosova lëvizin përpara në terma të marrëdhënies mes tyre dhe në terma të integrimit europian, diplomatët shpresojnë se shembulli i tyre do t’u japë një cytje si boshnjakëve që kanë mbetur mbrapa për shkak të një dështimi për të bërë kompromise të ngjashme, ashtu dhe maqedonasve.

    Bisedimet janë një sukses i rrallë për politikën e jashtme të BE-së. Ato filluan në mars 2011, kur Boris Tadiç ishte në pushtet në Serbi. Ato lëvizën nga të ashtuquajturat ‘bisedime teknike’ në nivel politik në shtatorin e vitit të shkuar.

    Deri më tash, zyrtarët serbë janë përpjekur për të shmangur kontaktet me kolegët kosovarë. Në Bratislavë, sidoqoftë, ishte e qartë se kish arritur një frymë e re. Të dyja palët e përshëndetën paktin. “Të gjithë jemi fitimtarë”, tha një zyrtar serb që kërkoi të mos i citohej emri. Ai shtoi me maturi se të dyja palët do të bënin mirë të ‘shmangnin triumfalizmin”. Autori Tim Judah / Marrë nga MAPO

  • Më 17 qershor, politika e lojës me zjarrin në Egje do të marrë një tjetër kthesë. Edhe nëse Demokracia e Re ia del të formojë një qeveri, do të kërkojë medoemos rinegocim të kushteve të vendosura në fillim të këtij viti nga kreditorët europianë, të cilët e nxorën  për herë të dytë Greqinë nga falimentimi. E nëse fituesi është Syriza, një parti e qendrës së majtë, e vendosur kundër marrëveshjes së borxhit, tregjet i friken skenarit që mund të sjellë daljen e Greqisë nga euroja, duke shkaktuar implikime të mëdha në pjesën tjetër të eurozonës.  Por asgjë nuk është automatike sa i përket kohës dhe mekanizmit të një “Grexit”. 

    Nëse Alexis Tsipras, udhëheqësi i Syrizës do të shpallte në mënyrë të njëanshme moratoriumin e borxheve, siç edhe ka kërcënuar se do ta bëjë, atëherë mund të thuhet me siguri se dalja do të jetë e shpejtë. Të gjitha kreditë do të ndërpriteshin menjëherë. Me Greqinë e paaftë për të paguar borxhin e saj, Banka Qendrore Europiane nuk do të lejojë dhënien e likuiditetit për bankat e lëkundura greke. Qeveria greke do të detyrohej të rikthente dhrahminë, e cila do të zhvlerësohej kundrejt euros. 

    Por zotit Tsipras do t’i duhet të formojë një koalicion dhe do të kufizohet nga aleatët e tij. Nga ana tjetër, ai nuk ka mbështetur në fushatë daljen nga euro, monedhë që mbështetet masivisht nga qytetarët grekë. Tsipras është duke kalkuluar se kancelarja gjermane, Angela Merkel do të dridhet përballë mundësisë se dalja e Greqisë do të sillte kosto më të mëdha. Ai beson se Merkel nuk dëshiron të shihet si personi që detyroi Greqinë të dalë nga euro, të paktën jo për sa kohë nuk ka një ligj që e detyron një shtet të lërë monedhën e përbashkët të Unionit.

    Edhe një fitore e mundshme e Syrizës do t’u linte në radhë të parë vend negociatave. Gjatë kohës së mbajtjes së tyre do të vonojnë kushtet për paratë që mbushin gropat buxhetore të Greqisë. Por këtij shteti do t’i duhen fonde shtesë për të shmangur falimentin, të cilat duhet të shkojnë në drejtim të borxhit dhe bonot e maturuara. Disa ekonomistë mendojnë se Greqia, mundet megjithatë të shmangë një largim të papritur nga euro. Qeveria mund të paguajë disa nga faturat e saj  përmes marrëveshjeve të borxhit me kreditorët vendas. Këto deklarata ose letra me vlerë do të fillojnë të qarkullojnë, duke shkaktuar rënie të euros. Në fakt, argumenton Thomas Mayer, një këshilltar i Deutsche Bank, Greqia mund të krijojë paralelisht monedhën e vet të zhvlerësuar, ndërsa mbetet ende në monedhën e përbashkët europiane. 

    Diçka e ngjashme ka ndodhur në Argjentinë, kur përpiqej të mbante linjën e ashpër mes pesos dhe dollarit, para se kjo lidhje të këputej  përfundimisht në fillim të vitit 2002. Qeveritë e falimentuara rajonale filluan t’i paguanin punonjësit me këto letra me vlerë, të quajtura patacones, prodhuar nga një provincë e Buenos Aires. Por këto masa të dëshpëruara humbën shpejt popullaritetin, pasi vlera e patacones ra në një kohë të shkurtër. Brenda pak muajsh, qeveria e Argjentinës u detyrua të kufizojë tërheqjen e depozitave bankare, nuk pagoi në kohë borxhet e veta dhe theu lidhjen me dollarin, duke lejuar kështu zhvlerësimin e euros.

    Mario Blejer, guvernator i Bankës Qendrore të Argjentinës, në mes të kësaj krize thotë që letrat me vlerë do të jenë edhe më keq sesa krijimi i një monedhe të re (që për të do të ishte katastrofike). Do të krijonte kaos monetar dhe gjeneronte presione inflacioniste para daljes nga euro, që me siguri do të vinte shpejt. 

    Çdo negociatë midis Z. Tsipras dhe kreditorëve grekë në çdo rast do ta kishte jetën e shkurtër. Vrapi i bankave greke mund të kthehet në një sprint pas zgjedhjeve, duke e rritur varësinë e vendit ndaj  Bankës Qendrore Europiane për financime emergjente. Nëse kushtet për një mbështetje të tillë do të jenë në koherencë me termat e falimentit, atëherë do të jetë zoti Tsipras ai që mbi të gjitha do të dridhet. E nëse ai nuk e bën, atëherë Greqia mundet vërtet të dalë nxitimthi nga euro fill pas zgjedhjeve.

    Përkthyer nga Mapo

  • Gideonët shpërndajnë më shumë se dy mijë kopje Biblash në ditë dhe askush nuk ankohet. Por Kurani është një mesele tjetër. Një grup i quajtur “True Religion” (“Religjioni i vërtetë”) ka shpërndarë më shumë se treqind mijë kopje, shumë prej të cilave janë ndarë nëpër “stenda informacioni” në zona tregtare. Është thënë se qëllimi ishte dorëzimi i kopjeve më shumë se 25 milionë gjermanishtfolëve në Evropë. Agjencitë e inteligjencës janë alarmuar; politikanët e kanë dënuar planin.
    “Presioni publik ishte shumë i madh”, është thënë në një reagim.
    Kritikët thonë se problemi nuk është dhurata e Kuranit, por dhuruesi. “True religion” është grup mbështetësish të saleaizmit, një degë fundamentaliste e islamit. Lideri i grupit, Ibrahim Abu Nagie, me prejardhje palestineze që njihet si një predikues me bazë në Koln, ishte shumë afër uljes në bankën e zezë pasi kishte përpjekje për ngritje të akuzave kundër tij për nxitje të dhunës karshi të krishterëve dhe hebrenjve. Ai dyshohet si një predikues që po bën fushatë të organizuar për t’iu bashkuar në kauzë. Askush nuk pati bazë për ta akuzuar para një trupi gjykues. Akuzat dështuan në muajin janar dhe hetuesit hoqën dorë.
    Volker Kauder, drejtues deputetësh konservatorë të kancelares Angela Merkel, gjatë një konference të së enjtes për integrimin e myslimanëve në Gjermani ka thënë se islami nuk e ka vendin në Gjermani.
    “Islami nuk është pjesë e traditës sonë dhe identitetit në Gjermani. Ai nuk e ka vendin në Gjermani”, ka thënë Kauder, duke shkaktuar një debat të ashpër në mesin e panelistëve të konferencës.
    Nuk ka asgjë të keqe me shpërndarjen e teksteve fetare, ka thënë Gunter Krings, një anëtar kristiandemokrat i Bundestagut gjerman, por ky “aksion agresiv” prish paqen fetare. Salafizmi do ta zëvendësonte “sovranitetin e popullit” me një shtet teokratik, ka deklaruar ministri i Brendshëm i Rhinet Verior-Westphalias, Ralf Jager.
    Shërbimet gjermane të inteligjencës kanë bërë të ditur se kanë mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë Abu Nagien. Myslimanët që i përkasin rrymës tradicionale kanë vënë në dyshim “instrumentalizimin” e Kuranit.
    Guido Steinberg, një ekspert i terrorizmit në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin, e sheh projektin si një reflektim të konkurrencës brenda vetë kampit salafist. Rreth pesëdhjetë predikues kërkojnë një zbatim të islamit konservativ. Në mesin e tyre është edhe Pierre Vogel, një ish-bokser që ishte takuar me Abu Nagien në vitin 2008. Shpërndarja falas e librave mund të jetë një mënyrë e jashtëzakonshme për rekrutimin e njerëzve në kauzë, mirëpo salafistët e kanë për qëllim joshjen e njerëzve duke iu premtuar jetë më të mirë të rinjve, që nuk i kanë të njohura rregullat e fundamentalistëve islamikë.
    Steinberg ka thënë se numri i tyre po rritet në mënyrë të pazakonshme. Ai mendon se në Gjermani ka më shumë se dhjetë mijë salafistë, ani pse shërbimet gjermane të inteligjencës thonë se shifra nuk e kalon tremijëshin.
    “True Religion” shihet si një propagandë me bazë “politike” e grupit salafist, e jo si një “xhihad” i dhunshëm. Por edhe lloji politik mund të frymëzojë dhunën. Arid Uka, një riosh me prejardhje nga Kosova, i cili kishte vrarë vitin e kaluar dy ushtarë amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit, kishte lidhje interneti me grupe që ishin të ngjashme me atë të Abu Nagiet. Kur plasi debati për shpërndarjen e madhe të kopjeve të Kuranit, mbështetësit e shpërndarjes së tij postuan një videoincizim, duke mallkuar gazetarët kritikë si “majmunë dhe derra”.
    Fundamentalistët mundohen ta ndërrojnë kahen e debatit, duke kërkuar që më shumë të flitet për të drejtat sesa për idetë e tyre.
    “Ku mbeti liria fetare? Ku është demokracia juaj?”, pyet një zëdhënës në një video të postuar në uebfaqen e “True religion”. “Pro-NRW”, një parti antiislamike që do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 13 majit, dëshiron të shfaqë karikaturat e islamit afër xhamive. Kjo mund t’i bëjë salafistët të fitojnë zemrat e më shumë njerëzve, sesa shpërndarja e kopjeve të Kuranit.

    Marrë nga Koha Ditore

  • Udhëto në eurozonë dhe do të frymëzohesh nga furia e zemërimit prej reformave. Plani i shpëtimit të Italisë e ka bërë kryeministrin Mario Monti të deklarojë, edhe pse para kohe, se kriza e euros është drejt fundit. Në Spanjë, qeveria e Mariano Rajoy është fokusuar te tregu i punës  dhe shtrëngimi i dorës me buxhetin. Për të gjitha problemet e tyre, grekët e dinë tashmë që harxhimi pa kufi dhe mashtrimi me taksat ka marrë fund. Por një shteti tjetër do t’i duhet të përballet me ndryshimin e rrethanave. Franca është duke hyrë në tri javët finale të fushatës presidenciale. Renditja e raundit të parë, më 22 prill mbetet krejt e paqartë, por sondazhet mbështesin François Hollande, sfiduesin socialist për një fitore në raundin e dytë. Që prej shpërthimit të krizës së euros, në zgjedhje, thuajse të gjitha qeveritë në eurozonë janë rrëzuar prej votuesve. Por Nicolas Sarkozy veçse sa është gërvishtur. Terroristi i ditëve të fundit në Tuluzë ka vendosur një theks të ri për sigurinë dhe islamizmin, çështje që tentojnë të favorizojnë të djathtën, ose në kallëpin e Marine Le Pen, të djathtën e përtejme. Sërish, ajo çka është më e habitshme rreth zgjedhjeve në Francë, është sa pak po flitet nga gjithkush për ngushticën e tmerrshme ekonomike të vendit. Kandidatët po hedhin në pjatë sa më shumë premtime mbi të shpenzuarit më shumë, sesa të shpenzuarit më pak. Askush nuk ka një axhendë serioze për reduktimin e rrjedhjes së taksave. Zoti Sarkozy, i cili në vitin 2007 premtoi reforma, tani u ofron votuesve protektonizëm, sulmon e kërcënon me dëbime apo nxjerrjen e Francës nga zona Schengen, flet për të këqijat e emigracionit dhe mishin hallall. Zoti Hollande premton nga ana tjetër rritjen e rolit të shtetit, krijimin e 60 mijë vendeve pune për mësues, i vjen vërdallë rritjes së moshës së pensionit nga 60-62 vjeç nga Sarkozy dhe u merr frymën të pasurve (për të cilët tha njëherë me hare se nuk i kishte qejf) me një rritje prej 75% nga taksat.

    Probleme me bollëk

    Dashamirësit e Francës kanë vënë në dukje se vendi vështirë se mund të jetë si rastet e shteteve Mediterrane. Ndryshe nga ato ekonomi, do ta shmangë recesionin këtë vit. Edhe pse një agjenci ia hoqi Francës statusin AAA, vlera e borxhit mbetet shumë poshtë Italisë dhe Spanjës. Franca ka fuqi ekonomike për t’u pasur zili: forcë pune të edukuar dhe produktive, më shumë kompani mes të pasurave të globit se çdo vend tjetër europian dhe është mjaft e fortë në shërbime dhe industri përpunuese. Megjithatë, Franca nuk i ka balancuar llogaritë e saj që prej vitit 1974. Borxhi publik qëndron te 90% e GDP dhe vazhdon të rritet. Shpenzimet publike, te 56% e GDP  gëlltisin llokmën më të madhe të prodhimit se çdo vend tjetër në eurozonë, madje edhe më të madhe se Suedia. Bankat janë të nënkapitalizuara. Papunësia është më e larta që prej vitit 1990 dhe nuk ka rënë poshtë 7% prej 30 vitesh, duke krijuar të papunë kronikë. Franca ka tani deficitin korrent më të madh në terma nominalë. Ndoshta Franca mund të kishte jetuar me kredit përpara krizës financiare, kur gjetja e borxhit ishte e thjeshtë. Jo më tani! Në të vërtetë, një Francë e ngadaltë dhe e pareformuar mund ta gjejë veten në qendër të krizës së ardhshme. Shumë liderë biznesi kacavirren pas shpresës se njëfarë realizmi tokësor do të shfaqet. Debati do të zbresë në fushë kur zotërinjtë Sarkozy dhe Hollande do të përballen në raundin e dytë dhe kur njëri të zgjidhet, Presidenti i ri do të lërë në baltë premtimet e veta ekstravagante dhe do të vërë në jetë një axhendë të ndjeshme reformash, si edhe qeveritë e tjera europiane. Por a është kjo vërtet e mundur? Do të ishte e vështirë që Sarkozy të propozonte papritur ulje drastike të shpenzimeve publike, pas gjithë gjërave që ka thënë. Do të ishte edhe më e vështirë për zotin Hollande të lëshojë planin e tij për rritjen me 75% të normës së taksave. Hera e fundit që një kandidat i paprovuar socialist u bë president ishte në vitin 1981. Si i favorizuari i François Mitterrand, zoti  Hollande do të kujtojë sesi gjërat morën fund për mentorin e tij. Duke i veshur fashën e nacionalizmit industrisë dhe çuar vendin në dy zhvlerësime dhe muaj të tërë ndëshkimi nga tregjet, Mitterrand u detyrua të dështojë. Simpatizantët e zotit Hollande thonë se ai është një pragmatist me program më të moderuar se Mitterrand. Nëse Hollande fiton në maj dhe partia e tij fiton sërish në zgjedhjet parlamentare të qershorit, ai mund të zbulojë se ka vetëm disa javë, jo vite, para se investitorët të  vrapojnë drejt bond-marketit francez. Numri i të kamurve dhe të rinjve francezë që vërshojnë drejt Britanisë do të rritet me shpejtësi. Edhe nëse rizgjidhet zoti Sarkozy, rreziku nuk do të zhduket. Ai nuk do të propozojë ndonjë draft si ai i taksave 75%, por gjithashtu nuk po ofron reforma radikale për nevojat e Francës. Qytetarët do të kenë shumë punë me realitetin e ashpër, pavarësisht se kush do të zgjidhet President!

    Marrë nga Mapo

  • Ka shenja provokuese për lajme të mira në ekonomi. Në Amerikë, firmat kanë rritur numrin e të punësuarve, ndërsa konsumatorët shpenzojnë më shumë. Recesioni i Eurozonës është më i butë seç pritej. Ristrukturimi i borxhit të Greqisë ka kaluar pa pengesa. Të joshur me shenjat e rimëkëmbjes dhe të lehtësuar me bindjen se fatkeqësia është shmangur, tregjet financiare kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Indeksi i aksioneve globale MSCI është rritur për 9 për qind që nga fillimi i vitit dhe për 20 për qind nga niveli i tij më i ulët në tetorin e kaluar.

    Megjithatë, ka arsye të mira për të qenë të kujdesshëm për gjithë optimizmin. Rritja globale, e zvarritur poshtë e më poshtë nga disa ekonomi në zhvillim, ashtu si dhe nga recesioni në Europë, ka ende gjasa të jetë më e ngadalshme këtë vit sesa më 2011-n.
    Po ashtu, ka edhe rreziqe të mëdha. Nëse tensionet me Iranin, për shkak të programit të tij bërthamor bëhen edhe më të mprehta, një çrregullim i furnizimit me naftë mund të shkaktojë sërish kërdi. Të përshtatshme mjaft për një President, i cili kërkon rizgjedhjen në nëntor, shenjat më të qarta të rimëkëmbjes janë në Amerikë. Përjashto punën e përkohshme për kryerjen e regjistrimit 2010, më shumë vende pune janë krijuar në tre muaj, që nga nëntori, sesa në çdo periudhë tjetër tremujore që nga viti 2006. Edhe papunësia, edhe puna e përkohshme po bien. Çmimet e shtëpive vazhdojnë të zhyten më poshtë, por ndërtimi dhe shitjet kanë filluar të rriten. Kredia e konsumatorëve është në rritje dhe shtrëngimi fiskal është lehtësuar. Megjithatë, asnjëra nga këto nuk e ka efektin “boom”. Gjatë vitit, ekonomia e Amerikës do të rritet rreth 2.5 për qind. Kjo është shumë më pak seç mund të pritet pas një recesioni normal. Por, pas krizës financiare, kur konsumatorët janë rënduar nga borxhet, rimëkëmbja pritet të jetë anemike.

    Ky nivel i rritjes nuk do ta zvogëlojë shumë shpejt shkallën e papunësisë, por mund të jetë hapi i parë drejt rimëkëmbjes së vetëqëndrueshme, falë rrethit vicioz të rritjes së fuqishme të vendeve të punës, që çon në shpenzime më të larta të konsumatorëve, e në këmbim gjeneron vende të tjera pune. Europës, për dallim, i mbetet një rrugë e gjatë drejt shërimit. Atje, lajmi i vetëm i mirë është se gjërat thjesht janë shumë më pak të këqija sesa që mund të ishin. Falë ndihmës së madhe që u ka ofruar Banka Qendrore Europiane bankave, kolapsi financiar duket të jetë evituar. Rezultati është një recesion i cekët, të cilit Gjermania mund t’i ketë shpëtuar krejtësisht. Për të tjerët, megjithatë, nuk është ende e qartë nga do të vijë rritja. Shumica e vendeve europiane, veçanërisht ato në periferi të Eurozonës, kanë vendosur kursime në ekonomitë e tyre për të ulur deficitet. Reformave strukturore, që ato i përdorin për të ndihmuar rritjen, do t’u duhet kohë të kenë shumë efekt. Por për aq kohë sa mbetet i cekët, recesioni europian do të bëjë dëme të kufizuara në pjesën tjetër të botës. Dhe, kjo është një arsye e rëndësishme përse parashikimi për shumë ekonomi në zhvillim është më i mirë nga ç’ka qenë disa muaj më parë.

    Me shmangien e katastrofës në Eurozonë, të paktën tash për tash, rrjedhjet e kapitalit në botën në zhvillim janë në rritje e sipër, ashtu si dhe ekonomitë e orientuara nga eksportet.
    Kina, megjithatë, bën përjashtim: shifrat e saj të fundit tregtare kanë qenë çuditërisht më të zymta. Prapëseprapë, parashikimi për pjesën tjetër të vitit është më i mirë se ajo çfarë sugjerojnë lajmet e fundit. Kjo për shkak se rënia e mirëpritur në inflacion lë hapësirë për qeverinë kineze të lehtësojë politikën monetare dhe fiskale. Qeveria nuk do të lejojë ngadalësim të mprehtë të ekonomisë, pasi ndryshimi i sivjetshëm në udhëheqjen e Kinës ka prioritet ruajtjen e stabilitetit shoqëror. Vendet europiane duhet të ndalojnë së fokusuari në drejtim të kursimit. Në vend të kësaj, duhet të bëjnë më shumë për të gjeneruar rritje. Injeksionet e Bankës Qendrore Europiane kanë blerë me sukses kohën për qeveritë në borxhe, por për lehtësim të përhershëm, Eurozona duhet të ndërtojë institucione që lejojnë detyrime të përbashkëta për borxhet qeveritare.

    Prioritet i Amerikës duhet të jetë plani afatmesëm, i cili çon në rënie të deficitit buxhetor, duke mos shtypur rimëkëmbjen. Për fat të keq, nuk ka shanse që një gjë e tillë të bëhet para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ekonomia e Kinës mbetet shumë e varur nga investimet dhe jo konsumi i brendshëm. Në vend që të inkurajohet ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave, çdo stimul do të çonte në paga më të larta. Pra, arsyet për optimizëm janë reale. Por, nëse politikëbërësit nuk veprojnë si duhet, rimëkëmbja mund të shndërrohet në pluhur.

    Marrë nga Mapo

  • Serbia, sikur pjesa tjetër e Ballkanit, është mbuluar nga një shtresë e trashë bore. Në qendër të Beogradit një shenjë paralajmëruese bie në sy. Shumë trotuare janë rrethuar e kufizuar për qarkullim nga rreziku i rënies së akujve të zgjatur. Më 7 shkurt një grua është goditur për vdekje nga një akull 4- kilogramësh që ka rënë nga lart. Në tërë vendin është raportuar edhe për 20 njerëz të tjerë të vdekur. Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Nuk është çudi që presidenti serb, Boris Tadiq, duket i dërmuar teksa i viziton rajonet e prekura. Ai po i mohonte raportimet e shpeshta për shëndetin e tij të dobësuar, por nuk duket si burri që ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, dikur e kishte quajtur “President Clooney” për shkak të ngjasimit me aktorin zemërthyes amerikan.
    Ai ka gjasa që të duket edhe më i dërmuar pas referendumit të 14-15 shkurtit në komunat serbe të veriut të Kosovës. Në të serbët do të përcaktohen se nuk kanë të bëjnë asgjë me Kosovën e pavarur të dominuar nga shqiptarët. Referendumi nuk do ta ndihmojë Tadiqin në përpjekjen e tij për ta siguruar statusin e shtetit kandidat të BE-së, kur ministrat e jashtëm të këtij unioni të takohen në fund të muajit. Ndërkohë atij po i kalon koha për të arritur një marrëveshje që është parakusht i BE-së: Serbia dhe Kosova duhet të pajtohen që të ulen bashkë në nismat rajonale.
    Natyrisht, edhe nëse një marrëveshje e tillë arrihet, kandidatura e Serbisë mund të mbetet në dyshim. Angela Merkel, kanceralja gjermane, e ka bërë të qartë kërkesën e saj që të shpërbëhen institucionet e Serbisë në Kosovë. Kjo u referohet policisë dhe shërbimeve sekrete jo aq diskrete të Serbisë në pjesët e Kosovës ku zhvillohet referendumi.
    Presionet e Tadiqit shtohen me çështjen e nxehtë nëse serbët e këtyre katër komunave do të lejohen të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe lokale të Serbisë. Herën e fundit kur Serbia i ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, katër vjet më parë, ata kanë qenë aty. Kjo ka qenë pasi që Kosova e ka shpallur Pavarësinë më 2008, por para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarojë që shpallja e Pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
    Po qe se Qeveria e Serbisë vendos të mos organizojë zgjedhje në veri të Kosovës, opozita do ta etiketojnë Tadiqin dhe partinë e tij si tradhtarë, peng të NATO-s. Por nëse ua mundëson serbëve të Kosovës votimin mund t’i rrezikojë shpresat e Tadiqit për sigurimin e statusit kandidat.
    Qëllimi i tij politik për vitin 2011 ka qenë që ta ketë të siguruar kandidaturën deri në dhjetor. Ai do të thërriste atëherë zgjedhje, duke shpresuar që suksesi në frontin e BE-së do t’ia rriste përkrahjen partisë së tij. Kur liderët e BE-së në dhjetor e shtynë këtë vendim, Tadiqi ishte tepër i hidhëruar. Serbia ka punuar shumë vjetëve të fundit për të ecur përpara drejt BE-së. Por në muajt para vendimit, serbët në veriun e Kosovës, hynë në konflikt me trupat gjermane. Kjo ua hoqi gjermanëve vullnetin për ta shpërblyer Serbinë.
    Tani çështja është prapë në agjendë, por Tadiqi ka gjasë që është duke shpresuar se do ta marrë lehtë. Me fat, ai do ta fitojë kandidaturën deri në fund të muajit, para se t’i thërrasë zgjedhjet që pritet të mbahen më 6 maj më së voni.
    Me Evropën e zhytur në krizën financiare, perspektiva e hyrjes në BE edhe ashtu nuk do të inspirojë shumë serbë. Shumica e tyre janë të brengosur për vende pune dhe të ardhura dhe mund t’i kenë humbur shpresat. Papunësia që para katër vjetësh ka qenë 13.6 për qind është ngritur në 23.7 për qind në nëntorin e kaluar. Në fund të janarit qeveria është obliguar të blejë Fabrikën e Çelikut në Smederevë nga US Steel për 1 dollar. Kompania amerikane është tërhequr nga marrëveshja, e cila kur është arritur, është cilësuar si një shembull privatizimi, për shkak të mungesës së materialit të porositur pjesërisht si pasojë e krizës së eurozonës.
    Lajme të gëzueshme nuk ka as në horizont. Sipas Ivana Pricas, ekonomiste në Universitetin e Beogradit, një “çështje tjetër e nxehtë dhe e pazgjidhshme” përveç papunësisë është deficiti i lartë tregtar i Serbisë që po e shton borxhin e jashtëm të shtetin. “Nëse diçka nuk ndryshon”, ajo thotë se “ne jemi rrugës drejtë bankrotimit apo duke shkuar rrugës së Greqisë”.
    Në një anketë të zhvilluar së fundi del se Partia Serbe për Progres (SNS) e dalë nga një parti nacionaliste, por që është pozicionuar si e qendrës së majtë, ka përkrahje prej 30 për qind. Anketuesi Zoran Luciq thotë se çdo gjë është e mundur, veçanërisht kur vetëm gjysma e respondentëve thonë se do të dalin në votime. Pas zgjedhjeve, Luciq parasheh që Serbia do të mbetet edhe për një kohë të gjatë në turbulenca politike. Krijimi i qeverisë do të marrë muaj. Të gjitha kombinimet janë të mundshme.
    Ndërkohë Tomislav Nikoliq, lider i SNS-së që i ka sytë nga kryeministria, ka qenë mjaft i mbyllur në zbulimin se çfarë do të bënte për çështjet si Kosova. Braca Grubaciq, analist politik dhe anëtar i SNS-së, sqaron se partia synon njerëzit e zakonshëm të pakënaqur me qeverinë aktuale dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Mediat, shumica e të cilave varen nga reklamat e kompanive të afërta me qeverinë, rrallë shkruajnë për korrupsionin, thotë ai.
    "Situata nuk ka qenë kaq e vështirë që nga viti 2000", ka thënë një burim i afërt me qeverinë, vitin kur është rrëzuar Slobodan Milosheviqi. "Dëshpërimi dhe nervozizmi po pushtojnë gjithçka".